E Hënë, 2 Nëntor 2026

AUSTRI – Ish-zëvendëskancelari, Strache përballet me akuza për përvetësim parash

VJENË, 29 tetor /ATSH-DPA/- Ish-zëvendëskancelari i Austrisë, Heinz-Christian Strache, është akuzuar për përvetësim parash.

Zyra e prokurorit publik akuzoi sot 56-vjeçarin se është përpjekur të bëhet përfitues i një pagese të mundshme prej 300,000 eurosh (349,000 dollarë) sipas kushteve të një kontrate të Sigurimit të Jetës gjatë kohës që ai ishte udhëheqës i partisë populiste FPO.

Dega e partisë FPO, në Vjenë kishte marrë një kontratë sigurimi jete 10-vjeçare në vitin 2007 për të ofruar siguri financiare për familjen e udhëheqësit të partisë.

Sipas prokurorisë, familja duhej të merrte një pagesë në rast të vdekjes së tij. Por, nëse ai i mbijetonte një incidenti, dega e FPO-së do të ishte përfituesja.

Strache dyshohet se është përpjekur të ndryshojë kontratën në mënyrë që të merrte pagesën për veten e tij, në rast se mbijetonte.

Aktakuza nuk është ende ligjërisht e detyrueshme.

Nëse dënohet, Strache do të përballet me një dënim me burg midis një deri në 10 vjetësh.

Strache ishte kryetar i partisë së FPO-së për rreth 14 vjet. Nën udhëheqjen e tij, populistët e krahut të djathtë arritën disa suksese spektakolare.

Ai ishte në një qeveri koalicioni nën drejtimin e kancelarit të atëhershëm, Sebastian Kurz në vitin 2017 dhe u bë zëvendëskancelar dhe ministër i Sportit.

Në maj 2019, ai dha dorëheqjen pas të ashtuquajturës çështje të Ibizës. Në një video të regjistruar fshehurazi në ishullin spanjoll të pushimeve, Strache dukej se ishte i përfshirë në korrupsion ndërsa bisedonte me një mbesë të supozuar të një oligarku rus. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›