E Diel, 1 Nëntor 2026

Rijetësimi i Kullave, Goxhobelli: 697 të identifikuara në vend, 15 prej tyre në proces formalizimi në Theth

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ – Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, deklaroi sot nga Thethi se procesi i rijetësimit të kullave po vijon në të gjithë vendin. Sipas saj, deri tani janë identifikuar 697 kulla të vjetra, ndërsa në Theth janë identifikuar 15, të cilat janë në proces formalizimi dhe pajisjeje me tituj pronësie.

E pranishme në takimin që Kryeministri Edi Rama zhvilloi me banorët e Thethit, Goxhobelli tha se procesi për rijetësimin e kullave po zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencinë Gjermane për Zhvillim.

“Aktualisht jemi në një projekt, së bashku me Ministrinë e Turizmit dhe Agjencinë Gjermane për Zhvillim. Kemi identifikuar 697 kulla të vjetra dhe po vijojmë procesin e plotësimit të titujve të pronësisë. Toka është një nga komponentët e Paketës së Maleve, por edhe kullat duhet të pajisen me titull pronësie. Në Theth janë identifikuar 15 kulla, të cilat po kalojnë procesin e formalizimit dhe pajisjes me tituj pronësie. Ndërkohë, Drejtoria Vendore e ASHK-së në Shkodër po shqyrton 194 kërkesa për pajisje me tituj pronësie në territorin e Bashkisë Shkodër”, tha Goxhobelli.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›