Rikthehet në Podgoricë

Podgorica ngacmon kujtime të hidhura për sulmuesin anglez Wayne Rooney, i cili u vendos në qendër të polemikave për shkak të një gjesti josportiv që i kushtoi edhe kartonin e kuq në takimin ndaj Malit të Zi, ndeshje që u mbyll në barazim 2-2. Ja ku jemi dy vjet më pas, në një tjetër përballje për kreun e grupit, ku ballkanasit vijnë si skuadra kryesuese pas atij suksesi 1-0 në transfertën e Moldavisë. Nga ana tjetër, Anglia kërkon të dalë me pikë nga kjo transfertë për të mos humbur kontaktet me kundërshtarin direkt që ka grumbulluar dy pikë më shumë.
Joleon Lescott dhe Tom Cleverley janë të bindur se në Podgoricë i pret një atmosferë e nxehtë, por sipas tyre, kjo nuk do të ndikojë në paraqitjen e sulmuesit të Manchester United. Lescot nënvizon se Rooney është një lojtar më i pjekur tashmë dhe ka më shumë eksperiencë mbi supe. Mbrojtësi i Manchester Cityt shton se kombëtarja e Tre Luanëve është e fokusuar maksimalisht te ky takim nga ku kërkon të marrë maksimumin. Në të njëjtën linjë mendon edhe shoku i skuadrës së Rooney, Cleverley, sipas të cilit, sulmuesi nuk do të ndikohet nga ambienti dhe ai dëshiroj të japë gjithë kontributin për ta ndihmuar kombëtaren të dalë fitimtare nga kjo sfidë. Në tetorin e vitit 2011, Rooney u ndëshkua me karton të kuq pas përplasjes fizike me malazezin Miodrag Dzudovic. Në lidhje me këtë episod ka dhënë një mendim edhe trajneri i Anglisë, Rooy Hodgson, i cili u shpreh i bindur se 27 vjeçari e ka hedhur pas krahëve atë episod./Indeksonline/