Qeveria ndëshkon ish-pronarët, legalizon ndërtimet e pas 06
Skandali
Vjen me nxitim në Kuvend ligji, synohen 100 mijë vota ndërtimesh pa leje
500 familjeve u falen banesat: Kryeministri firmosi dje aktin e faljes së banesave për 500 familje, të cilët jetonin prej 20 vitesh në objekte shtetërore industriale (ish-uzina Dinamo, Kombinat, etj.), Tiranë.
Ish-pronarët marrin goditjen e radhës. Në tokat e tyre janë ndërtuar objekte pa leje, por qeveria ka pranuar për hir të votës ti legalizojë, pra tua japë atyre që i zaptuan. Procesi i legalizimeve nisi në vitin 2006, kur në atë kohë u kryen fotografi nga ajri, mbi bazën e të cilave do të identifikoheshin objektet pa leje, dhe si kriter pengues për ndërtimet e reja pas vitit 2006. Tani qeveria ka ndryshuar mendje, pasi kërkon të legalizojë edhe ndërtimet e periudhës së dytë, ndërsa ish-pronarët do të presin për të marrë kompensimin qesharak.
Amendimet e propozuara zhbllokojnë shumë dosje të palegalizuara për shkak të pengesave ligjore, si dhe hapin rrugën për legalizimin e rreth 100 mijë objekteve të tjera pa leje të ndërtuara pas vitit 2006. Por sipas opozitës, i gjithë ky është një blof për qëllime elektorale. Po, është e vërtetë që jemi të detyruar ta spostojmë këtë afat, për shkak se dhe vetë pushteti vendor nuk ka arritur akoma kapacitetet e duhura që të menaxhojë territorin dhe të ndërpresë rrethin vicioz të ndërtimit informal, thotë zëvendësministri i Transporteve, Flamur Kuçi.
Konstatojmë që numri i dosjeve të mundura për t’i shkuar deri në fund procesit të legalizimit, vjen duke u reduktuar, sepse kemi këto barriera. Sjellim sot (dje) pikërisht këtë për të hapur rrugën për përfundimin e procesit të legalizimit për të gjitha ndërtimet informale. E shtyjmë propozimin edhe për ato ndërtime që janë ekzekutuar apo ndërtuar pas ditës së hyrjes në fuqi të ligjit 2006, tha kreu i ALUIZNI-t, Ardian Kollozi. Tetë vjet në qeveri, të vish dy muaj përpara zgjedhjeve, prapë me një amendim duke u premtuar shqiptarëve që do të bëhet legalizimi, ky është një blof me qëllime politike dhe elektorale, thotë deputeti socialist, Eduart Shalsi.
Një nga ndryshimet e debatuara ishte legalizimi i 30 mijë objekteve që janë ndërtuar pranë akseve rrugore kombëtare.
Përllogarisim rreth 30 mijë ndërtime pa leje që penalizohen nga fakti se duhet të ruhet distanca 100 metra nga dy anët e aksit të rrugës. Kemi bërë propozimin t’i referohemi Kodit Rrugor. Reduktohen distancat në 20, 25 dhe 30 metra nga aksi i rrugës, tha Kollozi. Qoftë Durrës-Rrogozhinë, qoftë Durrës-Milot, të gjitha këto akse do të duhet të zgjerohen, por pranë tyre në të gjitha janë bërë ndërtime pa leje. Të gjitha do t’i legalizoni? Nuk do të lini asnjë objekt pa legalizuar, që pastaj shteti të jetë i detyruar që do të shpronësojë dhe më pas situata komplikohet shumë dhe fatura rritet mjaft, tha deputeti Blendi Klosi. Deri tani, 95 mijë dosje kanë marrë lejen e legalizimit, ndërkohë që 74 mijë të tjera janë bërë gati për të marrë këtë leje, nga 270 mijë vetëdeklarime gjithsej.
Qeveria ndëshkon ish-pronarët, legalizon ndërtimet e pas 06 burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email