E Diel, 1 Nëntor 2026

Klint Eastwood, një mit ende i gjallë

Aktori dhe regjisori i famshëm amerikan, Clint Eastwood, është duke hyrë në dhjetëvjeçarin e nëntë të jetës dhe krijimtarisë së tij. Po në këtë moment, cilat janë objektivat e tij?

Regjisorët e famshëm të filmave, sidomos ata të filmave hollivudianë, janë mësuar me respektin e njerëzve dhe me kërkesat për t’u dhënë autografe. Por jo të gjithë e pëlqejnë një gjë të tillë. Njerëzit mund të kenë zili James Cameron apo Steven Spielberg apo Francis Ford Coppola, por ata nuk e dinë me të vërtetë se çfarë do të thotë të jesh i famshëm e në qendër të vëmendjes në mënyrë të vazhdueshme. Në racën e njerëzve, ose më mirë të regjisorëve të famshëm të filmave, bën pjesë edhe regjisori dhe aktori Clint Eastwood.

Duke qenë se ai e nisi gjithçka nga pozicioni i aktorit dhe shumë shpejt u shndërrua në një aktor që la mbresa të mëdha tek spektatorët, e pati më të lehtë që të fitonte famë. Në fillimet e tij, ai ishte po aq i famshëm sa edhe vetë Cary Grant, apo Jimmy Cagenry. Eastwood ka përfituar shumë nga lidhjet personale me njerëzit e famshëm të Shteteve të Bashkuara, madje më shumë se çdo aktor, apo regjisor tjetër dhe, mbi të gjitha, këto lidhje ka ditur që t’i vërë në punë dhe në shërbim të karrierës së tij. Clint i përket pak a shumë një brezi aktorësh të famshëm, të cilët jetuan sipas shprehjes me 200 kilometra në orë dhe ndërruan jetë në rininë e tyre. Këtij brezi i përket James Dean apo Merlyn Monroe, të cilët jetuan me shumë vrull dhe vdiqën në moshë të re. Për fatin e tij të mirë, Eastwood ndryshoi profil ndoshta në momentin më kritik të jetës, kur ndoshta fama do ta kishte gërryer plotësisht. Ajo ishte një periudhë kohe kur të gjithë ishin të çmendur pas Eastwood, kur një amerikan mund të të flakte për faktin që nuk pëlqeje Statujën e Lirisë, por jo për mospëlqimin e Clint-it.

Muajin e ardhshëm, kjo ikonë e gjallë e kinematografisë mbush 80 vjeç. Ai ka pasur një karrierë shumë të pasur, me një kurrikulum prej 50 filmash si regjisor, apo si aktor. Ai ka qenë i pranishëm në ekranet dhe në psikikën e Amerikës që në vitin 1959, kur bëri përpara, duke luajtur rolin e kaubojit. Sikundër edhe aktorë të tjerë në Amerikë, si Robert Redford apo ndonjë tjetër, ai gëzon reputacionin e një njeriu gjysmë zot. Karriera e tij kinematografike nisi, ndërsa ai kishte kaluar të 30-at, por filmat që e bënë me të vërtetë të famshëm në të gjithë botën ishin: “Për një grusht dollarësh”, “I miri, i keqi dhe i shëmtuari”, apo “Për disa dollarë më shumë”. Ishin në fakt të gjitha filma të llojit “Western”, por që e futën përfundimisht në klubin e aktorëve që kishin lindur për të qenë gjithmonë të suksesshëm dhe me famë. Në fakt, filmat e kësaj natyre jo gjithmonë kanë qenë të suksesshëm, por dy kanë qenë aktorët që i kanë bërë ata të paharrueshëm, njëri pa dyshim Clint, ndërsa tjetri John Wayne. Ky i fundit ishte princ i stilit të vjetër, ose heroi që ishte gjithmonë përfaqësues i pozitivitetit dhe mirësisë, ndërsa Eastwood ishte një hero paksa misterioz dhe shumë enigmatik e joshës njëherazi. Ai ishte njeriu i mirë dhe i drejtë, por gjithmonë me një të kaluar të errët pas shpine. Në fakt, kjo ishte mënyra se si njerëzit në vitet ‘60 i pëlqenin heronjtë kryesorë. Kjo vlen në fakt edhe për aktorë të tjerë, ndër të cilët Jack Nicholson, apo Dustin Hoffman. Njerëzit kanë nevojë për figura heronjsh, por ata duan që këta heronj të mos jenë perfektë, sepse në një rast të tillë, ata do të ishin të paimitueshëm. Ata duan heronj, që janë njerëz me një të kaluar të errët, njerëz që kanë një mister në të shkuarën e tyre, që mund të kenë gabuar, siç gabojnë të gjithë njerëzit e zakonshëm, por që kanë ditur të ngrihen mbi gabimin e tyre dhe të shndërrohen në njerëz fitimtarë. Njerëzit perfektë, heronjtë perfektë si Gary Cooper, ishin shndërruar tashmë në modele që i përkisnin së shkuarës. Pikërisht në këtë moment hyjnë në lojë karaktere më kompleksë, me një të shkuar, por edhe me një vizion për të ardhmen si Clint Eastwood. Këta ishin heronj karizmatikë. Në fakt, Clint përveç të kaluarës misterioze, mbart në vetvete edhe shpirtin e një vetmitari dhe një njeriu që vështirë se mund të krijojë lidhje të thella dhe intime me ndonjë person tjetër. Ai ka luajtur rolin e kaubojit të thjeshtë, por dhe rolin e të dashurit shumë pasionant, si në filmin “Urat e Madisonit”. E ndërsa ishte në kulmin e suksesit si aktor, Eastwood vendosi se kishte ardhur koha që të merrte një drejtim tjetër dhe të shndërrohej nga një aktor në një regjisor po aq të suksesshëm dhe të rëndësishëm.

