Rikthimi i Eliot Spitzer, njeriu që tradhtoi Nju Jorkun
Njeriu që humbi Nju Jorkun, për shkak të përfshirjes në një rrjet prostitutash luksoze, tani jep leksione mbi etikën dhe politikën në universitet, shkon në televizion një ditë po e një ditë jo, akuzon bankierët e korruptuar nga kolonat e “Washington Post” apo “New York Times”, madje i lejon vetes të kritikojë të përzgjedhurin e Barack Obama-s, për të drejtuar “Big Apple”, Andrew Cuomo, që nga Prokuror i Përgjithshëm synon të bëjë një hap gjigant për të marrë postin e guvernatorit: “Shumë i dobët për të kundërshtuar skandalet e ‘Wall Street’-it dhe shtyhet nga politika në gjithçka që bën”. Po lind pyetja se kush është shtysa e vërtetë e Eliot Spitzer-it, ish-prokuror, ish-guvernator, i detyruar të dorëhiqet nga drejtimi i Nju Jorkut, sepse u zbulua lidhja e tij me një rrjet prostitutash, i njohur me emrin paksa modest “Emperor’s Club V.I.P.”. Shkëlqimi dhe rënia e këtij pinjolli të një familjeje të pasur ndërtuesish hebrenj, që nga “Sherifi i Wall Street”-it, u bë klienti më i dashur i rrjetit të prostitucionit, është një histori e jashtëzakonshme që tanimë pasurohet me një kapitull të ri dhe të bukur: ringjalljen. Të gjithë e kujtojnë se në deklaratën e tij të shkurtër për shtyp, atëherë, guvernatori u kërkoi ndjesë të gjithë qytetarëve të Nju Jorkut: “Keqardhja që ndiej do të më shoqërojë përherë”. Sipas shtypit njujorkez, guvernatori e kishte marrë këtë vendim, pasi kishte kaluar të gjithë natën duke diskutuar me bashkëshorten Silda dhe avokatët e tij për marrëveshjen që i ishte propozuar nga prokurorët federalë, që po hetonin mbi rastin e tij. Eliot Spitzer u detyrua të jepte dorëheqjen dhe të largohej për shkak se nuk kishte pranuar të përballej me hetimin që në qendër do të kishte "historitë" e tij 80 mijë dollarëshe me prostitutat e rangut të lartë. Spitzer kishte bërë emër si hetues i krimit të organizuar, atij financiar dhe prostitucionit. Në një moment të caktuar, ai kishte filluar të thirrej "Sherifi i Wall Street". Por gjithçka u rrëzua kur u detyrua të pohonte: "Kam vepruar në një mënyrë që bie ndesh me detyrimet e mia ndaj familjes dhe shkel sensin tim të së drejtës dhe së gabuarës”. Spitzer, 50 vjeç, është i martuar dhe baba i tre vajzave adoleshente. Dy vjet nga konferenca e shtypit, ku dorë për dore me të shoqen, deklaroi lamtumirën, politikani brilant dhe i suksesshëm që një ditë mendohej se do të garonte edhe për Shtëpinë e Bardhë, dukej sikur ishte fundosur në baltë. Njëlloj si filmat për të qeshur, kur heroi ngrihej nga atje ku kishte rënë, sikur nuk kishte ndodhur asgjë, pastronte veshjen dhe vazhdonte të ecte me kokën lart. Intervista ku i shpallte luftë pasardhësit të tij nga pikëpamja politike është një bombë, që gazeta bëri që të shpërthente në faqen e saj të parë. Por Spitzer tashmë është një fenomen që nuk i intereson më politikës. Historia e tij, sintetikisht e pagëzuar si ajo e “Klientit numër 9”, kodi me të cilin njihej në rrjetin e prostitucionit, tashmë është bërë edhe film, që korri sukses të jashtëzakonshëm, kur u shfaq në kinema në Nju Jork. Një dokumentar që mban firmën e Alex Gibney-t, regjisorit që ka fituar çmimin “Oskar” dhe i realizuar me ndihmën e Peter Elkind, gazetari që zbuloi natyrën e veprimeve të “Enron”. Këto ditë ka dërguar në librari “Rough Justice’, biografia që i shtohet “Journal of the Plague Year”, bestselleri i Lloyd Constantine, ish-asistenti i tij. Por çfarë zbulojmë nga filmi dhe biografia? Në fakt, shumë gjëra. Për shembull, e pëlqyera e tij nuk ishte Ashley Dupre, prostituta me origjinë italiane, e cila u bë e famshme në Amerikë, aq sa u punësua si editorialiste nga “New York Post”. Jo, zonjusha që “Klienti numër 9” kishte më shumë për zemër dhe me të cilën shpenzoi pjesën më të madhe të 100 mijë dollarëve të harxhuar në rreth 20 takime në hotelet më luksozë të Amerikës, mes Uashingtonit dhe Las Vegasit, quhet Angelina. Sot, kjo vajzë, na bën me dije se nëse zoti Spitzer “në fillim ishte shumë i ftohtë, nuk ishte i afrueshëm dhe dukej si një biznesmen mendjemadh, pastaj me kalimin kohës u ëmbëlsua, kërkonte pijen e tij të preferuar, madje bënte edhe muhabet (para, gjatë apo pas marrëdhënieve seksuale kjo nuk dihet ende). Pastaj, flet vetë Spitzer si në dokumentar ashtu edhe në libër, se jo vetëm “frekuentimi i ambienteve të tilla”, por asgjë nuk pati influencuar në punën e tij si guvernator. Por kur e pyesin se si dreqin ia bënte të ndante këto dy aspekte të ekzistencës së tij të përditshme, përgjigjet në mënyrë filozofike që “është pjesë e mistereve të jetës njerëzore”. Mister është edhe fakti se si “Klienti numër 9”, arriti të ruante mbështetjen e bashkëshortes, zonjës Silda Wall: aq e dashur sa frymëzoi telefilmin “The Good Wife”, gruaja e zonja që është bërë një kult tashmë. është vetë ajo që i përgjigjet biografit me një fjali që të duket vërtet e pabesueshme që del nga goja e një femre: “I takon gruas të kujdeset për seksin. Ky ka qenë një dështim i imi. Nuk dija të drejtoja situatën”. Ai jo, zoti Spitzer, nuk është ndjerë kurrë i papërshtatshëm, as atëherë, as tani. Dhe duhet kuptuar i gjithë inati i njujorkezëve, që çdo ditë përballen me skandalet e reja në bursë, me turpin e bonuseve miliardere, me mashtrimet e “Goldman Sachs”, por edhe me papërshtatshmërinë e “trashëgimtarit” të fronit të tij, David Paterson, edhe ai i akuzuar se ka mbuluar abuzime seksuale, për të kuptuar se si është e mundur se sot, sondazhet e nxjerrin “Klientin numër 9” të favorizuar. Nëse do të vendosë të kthehet e të garojë, mendojnë se e ka të sigurt fitoren.
#