E Martë, 3 Nëntor 2026

Trashëgimia etnokulturore – Vlerësohet Koço Vasili, drejtuesi i ansamblit “Lunxhëria”

Për kontribut të shquar në mbledhjen dhe prezantimin e trashëgimisë etnokulturore të zonës, si udhëheqës i shoqatës kulturore dhe ansamblit “Lunxhëria”, u vlerësua pak ditë më parë nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale, Koço Vasili.

Certifikata iu dorëzua gjatë edicionit të gjashtë të takimit të shoqatave kulturore, që u mbajt në Kavajë.

Për Vasilin, ky vlerësim është një shtysë më tepër për vazhdimin e një pune mbipesëdhjetëvjeçare në fushën e folklorit.

“U ndieva mirë jo se e mora unë atë certifikatë. U ndjeva mirë, se Qendra Kombëtare Folklorike bëri vlerësimin e gjithë folklorit dhe punës që bëhet në rrethin e Gjirokastrës. Vlerësime të tilla janë një shprehje e punës që ke bërë dhe çfarë duhet të bësh. Pra akoma duhet punuar që tradita, kultura, folklori jo vetëm të zhvillohet, por të transmetohet sa më mirë në brezat e rinj,” u shpreh z. Vasili.

Etnofolkloristi Koço Vasili, ndërsa drejton për mbi 5 dekada ansamblin “Lunxhëria” po bën një punë të shkëlqyer për përcjelljen e traditave te brezi i ri.

Vasili është edhe autor i dy librave në fushën e folklorit: “Dasma lunxhiote” dhe “Bukuritë lunxhiote”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›