Detektori i gënjeshtrave
Sikur ta dinte miku im, që kishte ardhur detektori i gënjeshtrave! Një sukses i paparë. Tanimë askujt nuk ia mban të gënjejë, askush nuk hedh dot tullumbace fjalësh në erë, as thotë “kodra mbas bregut”, sepse thjesht nuk ia mban. Sepse “detektori i gënjeshtrave” është një aparaturë që kontrollon gjendjen emocionale të çastit dhe kap ndryshimin e menjëhershëm, duke sjellë në shikim konkret atë që del në shesh, atë nuk i mbush dot të dyzetat dhe kapet “me presh në duar”, gënjeshtrën!
Ku do të vendosen aparaturat? Kush do t’i posedojë? Kuvendi? Kryeministria? Ministritë? Partitë politike? Policia? Hetuesia dhe prokuroria?... Edhe ky është një problem i mprehtë. Sepse motivimi për të gënjyer nuk gjendet dot lehtë, pasi ka të bëjë së tepërmi edhe me motivimin e atij që zbërthen gënjeshtrën. Varet edhe nga dëshira për ta parë në sy gënjeshtrën. Dikur një shok imi i gjente gënjeshtrat (rrenat) vetëm me lëvizje të syrit, mënyra se si lëvizte bebja e syrit të rrenacakut, mënyra se si fliste (a i dridhej zëri një fije?), mënyra se si e hapte gojën për të folur, shoqërimi me një lloj buzëqeshjeje të caktuar, mimika dhe pantomimika e atij që gënjente. Dhe ky, shoku im pra, ishte një detektor i llahtarshëm, që nuk donte fije letre të tëra për të bërë përshkrimin emocional me ulje-ngritje vijash të hedhur me kujdesin e njohur shkencor...
A e ka të nevojshme shoqëria jonë, praninë ose jo të detektorëve të gënjeshtrave? Mos vallë jemi kthyer totalisht në një shoqëri gënjeshtarësh të pandreqshëm? Cilat mund të ishin gënjeshtrat e rrezikshme dhe ato më pak të rrezikshme, domethënë të kategorizonim rrenat?! A do ta besonte njeri detektorin tonë të jashtëzakonshëm? Janë edhe shumë e shumë pyetje të tjera. Maslou, socialpsikologu i madh amerikan, do të shtronte një mendim të bukur lidhur me këtë problem: Mirë, e gjetëm ndryshimin emocional, e zbuluam teknikisht gënjeshtrën, por më gjeni një qenie të rritur e të përgjegjshme njerëzore që ta pranojë publikisht rrenën e vet! Më gjeni një të vetëm që t’i besoj aparaturës dhe ta kthejë situatën në favorin e vet! Kështu, Maslou nuk e beson detektorin e gënjeshtrave, por ama e përdor atë në eksperimentet e veta të shumta, bashkë me kolegët dhe ka hedhur përfundime interesante në këtë fushë. Dhe një nga përfundimet e tij është se gënjeshtra duket shumë për një arsye të thjeshtë, sepse ka të bëjë me një mobilizim total të motiveve, të angazhimit nervor të organizmit, të hemisferave trunore dhe të gjëndrave të ndryshme. Asnjeri nuk gënjen “pa dashka” e “pa qëllim”. Përkundrazi, GëNJEHET GJITHNJë ME QëLLIM Të CAKTUAR. Prandaj dhe ana emocionale është e kontrollueshme në veprimtarinë hetimore, policore, të gjykimit dhe të procedurave të tjera.
Detektori i gënjeshtrave ka ardhur te ne! është i pranishëm. Më së pari le ta kenë në dorë hetuesit, për të dalluar menjëherë krimin dhe gënjeshtrën dhe, sigurisht, le të mos merren me përfundimin që deklaron Maslou, por le të shohin me kujdes eksperimentet që ka përshkruar dhe që na i thotë aq bukur e me konkluzione të sakta, duke parë qindra e qindra ushtarë, studentë, dhe për të vetaktualizuar gjendjen e domosdoshme. Teoria e tij e vetaktualizimit ka në thelb të vërtetën dhe gjendjen e saj, në luftë të paepur e të ashpër me rrenat, gënjeshtrat e holla e aq nazike, aq fine, të kalibrit e të prirura për t’u pranuar.
Premtimet elektorale në shumicën e tyre janë gënjeshtra me bisht. Kështu që detektori është i nevojshëm të jetë pranë çdo politikani. Po ashtu, në fjalime e deklarata rrena duket si strumbullar që e mban në këmbë atë që thuhet. Një kre partie, për shembull, nuk bën as më pak e as më shumë sesa na kumton rrena dhe ne i hamë ato, ushqehemi me to, i kemi bërë pjesë të qenies dhe të vetëdijes sonë. Madje, sipas parimit “shto ujë dhe shto miell” ne i zbukurojmë ato, duke i ritransmetuar, duke i rikumtuar, duke i rithënë, po me atë stil, po me atë elegancë, po me atë kujdes e pathos. Sepse jemi më të motivuar se kreu ynë për ta thurur me kurora të tjera dafine “të vërtetën” dhe “rrenën”. Në mënyrë që më tej ato të besohen e të votohen, domethënë të hahet sapuni për djathë!
Ka ndodhur që gënjeshtra të bëhet motiv i ashpër pune. Domethënë gënje të gënjejmë dhe “ec përpara”. Pastaj gënjeshtrat e motivuara, sipas politikës së sotme, madje edhe sipas gazetarisë së shkruar dhe medias elektronike të sotme, janë “të domosdoshme”, të “natyrshme” dhe të “besueshme”. Por, le të shkojmë edhe një herë te Maslou, i cili thotë: “Besojini gënjeshtrës dhe po qe se keni të përziera në stomak e në tru, kjo do të thotë se detektori juaj i brendshëm e ka hedhur poshtë atë”...
#