E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthimi i kozakëve

Nëse e kaluara juaj është lufta, duket se ajo do t’iu ndjekë deri në momentin kur ta humbni një më tepër se sa duhet dhe për pjesën tjetër paqedashëse të botës, kjo me gjasë është një gjë e mirë. Një përjashtim, së paku në Evropë, duket se janë kozakët-sllavët e obsesionuar nga lufta nga pjesët jugore të Rusisë, të cilët që nga shekulli i 17-të kanë luftuar në emër të Carit, mëmëdheut apo Kishës Ortodokse të Rusisë dhe të cilët tani dëshirojnë kthimin e hegjemonisë ruse. Nga Express më 25 gusht 2011 në ora 08:00

Nuk janë të shumtë popujt luftarak, të cilët kanë mbijetuar në epokën moderne. Vikingët nuk ekzistojnë më. Spartanët janë zhdukur që moti, ndërsat mongolët nuk kanë qenë më aq produktiv (më parë kanë qenë destruktiv) që nga shekulli i 13-të.

Pra nëse e kaluara juaj është lufta, duket se ajo do t’iu ndjekë deri në momentin kur ta humbni një më tepër se sa duhet dhe për pjesën tjetër paqedashëse të botës, kjo me gjasë është një gjë e mirë. Një përjashtim, së paku në Evropë, duket se janë kozakët-sllavët e obsesionuar nga lufta nga pjesët jugore të Rusisë, të cilët që nga shekulli i 17-të kanë luftuar në emër të Carit, mëmëdheut apo Kishës Ortodokse të Rusisë. Ata ende janë të fuqishëm.

Para ca kohësh, në një luginë të largët në jug të Ukrainës, gjenerali Viktor Vodolatsky, ish-hidraulik dhe udhëheqës i kozakëve modernë, arriti për të inspektuar luftëtarët e tij më të ri. Shumica prej tyre ishin nën moshën 15 vjet, disa madje edhe tetëvjeçar.

Megjithatë, ata duken mjaft të frikshëm dhe po të mos ishin biond dhe me tipare sllave, këta dhjëtëra djelmosha me uniforma do të kishin kryer punë si ushtarë fëmijë, të përgatitur për të luftuar diku në Afrikë.

Madje edhe më të rinjtë ishin të armatosur me thika të gjuetisë dhe armë automatike. Mbi kokat e tyre valon flamuri rus, krahas atij të Ukrainës. Vodolatsky qesh.

Si kozak dhe si deputet në parlament nga radhët e partisë Rusia e Bashkuar, e cila kryesohet nga kryeministri Vladimir Putin, Vodolatsky është nisur në një fushatë tipike për kozakët. Ai dëshiron të përhapë hegjemoninë ruse (sërish) përgjatë botës sllave, në veçanti në Ukrainë dhe Bjellorusi.

Gjatë tetë viteve të kaluara, ai dhe rreshterët e tij e kanë ngulitur vizionin e “shtetit të bashkuar sllav” në kokat e rreth 1500 rekrutëve të ri, të cilët kanë trajnuar në kampin e tyre në Gadishullin e Krimesë, ku janë të vendosura grupet më aktive të kozakëve të Ukrainës.

“Bashkimi i shtetit sllav është garanci për ardhmërinë tonë. Dhe fëmijet, të cilët qëndrojnë nën simbolet kozake, janë ideologjikisht të pastër, fizikisht të fuqishëm dhe të sigurt në besimin e tyre. Tani, duhet të shërbeni si shembull për të rinjtë, në cilindon qytet prej nga vini”, theksoi Vodolatsky para rektutëve.

Dhe pse nganjëherë pamjet i ngjasojnë ndonjë filmi vizatimor, autoritetet e Ukrainës nuk janë duke qeshur aspak. Ato po përballen me ofensivën më të re të kozakëve dhe po kundërpërgjigjen.

Vitin e kaluar, organizatori i kampit, Sergei Yurchenko, i cili është i dërguari i Voldatskyt në Krime, u përball me akuzën se ka trajnuar kryengritës të armatosur.
Që nga ajo kohë, loja “kapni kozakët” vetëm sa ka eskaluar, pikërisht në momentin kur marrëdhëniet mes Moskës dhe Kievit janë tendosur sërish. Duke dëshpëruar shumë zyrtarë në Moskë, presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovic, nuk u dëshmua si kukull e Kremlinit.

Yanukovic u dëshmua si mbrojtës i vendosur i sovranitetit të vendit të tij, duke hidhëruar shpesh Moskën.

Ai ka refuzuar thirrjet për formimin e një unioni qeveritar, parlamentar dhe doganor me Rusinë dhe ish-republikat tjera sovjetike dhe gjatë takimit të tij të fundit me presidentin rus, Dimitri Medvedev, më 11 gusht, ai nuk pranoi që vendi i tij të integrohet në sistemin energjetik të Rusisë.

Kozakët e kuptuan se “Unioni Sllav” me gjasë nuk do ta përfshijë edhe Ukrainën dhe gjatë muajve të fundit, ata kanë filluar të bëhen të dhunshëm.

Në korrik, ata u përleshën për herë të parë me policinë ukrainase, në qytetin Feodosija. Konflikti filloi, kur komandanti lokal i kozakëve, Konstantin Borajev, mori vendimin për të vendosur një kryq tetë metra të lartë në hyrje të qytetit, pa lejen e qeverisë.

Borayev theksoi se ideja ishte që autoritetet të vendosen para një dileme. Nëse do ta hiqnin kryqin, policia do ta nxiste komunitetin ortodoks rus, nëse nuk do ta hiqnin, atëherë do të vlerësohej se ata po lëshonin pe para kozakëve. Për dy muaj, kozakët e mbrojtjen kryqin, por në korrik, policia arriti ta heq atë.

“Këto aksione dërguan një porosi efektive dhe ne do t’i vazhdojmë ato”, theksoi Vitaly Khramov, njëri nga udhëheqësit e kozakëve. “Ne dëshirojmë që ata të kuptojmë se shteti i Ukrainës është një projekt i dështuar, një tumor, që ukrainasit duhet ta heqin. Ne jemi imuniteti kundër kësaj sëmundje”, shtoi ai.

Si kryesues i Sobol, batalionit radikal kozak, Khamrov është një prej ideologëve kryesor të lëvizjes në Ukrainë.

Kremlini ka një departament për marrëdhënie me kozakët dhe në vitin 2005, Putin nënshkroi ligjin për shërbimin shtetërore të kozakëve, me të cilin u krijuan njësi speciale kozake në radhët e forcave ruse të sigurisë, duke ju garantuar atyre të drejta të ndryshme.
Natyrisht, në Ukrainë nuk ekziston një ligj i tillë, ku kozakët e kanë statusin ligjor të OJQ-së.

Por viteve të fundit, kozakët kanë filluar fushatën për të siguruar ulëse në organet politike të Ukrainës. Në Rusi, tashmë ka mjaft kozakë në funksione të larta të qeverisë, siç është i dërguari i Kremlinit në Kaukazin e Veriut, Aleksandër Khloponin.

Por pa marrë parasysh se kush e financon kampin e kozakëve, në të djelmoshat e ri vërshohen me ideologji pro-ruse, por gjithashtu duhet të përballojnë edhe testin e rrahjes, i cili sipas Vodolatskyt ju ndihmon atyre që të bëhen burra.

Testi i rrahjes zgjat tre minuta dhe në fund të tij, djelmoshat përgjaken nga rrahja.

“Ja vlejti”, thotë Kirili 15 vjeçar. “Pas rrahjes, kisha ndjenjën se kam lindur sërish”, shton ai.

“Pas disa viteve, kur të jem në moshë, do t’i bashkohem ushtrisë ukrainase”, rrëfen Kiril.

Por si duket, ai nuk ka menduar shumë për atë, se kujt do t’i qëndrojë besnik. Urdhërave të kujt do t’i nënshtrohej ai? Komandantëve të tij kozakë apo oficerëve të tij ukrainas?

“Nuk e di. Supozoj të dyve. A është kjo e mundshme?”, pyet Kiril.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›