Rikonfirmohet mbështetja shqiptare për Ukrainën, Peleshi takon ambasadorin Shkurov, dekorohet nga Zelensky

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot në Kryesinë e Kuvendit ambasadorin e Ukrainës, Volodymyr Shkurov, në një takim që shërbeu si rikonfirmim i fortë i aleancës mes dy vendeve.
Peleshi theksoi se Shqipëria “ka qenë dhe do të mbetet një aleate e qëndrueshme” e Ukrainës, duke nënvizuar se mbështetja është në mbrojtje të “pavarësisë, sovranitetit dhe vlerave demokratike” të përbashkëta. Ai shtoi se për të, “mbështetja për Ukrainën është mbështetje për paqen, stabilitetin dhe rendin ndërkombëtar” që garanton sigurinë e të gjithëve.
Nderimi nga Presidentit Zelensky
Momenti kulmor i takimit ishte përcjellja personale e një vlerësimi të lartë për Kryetarin e Kuvendit. Ambasadori Shkurov i komunikoi Peleshit nderin e dhënë nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili në vitin 2023 e ka dekoruar me Urdhrin e Princ Jarosllavit të Urtë.
Ky vlerësim vjen me motivacionin “Për kontributin në forcimin e bashkëpunimit mes vendeve tona dhe mbështetjen e Ukrainës në luftën e saj heroike për liri”, duke njohur punën e Peleshit gjatë kohës kur ushtronte detyrën e Ministrit të Mbrojtjes.
Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohje të thellë për këtë nderim dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës në të gjitha platformat ndërkombëtare.
/rtsh.al/