E Shtunë, 31 Tetor 2026

Super-evropiania nga shteti euro-skeptik

Kryeministrja e Danimarkës, Helle Thorning-Schmidt, është personi i përkryer për të ushtruar funksionin e kryetares së Këshillit të BE-së. Problemi i vetëm: bashkëkombasit e saj kanë një qëndrim tejet skeptik ndaj Brukselit.

Duke llogaritur me gjakftohtësi, ajo hedh shikimin përreth. Flokët i ka të kapur, e veshur me elegancë, përreth qafës bartë një shall të mëndafshit.

Kur kryeministrja e re e Danimarkës u përball para ca kohësh me përfaqësuesit e medieve të huaja në Kopenhagë, edhe një herë tjetër u bë tejet e qartë: Helle Thorning Schmidt është personifikim i BE-së-e distancuar, e kthjellët dhe me synime të qarta.

Në shtëpi, vetëm pak kohë pas fitores së saj në zgjedhje, ajo nuk është më gjithaq e adhuruar, sa nuk është e adhuruar as BE-ja. Është fakt se danezët tek në shtator të vitit të kaluar votuan kundër qeverisë konservatore të krahut të djathtë, por të pyetur tani se kë do të preferonin më shumë për kryeministër të vendit, më shumë se gjysma e të anketuarve theksuan se do të preferonin Lars Rasmussenin, e jo Thorning-Schmidtin. Danezët kryeministren e re socialdemokrate nuk e shohin si të afërt me popullin, siç nuk e konsiderojnë të afërt as Brukselin.

Kundrejt BE-së danezët kanë më shumë paragjykime, se sa për shembull finlandezët apo gjermanët. Siç dihet, Danimarka më 1 janar mori përsipër presidencën e radhës së BE-së.

“Danimarka nuk po dëshmohet si solidare me BE-në. Me disa ligje të veçanta që po miraton, Danimarka po vepron krye në vete. Këto nuk janë shenja të mira për të mundësuar një kryesim të suksesshëm të BE-së”, thotë ekspertja për çështje daneze, Marlene Wind.

Ngase Danimarka duhet të kryesojë negociata, rezultatet e të cilave nuk kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me këtë shtet. Edhe përkundër faktit se Danimarka është anëtarësuar në BE qysh në vitin 1973, ajo për vete ka siguruar një trajtim të veçantë dhe nuk është e përfshirë në shumë pjesë të integrimit. Danimarka nuk e ka pranuar euron dhe në merr pjesë në politikën e përbashkët të sigurisë, së drejtësisë dhe të brendshme. :Shumë shtete tjera të BE-së tashmë kanë hequr dorë nga Danimarka”, thotë Wind.

Thorning Schmidt as që po bën përpjekje që të joshë vëmendjen me synime ambicioze. “Sa i përket ombrellës evropiane për shpëtim, këtë çështje shtetet e eurozonës natyrisht se duhet ta zgjidhin mes vete dhe nuk na takon neve që të përzihemi në këtë punë”, ka theksuar ajo.

Kriza e borxheve do të jetë në qendër të vëmendjes gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, por Thorning Schmidt nuk është e interesuar që BE-ja të kufizohet vetëm në menaxhimin e krizës.

“Ekonomia evropiane nuk ka përjetuar një krizë më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. Megjithatë, detyrë e jona është që të dëshmojnë se BE është në gjendje të marrë vendime, edhe përkundër krizës”, theksoi Thorning-Schmidt, në intervistën dhënë gazetës “Politiken”.

Por përkundër gjithë përmbajtjes së saj: Thorning-Schmidt ka të gjitha parakushtet që të drejtojë shtetin e saj dhe BE-në drejtë sukseseve. Për dallim nga pjesa më e madhe e popullatës daneze, ajo jo vetëm që është mbështetëse e fuqishme e unionit, por është edhe e ndërthurur thellë në sistemin e BE-së.

“Me të, BE-ja vërtetë do të kryesohet nga një eksperte, e cila ka përvojë dhe shumë më tepër kontakte se sa çdo paraardhës i saj”, thotë Wind.

Thorning-Schmidt karrierën e saj politike nuk e ka filluar në Danimarkë, por në Bruksel.

Kjo 45 vjeçare pesë vjet ka qenë deputete në Parlamentin e Evropës dhe nuk është e detyruar që rrjetin e saj në këtë institucion ta krijojë tani.

Por stili i saj i ftohtë nuk pëlqehet aq shumë nga danezët. Në vitin 2005, ajo papritur u zgjodh për kryetare të socialdemokratëve dhe mbeti në këtë funksion, përkundër faktit se partia e saj në zgjedhjet e vitit 2007 shënoi rezultatin më të dobët në historinë e saj.

Në shtator të vitit të kaluar, partia e saj ngadhënjeu vetëm për shkak se danezët u shprehën tejet të pakënaqur me punën e konservatorëve.

Që nga vjeshta, Thorning Schmidt kryeson një qeveri të pakicës, e cila përbëhet nga socialdemokratët, Partia e Majtë dhe nga Liberalët e Majtë. Për të ruajtur shumicën, koalicioni i saj duhet të përfshijë të gjitha partitë tjera të majta, apo të arrijë pajtimin me liberalët, konservatorët apo edhe popullistët e djathtë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›