E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet festivali ambiental

Për herë të katërt, në qytetin e Podujevës janë ngritur perdet e festivalit teatror ambiental - Teatri Ndryshe. Hapja e edicionit të sivjetmë është bërë në ambient të hapur, në qendrës së qytetit, me një valle koreografike të punuar nga koreografi Haki Mulliqi. Në hapje, nikoqiri i ngjarjes, kryebashkiaku Agim Veliu premtoi se brenda këtij viti do të iniciojë themelimin e teatrit profesional të qytetit.

Të parët që, të dielën, hapën perden e pritjes së madhe në teatrin e qytetit të Podujevës ishin anëtarët e trupës së Teatrit Metropol (Tiranë), me shfaqjen e Spiro Çomorës “Karnavalet Korçës”, në regji të Elma Dorezit, me aktrim të Devi Mukës, Ima Gjoncit, Marsela Lenës, Klodian Hoxhës, Lorenc Kajës, Jonida Çungës e Oriana Camës.

Është ky një projekt mëse serioz, i ndërtuar dhe i ndërthurur me përplot gjetje regjisoriale, në të cilin atmosfera dhe energjia e shtresuar e trupës në përgjithësi e karakterizon një kontekst i pakapërcyeshëm artistik. Aktrimi i veçuar edhe nga rutina - sidomos tri rolet e para, të Devis Mukës, Marsela Lenës e Ima Gjoncit – dhe nga kostumografia, skenografia e nga muzika e vjetër korçare, rezultoi me një shfaqje që provokoi tejmase audiencën e shumtë që ndoqi këtë ngjarje teatrore, e cila tashmë ka marr vizën rrugëtim një festivali me shenja orientuese.

Në konceptin e saj ideor, shfaqja bartte rrjedhën e një jete periferike në qytetin e Korçës në një kohë të vjetër, ku Tirana është ajo që gjithmonë ëndërrohet.

Si rrjedhojë, nuk mbetej asnjë mashkull i hairit për unazat e femrave të atij rrethi, që ngelin viktima të një jete e mentaliteti të tillë. Rrjedhimisht, interesi për një dhëndëri të improvizuar do të nxjerr në pah ndërskëmcat, batutat, thyerjet, mblesëritë, por edhe dinamikën, harmoninë, marrëdhëniet dhe një atmosferë të theksuar, bashkë me një diksion e humor të ngjeshur me shije të hidhur dhe me kthesa të shumta përgjatë rrjedhës dramatike e dramaturgjike. Figurat groteske, të ngjizura me maska karnavalesh e me veshje tipike të një mendësie të tillë, që nga pushteti dhe pangopësia e barkut të qeverisë e deri te dashuria e damkosur e një mentaliteti përbrenda një molle të bukur si ngjyrë, mbesin njëlloj konstrukti fizik, por të brumosur me krimba në zemrën e unitetit kurrizor të një familjeje të shthurur.

Pra, komedia prek vetë thelbin e familjes dhe shoqërisë, brenda një oaze thelbësore siç mund të jetë molla. Nga ana tjetër, shohim se deri ku mund të çoj sherri i asaj molle një brumë familjar dhe përtej familjar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›