Rikthimi i Godzilla’s verikorean

Interesimi tepër i madh për filmin i diktatorit të vdekur verikorean, Kim Jong Il, e befasoi shumëkënd, kur pak pas vdekjes së tij, gjegjësisht javën e kaluar, një kinema në Vjenë organizoi një projeksion të veçantë të filmit të zhanrit horror, produksionin e të cilit e kishte bërë pikërisht diktatori i vdekur verikorean.
Në kinemanë vjeneze Gartenbau u shfaq filmi horror “Pulgasari”, të cilin në vitin 1985 produksioni i Koresë Veriore e kishte modeluar sipas filmit të njohur komercial perëndimor “Godzilla”.
"Edhe i gjithë rrëfimi që tregon se si është krijuar ky film tingëllon paksa si një skenar filmik”, deklaroi moderatori i kinemasë Gartenbau, Norman Shelter. Kjo për shkakun se në atë rrëfim ishin përfshirë edhe rrëmbimi, një kamp i përqendrimit dhe një ikje spektakolare.
Në fakt, producentët britanikë kishin angazhuar regjisorin Jeremy Thomas - i cili përndryshe ishte edhe fitues i çmimit Oscar për filmin “Perandori i Fundit Kinez” - që të bënte një film për atë se si ishte xhiruar filmi i Kim Jong Il’it.
Një dashuri e kamotshme e Kim Jong Il
Shumë kohë para se ta merrte pushtetin nga babai i tij, Kim Il Sung, Kim Jong Il ishte sprovuar në produksionin filmik. Ai posedonte një koleksion prej afro 15,000 filmave, dhe interesim i veçantë i tij ishin divat filmike të Hollywoodit, si Elisabeth Taylor, megjithëse preferonte t’i shikonte edhe filmat e James Bondit dhe ata të zhanrit horror.
Jong Il kishte plane ambicioze për atë se si të zhvillonte industrinë filmike të Koresë Veriore, por regjisorët vendorë për të nuk ishin sa duhet inovativë. Për këtë arsye, ai në fund të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar urdhri rrëmbimin e regjisorit të suksesshëm jugkorean, Shin Sang Ok, dhe të gruas të tij, aktores Choi Eun Hee.
Fillimisht, regjisori i kaloi disa vite në burg, para se atij dhe bashkëshortes Kim Jonjg Il t’iu urdhëronte nisjen e bërjes së filmave. U xhiruan gjithsejtë shtatë filma. “Pulgasari”, një tregim ky metaforik për revolucionin e Koresë së Veriut, ishte njëri nga ta.
Mirëpo, xhirimet u ndërprenë kur, më 1985, çifti artistik jugkorean shfrytëzon ‘një piknik’ në Budapest për t’i ikur drejt Austrisë fqinje, ku pastaj kërkuan azil nga Ambasada e SHBA’ve në Vjenë. Për shkak të këtij incidenti regjimi në Pyongyang nuk e shfaqte fare filmin “Pulgasari”.
Sido që të jetë, në fund të viteve të 90’a ky film fillimisht u dha në Japoni, e pastaj u shfaq edhe në video format, duke u bërë kështu një kuriozitet i vërtetë mes kineastëve.
Një fusnotë bizare në historinë filmike
"Për mua, kjo është një fusnotë e pazakontë dhe bizare në historinë e filmit”, theksoi moderatori o kinemasë vjeneze, Shelter, dhe shtoi:
“Dikush qëndronte i ulur në tempullin e tij prej fildishi, dhe ishte aq i larguar nga realiteti saqë mendonte se diçka mund të ndryshonte nëpërmjet këtij filmi”.
“Ai i posedon të gjitha kualitetet e një trash(bërllok) filmi, megjithëse edhe disa pjesë të caktuara të tij janë tejet monotone”, pohoi Shelter.
Shikuar nga perspektiva e sotme, ngjarja e filmit “Pulgasari” më pak tingëllon si propagandë revolucionare, e më shumë si një simbol i rrëqethshëm i fokusimit të Koresë Veriore në armatosjen ushtarake dhe në mungesën e ushqimit.
Filmi bazohet në legjendën popullore koreane për fshatarin që rebelohet kundër mbretit të pashpritë, i cili kishte urdhëruar që çdo mjet pune të shndërrohej në armë. I rebeluari përfundon në burg, ku arrin që nga orizi të krijojë një figurë të vogël – Pulgasari’n, e cila pastaj bëhet e gjallë. Pulgasari më vonë shndërrohet në një përbindësh gjigant, i cili lufton në anën e fshatarëve, edhe pse në fund kthehet kundër tyre.
Ironikisht, njeriu që luajti rolin e Pulgasari’t ishte aktori i njëjtë japonez që personifikoi edhe Godzilla’n origjinal. /DW/