Të ngopur me reklamues të njëjtë

Reklama si një art komercial ka për qëllim informimin, paralajmërimin, përkujtimin, provokimin dhe kënaqësinë e një produkti, i cili duhet të duket sa më ngacmues dhe reflektues, me qëllim që të dominojë në treg. Nëpër rrugët e qyteteve të Kosovës, më konkretisht nëpër billbord, dominojnë figura të aktorëve, të cilët reklamojnë produkte të ndryshme. Bëhet fjalë për aktorë të cilët i shohim në seriale televizive, në video-kaseta të ndryshme, në shfaqje... Pra, për ata me të cilët jemi mësuar t’i shohim pa asnjë lloj transformimi, por vetëm me përsëritje të roleve, ose me rikujtim të një roli të dikurshëm.
Nuk e kam për qëllim t’i komentoj, ose t’i kritikoj rolet e ndërtuara, por të shpreh atë ngopjen me figurat e njëjta që dominojnë edhe në billborda të qyteteve. Ngado që kthen kokën, sheh aktorë të njëjtë, dhe kjo, sipas mendimit tim, është e tepruar, patetike dhe e ekzagjeruar jashtë mase. Sepse, nga kjo na del që vetëm këta aktorë mund të bëjnë mrekulli. Të tjerët, të cilët fizikisht mbase janë edhe më të pashëm, më estetikë, e më të pranueshëm, janë të distancuar. E kanë vështirë të depërtojnë në familjen e artit reklamues.
Figurat që jemi mësuar t’i gëlltitim zgjojnë monotoni aq të njëtrajtshme nëpër billborda, saqë rolet e tyre i përsëritin edhe në forma të ndryshme të reklamimit të produkteve. Ma merr mendja, e dini për çka e kam fjalën! Ose ndodh e kundërta, janë persona më të besueshëm për kërkesë të reklamimit ngaqë mundësitë e tyre kanë hapësirë për shpërfaqjen e talentit dhe të zanatit. Ata nuk e bartin fajin mbi supe, por të ngarkuar me të janë pronarët e produkteve, të cilët kanë dëshirë që produkti i tyre të reklamohet me një figurë të “famshme”, edhe pse në dukje jo të përshtatshme, aspak estetike. Dhe, çfarë ndodh atëherë?
Imazhi i ngjan një “majmuni ideal”, cirkun e të cilit jemi stërngopur së shikuari në çdo kanal televiziv. Pozitive dhe joshëse do ishte sikur të angazhoheshin figura të reja e të pashfaqura, të cilat janë në dukje më të mirë dhe të panjohur për masën, ngase arti i reklamimit ka për qëllim të koordinojë produktin i cili është në shërbim të dukjes së veçantë - me të cilin ai do të shquhet.
Për vetë figurat e reja e të pashfaqura, të cilat në njëfarë mënyre të fshehtë cilësohen si inferiorë për reklamim të produkteve, sepse, kjo iu besohet vetëm figurave të “famshme”, ndodh një dëshpërim i vockël. Këtë e rrezatojnë pronarët e produkteve, ose biznesmenët, të cilët si parim të parë kanë anën komerciale, dhe fare pak atë artistike. Shikuesi i rëndomtë fillon të mos ndjejë asnjë gjë ndaj artit, dhe kjo është mëse e dukshme në çdo fushë, sepse hapësira eksperimentuese dhe e stërvitjes është e hapur vetëm për të “famshmit”. Të “famshmit” mund të vazhdojnë ta përfaqësojnë veten në rolet e ndryshme, të transformohen bile sadopak dhe ta kuptojnë rrënjësisht artin e aktrimit, e jo vetëm të na rrethojnë me produkte, sepse ngopja mund t’ju ndodhë edhe në vetën e tyre.
Nuk duhet të pranojnë vetëm që të shfaqen vend e pa vend - edhe pse kjo varet nga vendimi i tyre. Por, josinqeriteti dhe mosrespektimi i vetvetes shpesh i detyron të futen në lloj-lloj pronash të panjohura – pra, të dominojnë edhe negativisht. Andaj edhe mendoj se reklamimin duhet ta kuptojnë si një fushatë që ka për qëllim të prodhojë një mendim strategjik të shprehur në forma të ndryshme kreative me qëllim të befasimit, kënaqësisë dhe informimit të auditorit.