E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësimet në Gërdec, 5 komisionerë nën hetim

 

Prokuroria e Tiranës nis hetimet për vlerësuesit e dëmeve në Gërdec

TIRANË- Mbi 1000 ankesat e banorëve të Gërdecit për vlerësimet e banesave të tyre të rrënuara kanë detyruar prokurorinë të nisin një tjetër hetim paralel për këtë çështje. Abuzimet me detyrën, por edhe ankesat e banorëve kanë detyruar Prokurorinë e Tiranës të hapë hetimet për Komisionin e Vlerësimit të Dëmeve, të shkaktuara nga tragjedia e 15 marsit. Burime zyrtare të prokurorisë së kryeqytetit, kanë bërë të ditur se kanë nisur hetimet mbi 5 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Dëmeve në fshatin Gërdec. Sipas grupit të hetimit, anëtarët e komisionit dyshohen se kanë abuzuar me detyrën, gjatë procesit të verifikimit dhe vlerësimit të dëmeve materiale që kanë pësuar banorët e fshatit Gërdec. Po sipas të njëjtave burime thuhet se pesë anëtarët e komisionit të vlerësimit dyshohen se, në dy raste i kanë dhënë dy herë para` të njëjtit person, ndërkohë që ka raste të tjera kur të dëmtuarit janë përjashtuar nga dëmshpërblimi. Burime të prokurorisë thonë se të pestë anëtarët e komisionit të vlerësimit po ndiqen në gjendje të lirë, ndërkohë që po mbikëqyret i gjithë procesi i vlerësimit në fshatrat Gërdec dhe Marqinet. Ankesat e më shumë se 1 mijë banorë të Gërdecit, që kundërshtojnë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i fabrikës së vdekjes, është bërë shkak që prokuroria e kryeqytetit të nisë hetimet për abuzimet e komisionerëve. Sipas banorëve, nëpër dokumente rezulton që pjesa më e madhe e materialeve të shkatërruara nuk janë përfshirë në listën e dëmshpërblimit. Kujtim Gërdeci ka qenë një ndër banorët që ka denoncuar për gazetën "Shekulli" abuzimet e komisionerëve me dokumentacionet e përfitimit të dëmshpërblimit nga shkatërrimi i banesës së tij, gjatë shpërthimeve të ndodhura. Megjithëse banorit të fshatit Gërdec i janë shkatërruar krejtësisht shtëpia dykatëshe dhe gjithçka që ka pasur brenda saj, komisioni i vlerësimit ka përcaktuar një vlerë prej 1 milionë lekësh si dëmshpërblim.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›