E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rijetësimi i “Asllan Rusit”, Kokona: Arenë shumëfunksionëshe prej 6000 vendesh

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Në Tiranë u çel sot konkursi ndërkombëtar për rijetësimin e pallatit të sporteve “Asllan Rusi”, një hapësirë simbol për historinë e sportit shqiptar dhe jetën qytetare të kryeqytetit. Në konkurs janë gjashtë skuadra finaliste të cilat prezantojnë për jurinë projekt-idetë arkitekturore.

Në këtë ceremoni morën pjesë Kryeministri Edi Rama, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, arkitektë, urbanistë, sipërmarrës, përfaqësues të sportit dhe anëtarë të jurisë prestigjioze ndërkombëtare.

Drejtoresha e Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC), Elira Kokona theksoi se ky projekt shënon një kapitull të ri për “Asllan Rusin”, që do të transformohet nga një objekt historik, në një arenë moderne, multifunksionale, me standarde ndërkombëtare.

Kokona tha se, projekti synon të ndërtojë një pallat sporti me 13.500 m² sipërfaqe ndërtimi mbi tokë (nga 5000 m² aktualisht). Kapacitet maksimal prej 6000 vendesh, me 2500 m² hapësira të jashtme të dedikuara për aktivitete sportive dhe 12.500 m² parkim publik.

Sipas Kokonës, sporti po shndërrohet në një motor zhvillimi urban, ekonomik dhe social, dhe investimi në infrastrukturën sportive është investim në energjinë qytetare të brezave të rinj. Pallati i ri do të ofrojë hapësira të përshtatura për një gamë të gjerë sportesh: basketboll, volejboll, hendboll, gjimnastikë, boks, taekwondo, pingpong, peshëngritje dhe mundje.

Gjatë fjalës së saj, Kokona informoi se, konkursi është realizuar me mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe është dizenjuar si një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, ku nga 10 projekte janë përzgjedhur 6 finalistë, të cilët do të vlerësohen nga një juri ndërkombëtare me ekspertizë të lartë në arkitekturë, urbanistikë dhe sport.

Drejtoresha e AIC-së vuri në dukje se, “në thelb të misionit të Korporatës së Investimeve Shqiptare qëndron ideja e transformimit të pasurive shtetërore në motorë zhvillimi shumë dimensional; në qendra që gjenerojnë jetë ekonomike, jetë sociale e kulturore”. Në këtë rrugëtim, vijoi ajo, një rol vendimtar ka pasur vizioni i Kryeministrit Edi Rama për një Shqipëri që transformohet, zhvillohet e europianizohet hap pas hapi dhe pa ndalur ku sporti, kultura dhe infrastruktura moderne janë të ndërthurura në funksion të zhvillimit kombëtar.

“Në dekadën e fundit, falë këtij vizioni, vendi ynë ka përjetuar një ringjallje urbane, që e ka kthyer çdo qytet në një hapësirë të gjallë e të bukur, ku arti dhe sporti janë bërë pjesë e jetës së përditshme”, tha Kokona.

Elira Kokona përmbylli fjalën e saj duke shprehur bindjen se “projekti fitues do të mishërojë më së miri balancën midis trashëgimisë dhe modernitetit, duke e kthyer këtë arenë në një pikë referimi për Tiranën dhe rajonin”.

Konkursi për rilindjen e “Asllan Rusi” – Foto Andrin Hoxha 1 nga 22

/e.xh//r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›