Rikonstruksioni i aksit Maliq–Lozhan i ri–Strelcë, vijon puna me ndërtimin e veprave të artit

Vijon puna për rikonstruksionin e aksit Maliq-Lozhan i Ri-Strelcë, për ta kthyer në një aks me standardet e duhura. Aktualisht po punohet për ndërtimin e veprave të artit, ndërsa ka ngelur ende pa u asfaltuar rreth 6 km rrugë, ndërsa rikonstruksioni do të përfshijë në total 18 km rrugë.
Bëhet fjalë për rrugën nga Ura e Senishtit deri në Strelcë, ku së shpejti pritet të nisë shtrimi i saj me çakëll e stabilizant për të qenë gati për hedhjen e shtresës asfaltike.
“Sipas kontraktorëve të firmës mendohet i gjithë projekti të mbyllet në muajin qershor-korrik dhe të lehtësojë lidhjen e zonave dhe ta kthejë atë në një atraksion turistik të gjithë luginën e kësaj zone”, tha Gëzim Topçiu, kryetar i Bashkisë Maliq.
Banorët që e përshkojnë shpesh këtë aks thonë se ky rikonstruksion ishte i nevojshëm pasi rruga ishte amortizuar.
Ky aks iu nënshtrua rikonstruksionit falë një projekti të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me një fond prej më shumë se 10 mln dollarë, për ta kthyer në një rrugë më të gjitha standardet që ka një aks nacional.
Gazetare: Geralda Sali
/rtsh.al/