Rikthimi i Kadaresë në dashurinë e shkrimeve të para
Pas 60 vitesh, shkrimtari Ismail Kadare i jepet nostalgjisë së shkrimit, ashtu si i jepemi një dashurie të madhe, duke sjellë në një libër tregimet e mbledhura nga arkivi i kohës Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit. Persida Asllani sjell një rrëfim për brilantët
Alda Bardhyli
Roberti kishte qëndruar i mbështetur pas parmakut dhe sytë e tij të mbyllur përgjysmë, ishin ngulur në një pikë të horizontit. Ai vështronte dallgët e errëta dhe padashur ndër mend i përfytyrohej një përmbysje e fuqishme e këtij vapori të madh që lëkundej, çprej dy javësh mbi këtë oqean gjithë mjegull, e këtyre reve dhe valëve të hirta, e atij vetë që shikonte i vetmuar e plot trishtim këtë hapësirë oqeanike. Në anije kishte zhurmë. Tingujt e shpejtë e të njohur të një zvingu shpërthenin që nga brenda, duke u përzier me zhurmat shurdhonjëse të njerëzve që luanin bilardo në sallonin e madh. Filloi një shi i hollë, i dendur. Robert u shkëput nga mendimet e ngatërruara. Ai pa me çudi se nga gjithë ajo mori njerëzish, ai qe i vetmi që qëndronte akoma në kuvertë Kur Ismail Kadare krijoi Robertin, personazhin në novelën Në dheun e panjohur duhet të ketë qenë vetëm 17 vjeç. Teksa hidhte në letër historinë e një djaloshi ëndërrimtar që përmes udhëtimit kërkonte të ndryshonte të ardhmen, por jo atdheun e tij, pasi për të një ndjenjë e nxehtë i pushtonte zemrën, Kadare nuk mund ta mendonte se kjo histori e shkruar me pasionin e një adoleshenti që adhuronte letrat më 1953-shin mund të lexohej dhe të ngjasonte aq bashkëkohore dhe sot në shekullin e XXI. Heroi i tij Roberti, që i hidhte shikime të ëmbla veç kushërirës, dhe një ditë teksa e pa në oborr duke lexuar e përqafoi dhe e puthi fort dhe nxehtë në buzë, e në fund zgjedh sërish pyllin me gjethet e blerta që dridheshin lehtë nga era për të qëndruar, e ëndërruar, është një personazh që të bën të duash ende sot. Roberti i Kadaresë, dhe pse i krijuar gjysmë shekulli më parë mbart nën lëkurë gjithë pasionin e një njeriu ëndërrimtar, që ashtu si të gjithë njerëzit e tillë përballet me vetminë dhe moskuptimin Por ky tregim, është dhe një vështrim mbi Shqipërinë e atyre viteve, ku revolta ndaj kornizave të kohës shihet në dëshirën e Robertit për të marrë anijen e për të shkuar larg Një tregim që tregon shpirtin prej disidenti të një talenti të ri, që do të kthehej më pas në një nga personazhet më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Ka shumë mënyra për të interpretuar një krijim artistik, por ajo që mbetet pas çdo interpretimi është shija artistike dhe stili, gjë që te proza e Kadaresë vazhdon të mbetet e papërsëritshme në çdo krijim të tij. Rrëfimet e tij mbartin një magji që të përfshin dhe të ndiesh erën e një leximi që gjithnjë ke kërkuar. Dhe … Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit, libri që shtëpia botuese Onufri hodhi në treg në ditën ndërkombëtare të librit, është vërtet një brilant që i shtohet botimeve që mbajnë firmën e shkrimtarit Kadare. Një tufe brilantesh, të cilat shkrimtari i ka mbledhur duke kërkuar në arkivin e kohës, për ti sjellë si një dhuratë për lexuesin në këto ditë të para të pranverës. Që te novela e parë Provokacioni, Leximi i Hamletit, Raporti i fshehët, Dosja e Orfeut, Martesa e gjarprit, Për të harruar një grua, Diptik për murin e madh kinez etj., Kadare të fton të takosh personazhe, ti duash, ti prekësh përmes rreshtash dhe të ndjesh shijen e një letërsie që do të mbetet e tillë në çdo kohë. Persida Asllani është ajo që ka ndier e para forcën e këtyre rrëfimeve, për ti shoqëruar më pas me një parathënie, e cila shoqëron librin. Më poshtë, ajo sjell një rrëfim për kohët e saj me brilantët, dhe magjinë e një letërsie e cila na kujton se pavarësisht tranzicioneve të gjata politike, dhe kaosit social, ky vend ka fatin të ketë në gjirin e tij një shkrimtar të kalibrit botëror, që ashtu siç shkruan dhe Figaro Litteraire një kalibër i jashtëzakonshëm i këtij shekulli…
