E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rihapet gjykimi për 9/11

Trurët e supozuar të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA, do të nxirren para gjyqit special ushtarak në Guantanamo. Procesi do të duhej të fillonte brenda disa muajsh.

Procesi kundër pesë të dyshuarve për sulmet në New York dhe Washington, në mesin e të cilëve është dhe njeriu që njihet si planifikuesi kryesor i rrjetit terrorist Al-Qaeda, Khalid Sheik Muhammed, do të transferohen në ndërtesën e gjykatës speciale ushtarake në Guantanamo, në Kubë, ka njoftuar Departamenti amerikan i Mbrojtjes.

Pentagoni ndërkaq nënvizon se, në rast se shpallen fajtorë, të akuzuarit do të dënohen me vdekje.

Të akuzuarit duhet që brenda një afati 30-ditor të shfaqen para gjyqit, ku do t’i lexohet aktakuza, ndërkohë që procesi gjyqësor ndaj tyre do të mund të fillonte tek pas disa muajve. Të dyshuarit për sulmet e 11 shtatorit 2001, përveç tjerash, akuzohen edhe për “planifikimin dhe realizimin” e sulmeve terroriste nëpërmjet aeroplanëve të rrëmbyer të udhëtarëve, ndaj Qendrës Tregtare Botërore, në New York dhe kundër Pentagonit, në Washington. Gjatë këtyre sulmeve, dhe si pasojë e rrëzimit të aeroplanit të tretë, në Pensylvania, jetën e kanë humbur gjithsejtë 2.976 njerëz.

Vendimi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, që procesi gjyqësor të zhvillohet para gjykatës ushtarake, u përshëndet edhe nga Shtëpia e Bardhë. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, thotë se “presidenti dëshiron të jetë i sigurt që përgjegjësit për sulmet në New York dhe Washington do të bartin pasojat juridike”.

Përveç Sheikut Mohammed, para gjykatës speciale ushtarake në Guantanamo do të përgjigjen edhe të dyshuarit e tjerë: Ramzi Binalshib, Ali Abdel Aziz Ali, Mustafa Ahmed al Musavi dhe Walid bin Atash. Jemenasi Binalshib paraprakisht kishte jetuar në Hamburg (Gjermani) së bashku me Muhammed Atta, i cili gjatë sulmeve të 11 shtatorit mori përsipër drejtimin e njërit prej dy aeroplanëve që goditën Qendrën Tregtare Botërore, në New York.

Në fakt konsiderohet se Binalshib ishte njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërm të Atta’s, në të cilin ky i fundit kishte besim të plotë. Në celulën terroriste të Hamburgut, ai konsiderohej si organizator dhe si “bankier”.

Që të pesë të dyshuarit u arrestuan gjatë periudhës mes viteve 2002 dhe 2003, dhe deri në kohën e transferimit të tyre në Guantanamo, në vitin 2006, ata mbaheshin të mbyllur nëpër burgjet e fshehta të agjencisë amerikane të zbulimit – CIA.

Nga ana tjetër, fillimi i procesit të ri kundër të dyshuarve për planifikim dhe realizim të sulmeve terroriste nënkupton se dëshira e presidentit Obama për mbylljen e Gunatanamos nuk do të realizohet edhe disa kohë.

Tentimi i tretë

Për herë të parë u akuzuan nga një gjykatë tjetër ushtarake, në vitin 2008, dhe atë pikërisht në Guantanamo. Pasi që Barack Obama mori përsipër ushtrimin e funksionit të presidentit të vendit, në fillim të vitit 2009, ky proces u shty. Mes tjerash, një prej shkaqeve ishte edhe premtimi elektoral i presidentit Obama se, pas marrjes së postit të presidentit ai do ta mbyllte burgun kontrovers në Kubë brenda një viti.

Mirëpo, për shkak të kundërshtimeve të mëdha në Kongresin amerikan, kjo gjë nuk u realizua siç ishte paraparë. Në ndërkohë, presidenti Obama planifikoi që të dyshuarit për terrorizëm të gjykoheshin para ndonjë gjykate civile në New York. Por, edhe kjo ide e tij shkaktoi kundërshtime të shumta.

pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, e sipas urdhrit të presidentit të asokohshëm amerikan, George W. Bush, në burgun në Guantanamo u mbyllën shumë pjesëtarë të dyshuar të rrjetit terrorist Al-Qaeda. Me kalimin e kohës burgu në Guantamo u bë subjekt e kritikave të shumta, para së gjithash për shkak të keqtrajtimit dhe maltretimit të të burgosurve që bëheshin atje. Sheiku Mohammed ishte keqtrajtuar disa herë përmes të ashtuquajturit “Waterbodring”. Ish-numri tre i Al-Qaedas ka pranuar se ka marrë pjesë në sulmet terroriste të kësaj organizate.

Ndërkohë, shefi i i tij i dikurshëm, Osam abin Laden, është vrarë më 1 maj të viti 2011, gjatë një aksioni të forcave speciale ushtarake amerikane ndaj strehimores së tij në Pakistan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›