Rikthehet filmi në kinemanë e Pejës

Kinemaja e Pejës "Jusuf Gërvalla", edhe pse është kinemaja më e madhe në Kosovë, pas kinemave të Prishtinës, që nga paslufta nuk ka pasur aktivitete të rregullta, aty janë shfaqur vetëm një numër shumë i vogël filmash dhe kjo ka ndikuar në amortizimin e kinos si dhe humbjen e interesimit të shikuesve të filmit.
Mirëpo kësaj radhe, sipas drejtuesve të kulturës së komunës së Pejës do të rikthehet gjallëria në kinema dhe do të servohen filmat më të ri që vijnë në Kosovë.
Shpresa Gjonbalaj, drejtoreshë e Drejtoratit për Kulturë, Rini e Sport, ka thënë për KosovaPress se komuna ka investuar në renovimin e sallës së kinemasë, po ashtu edhe ka kontraktuar një kompani për shfaqjen e filmave më të ri në Kosovë.
"Ne kemi nënshkruar kontratë me kompaninë ‘Genci’, e cila për fat të keq është edhe e vetmja kompani për shfaqjen e filmave në Kosovë, kostoja për një film është 200 euro, kështu që menjëherë pas shfaqjes së filmave më të ri në kinematë e Prishtinës, të njëjtët filma do të barten menjëherë në kinemanë e Pejës, dhe shpresojmë që t'i ofrojmë publikut pejan filma vërtet cilësorë dhe ekskluziv", u shpreh Gjonbalaj.
Ndërsa menaxherja e kinemasë Fransika Maloku tregoi se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe rikthimi i filmave në kino-teatrin "Jusuf Gërvalla" do të nisë të premten më datë 6 prill.
"Filmi i parë që do të shfaqet është filmi "Mission Impossible", që është një film aksion dhe aventurë, në këtë film luajnë aktorë të famshëm botëror, andaj shpresoj që edhe interesimi i shikuesve do të jetë i kënaqshëm", ka thënë Maloku.
Ndryshe filmi "Mission Impossible" do të nisë të shfaqet sot (e premte) në dy termine nga ora 18:00 dhe nga ora 20:00, ndërsa bileta do të kushtojë 2 euro.