Reali, për revansh sot në Dortmund
Madrilenët janë në kërkim të La Decima-s në sfidën e Davidit kundër Golias
Reali i Madridit kërkon me çdo kusht La Decima-n dhe për ta, kjo është mundësia perfekte për ta hequr nga shpatullat këtë barrë, ndërkohë Borusia ëndërron të përsërisë suksesin e vitit 1997. Dy skuadra me dëshirën e njëjtë për të arritur finalen e Uemblit dhe për të ngritur trofeun, do të përballen për 180 minuta me ndeshjen e parë në Gjermani, në Vestfalenshtadion. Takimi ndërmjet Borusias së Dortmundit dhe Realit të Madridit do të jetë akti i dytë i kësaj supersfide, pasi këto skuadra u ndeshën edhe në fazën e grupeve. Dortmundi doli fitimtar në ndeshjen e parë në fushën e tij dhe i shkuan shumë afër triumfit edhe në ndeshjen e dytë në Bernabeu, para se Ëzil të barazonte në minutat e fundit të lojës. Por kjo nuk do të thotë që Dortmundi do të ketë këtë avantazh psikologjik. Kjo, pasi skuadrat, të cilat vuajnë në fazën e grupit, transformohen komplet në çerekfinale apo në gjysmëfinale, veçanërisht klubet e mëdha si Reali i Madridit. Të gjithë e dinë se mjafton të renditesh mes dy të parave në fazën e grupit për tu kualifikuar dhe meqë kjo fazë përkon me fillimin dhe mesin e kampionatit, ku një titull kampion mund të fitohet ose të humbet, ndonjëherë klubet bëjnë mjaftueshëm sa për tu kualifikuar për më tej në Champions League. Reali i Madridit tashmë e ka humbur kampionatin dhe janë të fokusuar totalisht për të fituar La Decima-n, trofeun e tyre të 10 të Champions League. Zhoze Murinjo u soll në Bernabeu për të thyer supremacinë e Barcelonës në kampionat, gjë të cilën ai e bëri sezonin e kaluar, duke vendosur dhe rekord me 100 pikët e fituara në fund të kampionatit, dhe të fitojë kupën e 10 europiane, e cila mungon që nga viti 2002 dhe që është e shumë kërkuar nga të gjithë tifozët e Madridit. Kristiano Ronaldo do të jetë pika e referimit për skuadrën e Murinjos. Portugezi ka shkëlqyer gjatë gjithë sezonit dhe besohet se Jurgen Klop do të përdorë të njëjtat taktika si në fazën e grupeve për të ndaluar lojën e Ronaldos. Trajneri i Borusias pati thënë pas ndeshjeve në grup, se po të ndalosh Ksabi Alonson të shpërndajë pasimet, atëherë ndalon topin të arrijë në këmbën e Ronaldos. Kjo funksionoi shumë mirë në dy ndeshjet mes tyre, por besohet se Murinjo do të ketë një taktikë nën mëngë për tiu kundërpërgjigjur këtë radhë kësaj skeme. Nga ana tjetër, Dortmundi ka mundësi të barabarta për tu kualifikuar, mos më shumë. Me Mario Gëtze dhe Marko Rojs, gjermanët kanë në skuadër dy nga organizatorët më dinamikë në Europë. Ndërkohë në sulm luan Robert Levandovski, një vrasës të cilin i mjafton të nuhasë rastin për të goditur. Ilkai Gyndogan, për Klop është një version i Ksabi Alonsos, vetëm se turku lëviz më shumë në fushë dhe pak a shumë ka të njëjtën rreze pasimi, megjithëse i mungon eksperienca. Kjo sfidë do të luhet me ritëm të lartë dhe kundërsulme të shpejta e presing të madh dhe vetëm koha do të tregojë, nëse do të jetë Zhoze Murinjo apo Jurgen Klop që do ti drejtohet Uemblit-t pas 180 minutave. Dortmundi do të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët, përveç Sebastial Kehl, i cili vuan nga një dëmtim. Realit do ti duhet të bëjë pa Marselon e dëmtuar në ndeshjen kundër Betis në kampionat. Probleme fizike edhe për Modriç, Arbeloa është i pezulluar, ndërkohë që Ksabi Alonso dhe Serxho Ramos kthehen nga pezullimi 1 ndeshje që kishin. Në portë i zakonshmi Lopez, ndërsa surprizë është aktivizimi i Higuain në vend të Benzemasë. Në dyshim është Di Maria.
Rivaliteti: Një sfidë brenda sfidës është edhe ajo Klop-Murinjo
Statistika: Reali nga 24 takime në Gjermani, ka fituar vetëm 1 herë
Formacionet e mundshme
Borusia Dortmund (4-2-3-1)
Vajdenfeler
Piszczek, Subotiç, Hummels, Shmelcer
Gyndogan, Bender
Blaszczykovski, Gëtce, Rojs
Levandovski
Trajner: Klop
Real Madrid (4-2-3-1)
Diego López
Ramos, Pepe, Varane, Koentrao
Khedira, Ksabi Alonso
Di Maria, Ëzil, K. Ronaldo
Higuain
Trajner: Murinjo
Reali, për revansh sot në Dortmund burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email