Riker-Maqedonisë: Zgjidh kontestin e emrit

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Riker pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, në kuadër të vizitës së tij në Shkup ka lëshuar porosi të qarta ndaj maqedonasve: “Të zgjidhet çështja e emrit, më pas vjen NATO”.
I pyetur nga gazetarët nëse Maqedonia është ose jo në axhendën e samitit të radhës së NATO-s, Riker ka deklaruar se kjo varet nga aktivitetet e autoriteteve të Maqedonisë, nëse do të shënojnë progres në zgjidhjen e kontestit me Greqinë.
“Maqedonia është në axhendën e NATO-s prej një kohe të gjatë. Siç e dini, në Bukuresht, është thënë qartë se Maqedonia do të marrë ftesë për t`u anëtarësuar në Aleancë sapo dy vendet fqinje (Maqedonia dhe Greqia) të arrijnë marrëveshje për të tejkaluar debatet rreth kontestit për çështjen e emrit”, ka deklaruar Riker.
Sipas Athinës zyrtare, emri i Maqedonisë përkon me emrin e rajonit që ndodhet në Greqinë veriore, ndaj edhe komuniteti ndërkombëtar ka krijuar një emër të përkohshëm për të që është: Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë apo IRJM.
Gjatë qëndrimit në Shkup, Riker është takuar dhe me presidentin e këtij vendi, shefin e diplomacisë maqedonase, si dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë.