Rritja e pensioneve, një fenomen i rrallë për ekonomitë europiane

Qeveria shpalli dje rritjen me 1 korrik të pensioneve, në një masë 3 - 5 herë më shumë sesa rritja e verifikuar e çmimeve, e verifikuar gjatë vitit të shkuar.
Berisha: “Rritja e pensioneve, premtim i mbajtur - së shpejti edhe rritje pagash”
Qeveria vendosi dje rritjen e pensioneve mujore për 520 mijë qytetarë shqiptarë, një rritje 3-5 herë më e madhe, se rritja e çmimeve nga muaji korrik i vitit 2009 në muajin korrik të vitit 2010. Ky vendim merret pas premtimit të bërë nga qeveria, në përputhje me mbajtjen e fjalës dhe në përputhje me parimin e qeverisjes me zemër të dhembshur.
Ndërkohë, po dje, në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Sali Berisha bëri të ditur se, Ministria e Financave do të sjellë këtë javë, edhe vendimin për rritjen e pagave, sipas përshkallëzimeve dhe parashikimeve të nevojshme. “Siç kemi lajmëruar, do të çojmë buxhetin në parlament për të shkurtuar ndjeshëm shpenzimet, të cilat do të shkurtohen me 25 për qind në të gjitha fushat, sepse ky është një imperativ, të cilit duhet t’i përgjigjemi”, u shpreh dje Kryeministri Berisha midis të tjerave.
Ka qenë Kryeministri Sali Berisha i cili njoftoi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, finalizimin e vendimit për rritjen e pensioneve, në masën 4 deri në 10 për qind, për 520 mijë qytetarë shqiptarë. “Sot, qeveria vendos për rritjen e pensioneve mujore për 520 mijë qytetarë shqiptarë, një rritje 3 deri në 5 herë më e madhe, se rritja e çmimeve nga muaji korrik në muajin korrik. Pra, me rritjen bëhet indeksimi, ndërsa të gjitha rritjet e tjera janë shtesë reale mbi pensionin e tyre. Kjo rritje e pensioneve përshkallëzohet nga 6 për qind për pensionet e ulëta në tërësi, me një rritje prej 6140 lekë (të vjetra). Kjo është një rritje e përfillshme, e përmuajshme. Nga rritja në këtë vlerë përfitojnë afërsisht 200 mijë pensionistë. 170 mijë pensionistë të fshatit do të kenë një rritje prej 10 për qind të pensionit të tyre. Pensionet e larta dhe ato suplementare rriten me 4 për qind,” u shpreh Kryeministri, gjatë paraqitjes së këtij vendimi.
Kryeministri Berisha theksoi se vendimi për rritje të ndjeshme të pensioneve u arrit pas përpjekjeve shumë serioze të qeverisë dhe në përputhje me premtimin e bërë, në një kohë kur pensionet janë ngrirë apo reduktuar, pothuajse në të gjitha vendet e Europës.
“Natyrisht, ky vendim, u shpreh Kryeministri, nuk merret pa vështirësi. Kriza europiane nuk është se nuk ka pasqyrimin e saj në ekonominë shqiptare, por ky vendim merret në përputhje me premtimin e bërë nga qeveria, në përputhje me mbajtjen e fjalës dhe në përputhje me parimin e qeverisjes me zemër të dhembshur. Nuk mund të ketë motiv më të madh moral, sesa ndjeshmëria dhe dhembshuria ndaj atyre që janë në nevojë, në marrjen e këtyre vendimeve, që dua të theksoj janë kundër rrymës”.
Kryeministri Berisha bëri gjithashtu, të ditur se Ministria e Financave do të sjellë këtë javë, edhe vendimin për rritjen e pagave, sipas përshkallëzimeve dhe parashikimeve të nevojshme.