E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ortodoksët: Françesku, “dhuratë e Zotit”. Kishat e Reformuara: “Gëzimi i Tij jep shpresë”

26-03-2013 / Gazeta 55

Është ende e fortë jehona e fjalëve të Papës Françesku drejtuar përfaqësuesve të Kishave dhe të Bashkësive kishtare, të popullit hebraik dhe të feve të tjera. Papa ripohoi dëshirën për të vijuar ecjen në udhën e dialogut, të përgjegjësisë ndaj tjetrit e të nevojës për të punuar së bashku për pajtim e paqe. Ndërsa në fillim të takimit, Patriku ekumenik ortodoks, Bartolomeu I, pati shprehur të njëjtën gatishmëri për të ecur së bashku. Në mikrofonin e Radio Vatikanit, flet Metropoliti Zervos Gennadios, kryeipeshkëv ortodoks i Patriarkanës ekumenike të Italisë dhe të Maltës: “Patriku Bartolomeu e nënvizoi shumë problemin e madh të unitetit, vuri në dukje se Kishat duhet të ecin së bashku, të bashkëpunojnë për realizimin e vullnetit të Zotit, domethënë, që të gjithë “të jenë një gjë e vetme. Nuk është hera e parë, që Patriku flet për një Kishë të varfër, që kujton se duhet t’i ndihmojmë të vegjlit e se duhet të jemi pranë tyre, të gjithë së bashku, për t’u dhënë shpirt, dashuri, paqe.
Cila është përshtypja juaj dhe e përfaqësuesve të tjerë ortodoksë, për Papën Françesku?
Besoj se Papa Françesku duhet të jetë njeri i mrekullueshëm. Personalitet i dërguar nga Zoti. Gëzimi i tij, përvuajtëria, thjeshtësia, gatishmëria, të gjitha këto gjëra, këto karizma, na lanë mbresa të thella. Jemi të sigurtë se Zoti do ta ndihmojë e do ta bëjë të ecë në të njëjtën udhë: në udhën e unitetit, të pajtimit, të vëllazërimit, të paqes e të bashkimit të të krishterëve.
Kur Papa shpjegoi pse e zgjodhi emrin Françesk, kujtoi varfërinë, kujtoi Françeskun, si njeri i paqes, e edhe si mbrojtës i krijimit. Kjo është një temë, që Kisha ortodokse dhe Bartolomeu I e kanë shumë për zemër.
Po, e quajnë edhe “patriku i gjelbër”. Ai është protagonist i madh i mbrojtjes së gjithësisë. Ka organizuar shumë simpoziume, shumë takime, shumë kongrese ndërkombëtare mbi gjithçka krijoi Zoti. Ka bërë edhe shumë udhëtime për të folur për Krijimin. E jo vetëm: u ka bërë thirrje edhe kishave e konfesioneve të tjera të krishtera e, posaçërisht, Kishës katolike romake që t’i pranojnë përgjegjësitë e tyre.
Atëherë mund të themi se ky theksim i Papës Françesku ju kënaq…
Kjo është dhuratë e Zotit: emri Françesk, që zgjodhi, përmbledh gjithçka: thjeshtësi, përvuajtëri, mirësi, paqe, qetësi, gatishmëri, flijim. Dashuria për Krijimin e krijesën është diçka e mrekullueshme, vërtet. E pastaj jo vetëm emri, por edhe personaliteti i Papës: shpresojmë se gjatë misionit të tij do të bëhen punë të nevojshme për njeriun, për gjithësinë, për paqen, drejtësinë, të drejtat e njeriut. Unë e përshëndeta Papën: më paraqiti Shenjtëria e Tij, Bartolomeu. Ishte diçka shumë e bukur; ai foli me mua si atë, si vëlla. E kjo afërsi, kjo karizmë që ka kur komunikon me të afërmin, është dhanti e madhe. Jam i kënaqur, shumë i kënaqur. E do të lutem gjithnjë për shëndetin e tij e për misionin e tij të jashtëzakonshëm.
Po, si po e jetojnë fillimin e papnisë së Papës Françesku, Kishat e Reformuara? Në mikrofonin e Radio Vatikanit flet edhe pastori Setri Nyomi, sekretar i përgjithshëm i Bashkimit Botëror të Kishave të Reformuara: “Edhe Kishat e Reformuara marrin pjesë në gëzimin e këtij çasti fatlum të Kishës katolike romake për fillimin e papnisë së Papës Françesku. Inkurajohemi sidomos, nga mënyra si iu paraqit Kishës, që ka nevojë të bëhet gjithnjë më shumë kujdestare e dhuratave të Zotit, por edhe nga përvuajtëria, me të cilën e nisi papninë, na jep shpresë, sepse pikërisht ai erdhi të na prijë në këtë çast. Ne e pranojmë si prijës botëror, për të cilin duam të lutemi e t’i qëndrojmë pranë.
Një përshtypje pozitive shpreh edhe Linda Bond, gjenerale e Ushtrisë së Shpëtimit, pjesë e Kishës Kristiane botërore: “I përkas Ushtrisë së Shpëtimit e përshtypja ime e parë është jashtëzakonisht pozitive. Ai po thotë të gjitha gjërat, në të cilat beson Ushtria e Shpëtimit e që i kemi shumë për zemër”.
Ç’impuls parashikoni se mund të vijë edhe përmes punës së tij?
Më frymëzon shumë përkushtimi i Papës për jetën e thjeshtë. Më frymëzon fakti se ai dëshiron të bëhet interpretues i njerëzve të shtypur, e jam shumë, shumë e kënaqur që Papa dëshiron të jetë pranë njerëzve. Besoj se në shekullin XXI për Kishën këto janë vlerat më të rëndësishme, që duhet të ketë një prijës botëror.
Mund të nënvizoni një aspekt, një fjalë, që ju nxit më shumë?
Përvujtëria!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›