E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minjtë, kjo specie brejtësish që ndiejnë tërmetet

27-03-2013 / Nga Eden Babani

Thonë se, përveç tërmeteve, minjtë ndiejnë edhe çastin e mbytjes së anijes. Ky fenomeni i pashpjegueshëm i ndjeshmërisë së tyre, me sa duket, është përvetësuar edhe nga minjtë politikë. Prej disa kohësh, fenomeni i çuditshëm i kësaj specieje brejtësish po perceptohet qartë në kampin opozitar të politikës sonë. Ngjashëm me shqetësimin e minjve, të cilët dalin si të ndërkryer nga skutat e sillen poshtë e lart që të gjejnë shpëtim, po shfaqet shqetësimi i kryetarëve të 33 partive aleate, qysh se i kërkuan liderit socialist të ishin pjesë e zonës së sigurisë në listat elektorale të PS-së. Nënteksti i kërkesës është i lexueshëm. Sinjalet që emetohen nga media, janë bindëse. Ato paralajmërojnë fundosjen e anijes “Rilindja”, të drejtuar nga kapedani i pafat Edi Rama.
Nëse sinoptika do të jetësonte një alternativë e tillë dhe konkurruesit do ta rishikonin strukturimin e koalicioneve me prurje të reja, cila do të ishte kostoja politike për palët që synojnë fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit?
 Votuesit e zakonshëm socialistë (përjashto militantët e verbër), ndonëse e nuhatin kotësinë e aleancës tridhjetë-e-trepalëshe, do të ndiheshin ligsht jashtë një koalicioni politik të së majtës, ideuar qoftë edhe me parti pa peshë si ajo e Gjinushit ose e Milos. Për analogji, ndonëse pa ndonjë ngjyrim politik të përcaktuar dhe i konsumuar tej mase, Ngjela s’përfaqëson veçse një letër të djegur. Megjithatë, më mirë me të, se pa të. Ndërkohë, Kurt Kola dhe komunistët bri tij nuk hyjnë fare në hesap. Komunistët e hershëm e të rinj i ka akaparuar Rama, kurse ish të përndjekurit politikë, që pretendon pa sukses Kurt Kola t’i përfaqësojë në koalicionin e majtë si më 1997, nuk mund të bëhen palë me xhelatët e dikurshëm. Në kushtet e një aleance  të tillë politike me liderë pa parti, një fije floku e ndan ligështinë e njeriut, nga zhgënjimi. Dita e zgjedhjeve, 23 qershori, s’është larg, ndërsa përpara kutisë së votimit nuk dihet ç’ mund të ndodhë. Në mos “të rrofshin aleatët dhe koalicioni fiktiv!”, do të thirret në kujtesë ajo thënia e nuses së përdalë: “për inat të sime vjehrre, do të fle me mullixhinë”. 
Në kampin tjetër, dëmi do të ishte i paparashikueshëm. Votuesit e djathtë janë lodhur tashmë me ecejaket e ndonjë politikani, sa andej, këtej. Njëri syresh, Preç Zogaj, aktualisht koordinator i opozitës së drejtuar nga Rama, është shprehur se do ta priste “me falënderim” një ftesë për t’u afruar me PD-në. Personalisht, do ta përshëndesja pa mëdyshje deklarimin e zotit Zogaj, si një reflektim. Është e vërtetë se kontributet e tij në PD nuk mund t’i mohojë kush, ndaj edhe e besoj çiltas se ndien nostalgji për të kaluarën. Mirëpo, nuk janë më pak të njohura kontributet që ka dhënë drejtpërdrejt ose tërthorazi edhe në PS. Le të kujtojmë angazhimin e zotit Preç si gazetar në përgatitjen e trazirave të 1997-s ose në demonstratën grusht-shteti të 21 janarit. Nga ana tjetër, nuk është shuar ende jehona e Konventës së Partisë Socialiste për paraqitjen e programit të saj elektoral. Zoti Zogaj është hartues i pjesës të programit “Rilindja” që lidhet me resurset detare e turistike. Bukur fort. Duhet përshëndetur, si prurje e re në pasurimin e përvojave elektorale. Megjithatë, pa hyrë në detaje, sepse është një fushë krejt e panjohur për mua, do të dëshiroja të dija për çka i ka kërkuar sqarime liderit socialist: garanci që të hyjë në Parlament apo për çështje që lidhen me pjesën e programit që ka hartuar?
Zogaj mendon se, që të rikthehet tek e djathta, nuk shtrohet çështja për t’u ftuar në kuptimin protokollar të fjalës. Sipas tij, “sa kohë që dera është e hapur, ftesat janë pa sens”. Duke pasur parasysh nivelin intelektual të zotit Zogaj, e kam të vështirë të besoj se ai i konsideron partitë dhe koalicionet partiake si me qenë Hani me dy Porta. Duke pasur në gjirin e tyre përfaqësues të botës akademike, partitë kanë edhe militantë, të cilët zor se bashkohen me mendime liberale kësisoj. Dhe të mos harrojmë: vota e një militanti vlen po aq sa edhe ajo e një intelektuali. Ç’ vlerë do të kishte hyrja e një intelektuali nga njëra portë e Hanit, dhe dalja e një militanti nga porta tjetër?
Lidhur me sa më lart, Zogaj mendon se “vendimi për t’u bashkuar apo ribashkuar me një parti është një çështje e bindjeve politike dhe njëherësh e vlerësimit të gjendjes, e stadit të demokracisë së brendshme”. Mirëpo bindjet politike nuk janë mallra tregu që shiten e blihen sipas kërkesë-ofertës. Ato janë pjesë e formimit të individit në vite, jo në vartësi të konjukturave të çastit. Është e vërtetë se, si intelektual i spikatur, Eduard Selami u rikthye në Shqipëri për të mbështetur me personalitetin e tij Partinë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme. Është po aq e vërtetë që PD-ja ka nevojë për kontributin intelektual të themeluesve të saj, përfshi edhe zotin Zogaj. Por, s’duhet harruar se Selami nuk e braktisi asnjë çast partinë, themelues dhe drejtues i së cilës ishte, nuk shfreu asnjë mllef a mbetje qejfi nda saj dhe Dr. Berishës. Sikur të pranonim një rikthim të hipotetik të Preç Zogajt në PD, ç’garanci do të kishin militantët e saj se ai nuk do turrej pas erës së pushtetit në një edicion tjetër zgjedhjesh?
Gjithsesi, për nivelin e tij intelektual dhe për bindjet demokratike, të cilat nuk mund të vihen në dyshim, s’ma do zemra ta fus zotin Zogaj në kategorinë e minjve që po ndiejnë mbytjen e anijes “Rilindja”. Mirëpo shqetësimi i minjve tashmë është fakt i pamohueshëm, kurse reflektimi i zotit Zogaj, për fat të keq, vjen në një kohë të papërshtatshme. Nëse ai dëshiron të distancohet njëherësh edhe prej minjve, edhe prej drejtuesit me shkop në dorë, mund ta japë kontributin e tij në fushat akademike, pa iu qasur hë për hë politikës, e cila, sipas meje, më shumë e ka dëmtuar, sesa e ka ngritur. Një pozicion jashtë politikës do të ishte më me vlerë, si për të, ashtu edhe  për vendin e për proceset demokratike.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›