Le ta nisim këtë bisedë nga novela, titullin e së cilës e mban edhe libri Bisedë për brilantët, në pasditen e dhjetorit, një novelë e shkruar në vitin 2008, dhe që duket se i ngre letrat shqipe, pikërisht në nivelin e brilantëve, por është dhe proza e fundit e shkruar nga Kadare Cilat ishin ndjesitë që ju dha kjo novelë, dhe as është kjo brilanti i fundit, nisur nga deklarata e shkrimtarit se nuk do të shkruajë më letërsi
Leximi im i parë i novelës Bisedë për brilantët, në pasditen e dhjetorit, novelë që i jep titullin edhe kësaj përmbledhjeje, përkon me vitin e shkrimit të saj, 2008, teksa përgatitej botimi për veprën e plotë të autorit në botimet Onufri. Atmosfera e leximit përkonte çuditërisht me fjalën brilante që zotëron titullin e novelës, duke i dhuruar bujarisht leximit të këtij teksti ndjesinë e zbulimit të një guri të çmuar, të një dritësimi të papritur e të rrallë, pikërisht siç quhen të rrallë vetë brilantët. Prandaj e kam quajtur befasuese këtë novelë, ashtu siç themi befasues për një zbulim, i cili, përpara se të jetë zbulim i yni, është në vetvete zbulim i ndërmarrë nga autori dhe nga vetë teksti i tij në hapësirën ku takohet letërsia me historinë, është shkundje nga harresa, është rikthim nga vdekja, është vezullim etik i jetës përtej gjithçkaje. Novela Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit rreket të shkundë si pluhur të së shkuarës harresën etike të historisë dhe tu japë jetë një prej shtegtimeve më mbresëlënëse të kësaj përmbledhjeje. Më lejoni tju josh me një përshkrim të tërthortë të saj: mund të ngjasë që njerëzit tu përngjasojnë fantazmave më shumë se ato vetë mes tyre; burra e gra të midistë, ikur prej skajesh internimesh reale e potenciale, që shfaqen apo trokasin befas përmes një telefonate, një rrëfimi, një fjale, dhe ikin sërish, të përkorë, në heshtjen e natës. Janë mbretërorë - përsiatet rrëfimtari, është e natyrshme të mos bëjnë zhurmë e të mos bien në sy. Por, përtej rishfaqjes së tyre disi të mënjanshme, në predemokracinë shqiptare, si në larginë, përtej ndjesisë së butë të fajit, që për çudi, asaj pasditeje nuk ndahet, përtej kujtimit tundues të brilanteve të shuar dhe shkëlqimit të ftohtë të atyre që do të vijnë, kumbon shtegtimi i dyfishtë i një gjuhe dyfish të vdekur, ikje dhe ardhje nga një botë tjetër, nga romane të mëparshme, dhe nga njerëz tashmë të vdekur. Latinishtja rivjen, si një kumt i ri i ringjalljes, si një gjuhë e ftohur, (që) sillte shpirtësinë e fundit të një brezi njerëzor që po shuhej. Lufta e gjuhëve, e kacafytjeve gjuhësore në gjirin e njerëzimit. Këtë luftë, Kadare na e ka treguar disa herë në botën e tij romanore. Por ajo nuk është më shenjë e bashkëpërkimeve dhe huazimeve, por luftë për jetë a vdekje mes botëve që identifikojnë. Mjafton të kujtojmë romanin e fundit Çështje të marrëzisë, dhe të shohim se si latinishtja dhe frëngjishtja kacafyten për vdekje me rusishten, gjuhën e re që shtronte mendjet dhe shpirtrat e njerëzve në një sistem të ri mendor. Rikthimi i latinishtes në prag-rënien e komunizmit shqiptar, pulsimi i saj mes sentencave ambulante të shtypit, risjell në novelë vizllimin e dyfishtë të jetës, ashtu siç ndodh gjithmonë, mes keqkuptimit dhe shpresës, mes tragjizmit dhe ironisë, si në mjegull: falë kësaj gjuhe të vdekur që rrihte të bënte të pamundurën, të nxirrte pakëz frymë nga morti i saj. Ishte kumti që rikthehej nga varri për të ribërë, me verbin, jetën; shpresa e vdekur për të rigjetur të vdekurit; s
Pas 60 vitesh, shkrimtari Ismail Kadare i jepet nostalgjisë së shkrimit, ashtu si i jepemi një dashurie të madhe, duke sjellë në një libër tregimet e mbledhura nga arkivi i kohës Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit. Persida Asllani sjell një rrëfim për brilantët