Rifillojnë fluturimet në Evropë
Në Europë kanë filluar gradualisht fluturimet, pas gati një javë paralize të shkaktuar nga hiri i një vullkani që shpërtheu në Islandë.
Mbrëmë vonë, aeroplanët e parë u ulën në Heathrow të Londres, që është aeroporti me qarkullimin më të dendur në Europë.
Shefja e Zyrës së Aviacionit Civil të Britanisë, Deirdre Hutton, tha se Britania nuk përfshihet më në listën e zonave ku kufizohen fluturimet.
Hapen aeroportet britanike
"Sipas udhëzimit të fundit, fillimi gradual i fluturimeve u lejua që nga ora 22 e së martës në pjesën më të madhe të hapësirës ajrore në Britani që ishte mbyllur për shkak të hirit vullkanik. Do të ketë ende zona ku ndalohet fluturimi për shkak të densitetit të lartë të hirit, por ato do të jenë shumë më të kufizuara se deri tani", tha Shefja e Zyrës së Aviacionit Civil të Britanisë, Deirdre Hutton.
Fluturime kanë filluar edhe nga Franca, Belgjika dhe Holanda, por kufizimet ende vazhdojnë në disa vende të Europës.
Kthim gradual në normalitet
Gjendja duket se po përmirësohet, por gjatë 6 ditëve të kaluara u anuluan thuajse 100 mijë fluturime dhe do të duhet të kalojnë ditë e ndoshta javë para se gjendja t'i kthehet normalitetit.
Kombet e Bashkuara thonë se do të drejtojnë përpjekjet për zhvillimin e standardeve globale për përcaktimin e rreziqeve të sigurisë të shkaktuara nga hiri vullkanik në ajër.
Organizata e OKB-së e Aviacionit Civil tha se problemet e ditëve të fundit nënkuptonin se kishte nevojë për një rrjet global për përcaktimin e niveleve të sigurisë në mënyrë rutinore.