Riker: Të zbatohet ligji i organizatave fetare në Maqedoni
Ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker, u shpreh i shqetësuar për mungesën e implementimit të ligjit mbi organizatat fetare në Maqedoni, në nivelet më të larta të qeverisë. "Ne në Ambasadë dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara e monitorojmë nga afër statusin e organizatave fetare në Maqedoni. Një vit më parë, unë e kam përshkruar ligjin mbi organizatat fetare në Maqedoni si model për regjionin, kur bëra fjalimin tim para Senatit të Shteteve të Bashkuara. Gjatë vitit të kaluar ne e kemi bërë të qartë shqetësimin tonë, për mungesën e implementimit të ligjit, në nivelet më të larta të qeverisë. Ky është një ligj shumë i mirë, por duhet të implementohet në fjalë dhe vepra", theksoi Riker pas një takimi me Kryesuesin e Komunitetit Bektashian në Maqedoni, Baba Edmond Brahimaj. Sipas tij, kjo mungesë e implementimit është duke i goditur edhe grupet tjera fetare, duke përfshirë edhe grupet nga Shtetet e Bashkuara që kanë qenë prezente dhe kanë kontribuar për Maqedoninë për shumë vite. "Një mungesë e vazhdueshme e regjistrimit dhe e implementimit të ligjit mund të tërheqë vëmendjen e Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Shqetësimet tona i kemi bërë publike në Raportin tonë vjetorë për të Drejtat e Njeriut dhe në fund të vitit gjithashtu do të paraqiten në Raportin për Liritë Fetare që është i mandatuar nga Kongresi amerikan'', theksoi Riker.