Rikthimi i çorbës së vjetër
Në shtator, bashkë me shirat, vijnë bojkotet dhe greva e dytë e urisë
U mblodh grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe shoku Gramoz tha shokë: “partia socialiste do t’i kthehet protestave në muajin shtator”. Mirë. Pas një viti që kanë diskredituar misionin fisnik të opozitës dhe përbaltosur imazhin e vendin nuk është se do ndryshonin rrugë. çka është thagmë pse bash në shtator dhe jo tani? Apo kryesia e socialistëve ka vendosur që të mos prishim planet e vakancave dhe pushimeve ekzotike në Sharm El Sheik, Dubai, në këtë kohë kaq të mirë.
Përtej kësaj shpotie spontane, Partia socialiste po dëften se nuk është mirëfillti një parti politike demokratike që ushtron detyrën e saj të deleguar nga vota e sovranit por, një parti oligarkike që merr vendime pa asnjë logjikë qytetare. S’ka si mund të jetë tjetër kur ish-Ministri i fundit i sigurimit dhe njeriu i politikës së re, Gramoz Ruci deklaron se “Grupi PS-së vendosi që duke filluar nga dita e nesërme grupi socialist kushtëzon marrëdhëniet ndaj parlamentit duke mos votuar asnjë ligj, as me shumicë të thjeshtë e as me të cilësuar”. Pra, asgjë. Do marrin rrogën pa shkuar në punë, dhe këto vendime janë në kurriz të taksapaguesve. Padyshim rrugë më të “përsosur” për të shkatërruar përfundimisht Partinë Socialiste nuk mund të gjesh. Jo se kemi ndonjë gjë kundra, përkundrazi. Veç të vjen pak keq për këtë pasuri kombëtare.
Nuk kuptohet ende se përse janë parti politike demokratike, në qoftë se nuk votojnë ligje as kundër, as abstenim. çfarë propozojnë? Ende protesta dhe kushtëzim të Kuvendit? Ata e dinë shumë mirë dhe nuk u duhet sqaruar se vota nuk është pronë e partive egoiste, por e sovranit - popullit. Vota nuk është pronë e Edi Ramës apo Gramoz Rucit por, një e drejtë që i njihet qytetarit shqiptar të zgjedhë një qytetar tjetër shqiptar, që mund të jetë i nevojshëm për respektimin e një sëre veprimesh të drejta, me qellim përmirësimin e kushteve të jetesës së gjithë komunitetit. Kemi mundësi t’i zgjedhim përfaqësuesit tanë të cilët në një formë apo në një tjetër duhet të na përfaqësojë në mënyrë të denje. Shumë e thjeshtë! Si mund ta bëjë këtë punë partia socialiste duke kushtëzuar përsëri parlamentin. Psikologjia e bojkotimit të gjithçkaje duke përfshirë dhe parlamentin nuk do bëjë gjë tjetër veç shkatërrimin përfundimtar të PS-së dhe shkrirjen e saj. Edi Rama ka instaluar diktaturën e homologimit, të devizës së uniformimit dhe PS-ja është kthyer në një kallëp pa ide, pa vizion, pa debat të brendshëm, si dhe në fshikullim e mendimit ndryshe, një shoqatë politike amorfe, jo vertebrore, ku njëri flet dhe shumë të tjerë imitojnë deri në detaje ridikule.
Kjo sjellje ka të bëjë me konceptet që na vijnë nga e shkuara sepse vetëm kur partia konsiderohet populli, nuk kishte pse të jepte xhevap. Kontrata e çdo deputeti lidhet me qytetarin dhe me delegimin e votës së tij për ta përfaqësuar në parlament, dhe jo pjesë e një klike oligarkike që për motive të dobëta abdikon nga arsyeja dhe divorcin nga oda e demokracisë. Bllokmenët të kryesuar nga Gramoz Ruci ka vendosur të vazhdojë bllokimin e integrimit, çfarë pret nga fara e keqe e atyre që shkatërruan këtë vend për 45 vjet? Asgjë,dhunë. Mutacioni komunist që udhëheq opozitën dhe përpiqet të ndikojë gjithë shoqërinë. Me veprimet dhe mosveprimet e tyre kjo bandë Pinjollësh edhe Afaristësh ndërtimi nuk bën gjë tjetër vetëm të dhunojë aspirata legjitime europiane të shqiptarëve.
Sjellja arrogante e Gramoz Rucit vjen pasi ky jo vetëm që nuk e njeh demokracinë por, urren konceptim më minimal të demokracisë zgjidhjen me debat kuvendor dhe jo me dhunë protestash për sajesën e kutive.
Fetizhimi i liderit Rama ndaj kësaj partie opozitare ka shkuar deri aty sa e konsideron çiflig pasurinë socialiste dhe shërbëtorë deputetët socialistë. Nuk ka zemra të thyera në këtë partia, të gjithë e dashurojnë udhëheqësin e madh të humbjeve.