Rikthim në normalitet pas reshjeve – Nis puna për devijimin e shtratit të Lumit Drojë dhe lidhjen e disa fshatrave

Me uljen e nivelit të prurjeve në lumin Drojë, strukturat e mbrojtjes civile po punojnë për devijimin e shtratit të lumit dhe më pas hapjen e një rruge alternative për banorët e fshatit Shperdhet, ku më shumë se 80 familje janë të izoluar prej më shumë se një jave.
Banorët shprehen se shembja e rrugës i ka vënë në vështirësi të mëdha, pasi aktualisht nuk kanë asnjë mundësi kalimi me automjete.
Në të njëjtën kohë, mjetet e Bashkisë dhe Ushtrisë po punojnë për rikthimin e normalitetit edhe në Malësinë e Kurbinit, ku si pasojë e shembjes së urave dhe rrugëve u izoluan tre fshatra.
Sakaq situata në fshatin Xhyrë të Librazhdit vijon të jetë e rënduar pas dëmtimit të urës kryesore që lidh zonën me aksin Elbasan–Librazhd. Rrjedha e Lumit Shkumbin shkaktoi shkëputjen e këmbës mbajtëse të urës, duke e nxjerrë plotësisht jashtë funksioni.
“Bashkia Librazhd ka filluar punën për rikonstruksionin e rrugës që lidh fshatin Xhyrë me fshatin Qukës dhe po bëjmë të pamundurën që kjo rrugë të jetë e aksesueshme brenda një muaji”, tha Mariglen Disha, kryetari i bashkisë.
Si shkak i motit të rënduar me reshje që përfshiu vendin u shkaktuan dëmtime në 15 ura , ku disa prej tyre edhe me ndihmën e forcave të ushtrisë janë rikthyer ne funksion.
/rtsh.al/