Në fakt, nuk ishte i pari në aradhën e aktorëve të famshëm që tentoi të provonte rrugën e regjisurës. Të tjerë njëherazi me të, si Barbra Streisand, Marlon Brando, apo De Niro e tentuan një rrugë të tillë, por ai ishte i vetmi që e ndjeu veten në këtë gjini, si dhe në aktrim, si në shtëpinë e tij dhe mbi të gjitha që e vazhdoi dhe e vazhdon me sukses edhe sot e kësaj dite regjinë.
Gjatë karrierës ka drejtuar 30 filma dhe është konsideruar dhe konsiderohet nga të gjithë si një nga regjisorët më seriozë dhe më profesionalë të kinemasë amerikane, si një aktor që u shndërrua me kohë të plotë në një regjisor të suksesshëm.

Clint është i vetmi në llojin e vet që nga një aktor i suksesshëm u bë një regjisor po aq i suksesshëm. Asnjë nga regjisorët më të mëdhenj të Hollivudit nuk kanë qenë aktorë, ndërkohë që Clint i preku të dy dimensionet, për të nxjerrë një dimension të tretë, atë të një njeriu-artist, që shkëlqen në botën e kinematografisë. Në fakt, mes emrave të mëdhenj ka qenë edhe ai i regjisorit dhe aktorit Orson Wells, por fatkeqësisht ai u nda shpejt nga jeta, ndërsa Clint, edhe pse në një moshë të nderuar, nuk ka ndërmend që të heqë dorë nga gjërat që i falin kënaqësi dhe për të cilat shquhet. Ka nga ata që mund ta krahasojnë karrierën e tij vetëm me Mel Gibsonin, duke qenë se ai gjithashtu i preku të dy dimensionet, por Gibson nuk është aq produktiv sa Clint, as i larmishëm në përmasat e tij. Clint, si dhe filmi “Njeriu pa emër”, në të cilin ka interpretuar, është dhe fjalia që i shkon më shumë për shtat një stature si ajo e Clint.

Ai ka lindur në vitin 1930 dhe mendësia e tij personale dhe artistike iu përpunua me kalimin e viteve dhe përvojave jetësore. Në filmat e parë që ai ka interpretuar, kishte një ndarje shumë të qartë dhe të madhe mes së mirës dhe së keqes dhe fakti që në fund, pavarësisht gjithçkaje do të triumfonte e mira. Të tillë ishin filmat në të cilat ai interpretoi nën regjinë e Serxhio Leonit, që patën një ndikim të jashtëzakonshëm te Clint.

Por më vonë, me kalimin viteve, ai filloi që të mishëronte kaosin dhe dyfytyrësinë e kohës e bashkë me të edhe të sillte ndjesi në veprat e veta, fillimisht filmat dhe më pas edhe në pozicionin e regjisorit. Në personin e tij bëhen bashkë të gjithë regjisorët e mëdhenj që ishin para tij dhe të gjithë regjisorët e gjeneratës së re që erdhën me të dhe pas tij. Që nga viti 1971, që është edhe viti i debutimit të tij në regjisurë, ai nuk ka reshtur së bëri filma vazhdimisht. Ka punuar gjithmonë me të njëjtin grup bashkëpunëtorësh. Ndër të gjithë filmat që ka sjellë në ekran, ai është veçanërisht i lidhur me njërin prej tyre “Urat e Madisonit”, një film romancë në të cilën interpreton me të madhe e kinemasë, Meril Strip. “Për mua dashuria është shumë e rëndësishme dhe pas gjithë përvojave që kam pasur në jetë, ky film që flet për forcën e dashurisë dhe mbi të gjitha për sakrificat që ajo kërkon, do të mbetet qershia në tortën e krijimtarisë sime”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›