E Martë, 3 Nëntor 2026

Rikthehet bora në Shkodër, stuhia rrëzon pishat shumëvjeçare në Gjirokastër

Në zonat malore të qarkut të Shkodrës janë rikthyer reshjet e borës. Në aksin Bogë-Theth mjetet borëpastruese po punojnë për pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës. Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se qarkullimi kryhet pa probleme. 

Reshjet e borës janë rikthyer në territorin e qarkut Shkodër. Në lartësinë mbi 1000 metër, në aksin Bogë–Theth, reshjet nisën mëngjesin e kësaj të diele me intensitet mesatar. Mjetet borëpastruese po punojnë për pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se qarkullimi kryhet pa probleme, megjithatë apelon drejtuesit e automjeteve të bëjnë kujdes, të cilët shkojnë drejt Thethit për të kaluar fundjavën pa goma dimri apo edhe pa zinxhirë.

Për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore. Rruga e Vermoshit drejt Malësisë së Madhe dhe aksi në Qafë-Thore që lidh Shkodrën me Dukagjinin janë më problematikat sa i përket reshjeve të borës por deri më tani nuk kanë shfaqur probleme pasi janë mbajtur të hapura.

Ndërkohë Prefektura është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë drejtuesit e bashkive të qarkut dhe strukturave të Emergjencat Civile, për marrjen e informacionit për çdo problematikë që mund të shfaqet në këto zona. 

Problematika në qarkun e Gjirokastrës

Moti i keq i shoqëruar edhe me erëra të forta mesditën e së dielës është shoqëruar me disa problematika në qarkun e Gjirokastrës.

Probleme ka pasur në aksin kombëtar “Ura e Leklit-Këlcyrë”, ku rrëzimi i disa pishave shumëvjeçare mbi trasenë e rrugës në “Ujin e Zi” ka bllokuar për rreth 40 minuta qarkullimin e mjeteve në drejtim të zonës së Përmetit.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur punonjësit e zjarrfikëses, policisë rrugore dhe të autoritetit rrugor, duke bërë të mundur edhe largimin e pemëve.

Aktualisht situata është normalizuar dhe qarkullimi vijon normalisht.

Gazetar: Mirsad Rakaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›