E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Rrugët dytësore, 99% në gjendje të mjerueshme

 

 

Banka Botërore bën të ditur se për të mirëmbajtur dhe financuar rrugët rurale duhen 400 mln dollarë

Situata e rrugëve në Shqipëri, sipas Bankës Botërore paraqitet e mjerueshme dhe veçanërisht përsa i përket rrugëve dytësore lokale. Përfaqësuesi i BB për Evropën - Juglindore, Martin Hamphreys ka bërë të ditur se, "ky është vetëm fillimi i këtij procesi të gjatë dhe ne donatorët do ta ndihmonim në arritjen e këtij objektivi afatgjatë". Përsa i përket projektit të rrjetit të rrugëve dytësore, një studim i fundit i BB tregon se 99% e këtij rrjeti është ose në kushte të këqija, ose në kushte shumë të këqija. Kontributi i një rrjeti rrugësh të tilla për të zhvilluar bujqësinë dhe rëndësia që ka bujqësia për PBB për zhvillimin ekonomik të vendit dhe uljen e varfërisë, nënvizon rëndësinë që ka përmirësimi sa më i shpejtë i rrjetit të rrugëve sekondare dhe lokale, thuhet në studimin e BB-së. "Ne kemi kënaqësinë të ndihmojmë qeverinë e Shqipërisë në këtë aspekt, si dhe të përpilojmë një program për të harmonizuar punën e të gjithë donatorëve, për të rindërtuar një rrjet rrugësh dytësore e lokale, duke filluar nga 1000-1500 km, me një kosto totale që varion nga 200 deri në 400 milionë USD. Banka Botërore, së bashku me Fondin "Opec" do fillojë të kontribuojë me një fond prej 35 milionë USD dhe së bashku me qeverinë, nga java që vjen do të fillojnë negociatat. Presim që punimet civile për zbatimin e këtij projekti të fillojnë nga fundi i muajit Korrik 2008 për disa segmente rrugore",- tha përfaqësuesi i BB.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›