Riker rikthehet në Shkup për 10 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit

Ish-ambasadori amerikan Filip Riker rikthehet sërish në Maqedoni, këtë herë për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për 10 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit.
Riker ka marrë detyrën e re të zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan për Evropën dhe Azinë, që deri tani është ushtruar nga Tomas Kantrimen.
Zyrtari i lartë amerikan, Filip Riker pritet të mbërrijë të premten në Ohër, për të qenë pjesë e Konferencës ndërkombëtare për shënimin e 10 vjetorit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit.
Përveç Rikerit, pritet edhe pjesëmarrja e diplomatëve të tjerë amerikan, në mesin e tyre, edhe Xhemjs Perdju, si një nga negociatorët për arritjen e marrëveshjes së paqes të vitit 2001, si dhe ndërmjetësi i BE-së, diplomati Alen Leroa.
Në konferencën dyditore do të debatohet lidhur me Marrëveshjen e Ohrit, arritjet dhe perspektivat e saj. Mungesën në këtë konferencë e kanë paralajmëruar dy nënshkruesit e saj, ish-lideri i PDSH-së Arbër Xhaferi si dhe ish-kryeministri dhe ish-lideri i VMRO-DPMNE, Lubço Georgievski.
Këtij 10 vjetori do ti mungojnë edhe dy liderët politik të ndjerë, ish-presidenti Boris Trajkovski dhe ish-lideri i PPD-së, Imer Aliu. Në konferencë do të marrin pjesë edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, kreu i LSDM, Branko Cërvenkovski dhe kryetari i VMRO-DPMNE dhe kryeministri Nikolla Gruevski si dhe liderë të partive të tjera politike.