E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet Natalina Cea me mision antikontrabande

 

Gruaja e hekurt, që u largua nga Shqipëria në vitin 2000 duke lënë pas akuza për korrupsion ministrash, do të drejtojë një mision të ri nga Roma

 

Kur iku nga Shqipëria, më 30 janar 2000, la një bombë të madhe pas. Bombën e një dosjeje kontrabande në përmasa të mëdha, që thuhej se përmendte emra ministrash si krerë organizatash mafioze që importonin mallra të forta, kafe dhe cigare, pa paguar taksa doganore. Dr.Natalina Cea u shpall një heroinë në Itali, në atë kohë. Ajo qe drejtuesja e një misioni europian asistence që luftoi kundër kontrabandës dhe së paku në një rast, zbriti vetë në doganën e Durrësit për të zbuluar dy makina superluksoze që po importoheshin në vend ilegalisht, të fshehura në kontejnerë të mbushur me zarzavate.

Dje në Hotel "Rogner" u prezantua një projekt të ri asistence teknike për doganat dhe tatimet e pesë vendeve europiane, mes të të cilave edhe Shqipëria, projekt që do të drejtohet nga znj.Cea. TACTA, është një projekt ndihme me vlerë 7.1 milionë euro. Projekti i ri do të drejtohet sërish nga znj.Cea, e cila në faqen zyrtare të projektit eu-tacta.org, thotë se do të punojë për të rritur aftësitë funksionale të doganave të pesë vendeve Ballkanike, për të luftuar kontrabandën e krimin e organizuar. Kësaj here, znj.Cea do të drejtojë projektin nga Roma.

Misione të rënda

Asistenca doganore nisi për Shqipërinë në vitin 1994, në kohën e embargos kundër Jugosllavisë. Misioni i Asistencës për Embargon, Sam-Albania u mbyll në vitin 1996, kur OKB e hoqi embargon, duke lënë një zhurmë të madhe pas në lidhje me eksportet ilegale të Shqipërisë për në ish-Jugosllavi. Misioni i ri, CAM-Albania, qe një nismë italiane. E drejtuar nga znj.Cea, misioni organizoi sistemin doganor shqiptar pas shkatërrimit të vitit 1997, hartoi Kodin e ri Doganor që hyri në fuqi në 1998 dhe u mbyll me sherr mes znj.Cea dhe politikës shqiptare. Znj.Cea deklaroi në shumë raste se gjatë punës së saj kishte marrë kërcënime serioze, "zyrtarët me të cilët flisja, më bënin të qartë se dinin gjithçka mbi jetën time",- deklaronte ajo në media, në vitin 2000.

Në janar të atij viti, dha dorëheqjen. Deklaroi se nuk qe në gjendje të vijonte punën në një klimë të tillë, ku politika nuk dallohej nga kontrabandistët e cigareve. Vijoi një krizë e fortë diplomatike mes Tiranës dhe Italisë. Pas kuintave deklarohej se në Shqipëri nuk po diskutohej thjeshtë kontrabanda, por edhe roli i Italisë si investitore strategjike në vendin tonë. Në Senatin italian u mbajt një seancë e posaçme. Znj.Cea deklaroi se kontrabanda shqiptare drejtohej nga ministra. Deklaroi gjithashtu se kishte dosje të plotësuara për këtë gjë, por këto mbetën vetëm deklarata politike. Senatorët italianë u shprehën me zemërim. Njëri prej tyre deklaroi: "Do t'i thyejmë brinjët Tiranës zyrtare!". Cea deklaroi se kishte dërguar në Bruksel dosjen e kontrabandës. Në fakt, asgjë nuk ndodhi.

Kërcënimet mbetën thjeshtë kërcënime. Media italiane u mbush me lajme mbi "mafian shqiptare". Po në atë vit, revista italiane "Panorama" përmendte të gjithë politikanët shqiptarë të kohës e të shkuar si kryemafiozë. Revista "Limes Geopolitica", e futi Shqipërinë në listën e "shteteve mafia".

U deshën tre vite e gjysmë, si dhe ardhja në pushtet e Silvio Berlusconit që marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë të fillonin të përmirësoheshin. Znj.Cea u konsiderua një heroinë në Itali dhe po aq heroinë edhe për shqiptarët. Shumica e panë punën e znj.Cea, si një shans i humbur në luftën kundër krimit.

Me kalimin e kohës, situata u qetësua. Misioni që dikur qe pothuaj çdo ditë në faqet e gazetave shqiptare, Cam-Albania, vijoi të punonte në qetësi dhe nuk përbënte më kurrë lajm për gazetat. Drejtuesit e saj dilnin shumë rrallë në publik dhe flisnin shumë keq anglisht.

Znj.Cea vjen në Shqipëri, në një kohë kur marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë duken shumë të ngrohta. Interesi italian për Shqipërinë është shtuar ndjeshëm, veçanërisht në fushën energjetike. Misioni TACTA do të ketë për detyrë të reformojë sistemin doganor dhe tatimor, të përmirësojë klimën e biznesit përmes zbatimit të Kodit të Sjelljes së Mirë në Taksa, si dhe të "përafrojë" sistemin e taksave direkte e indirekte me normat e Bashkimit Europian. Shkurt, do të jetë një mision që synon të krijojë mbështetje legjislative për investitorët. Ndoshta misioni i radhës i znj.Cea do të jetë më pak spektakolar se ai i pari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›