E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthimi i madh i Julia Roberts

"Më propozuan të prezantoja mbrëmjen e ‘Oskar‘-it, por atë ditë bashkëshorti im kthehej nga India dhe dëshiroja ta prisja në shtëpi. Nuk dua të mburrem, është thjesht çështje përparësish"

Julia Roberts nuk resht kurrë së na befasuari. Që nga koha e filmit "Pretty Woman", në vitin 1990, u bë dhe mbeti aktorja më popullore e Hollivudit. Pas saj janë shfaqur shumë aktore të tjera, si Scarlett Johansson, Amy Adams dhe Anne Hathaway, të cilësuara si pasardhëset e saj, por Julia e vërtetë dhe e pazëvendësueshme mbetet ajo. Që pas vitit 2001, kur ishte protagonistja e filmit "The Mexican", dhe më pas e "America‘s Sweethearts", ka luajtur më tepër role dytësore. Gjithashtu Julia ka interpretuar edhe në filmin "Charlie Wilson‘s War", përkrah aktorit Tom Hanks në 2007-ën dhe ka dubluar dy filma vizatimorë. Tani rikthehet si protagoniste përkrah Clive Owen në trillerin "Duplicity", spiunazh/komedi romantike, shkruar dhe drejtuar nga Tony Gilroy. Ajo dhe Clive janë dy ish-spiunë, por edhe dy të dashuruar që, pasi kalojnë në spiunazhin industrial, gjenden duke luftuar me njëri-tjetrin.

Sot Julia Roberts ka tre fëmijë, reflekton sigurinë e një gruaje 41-vjeçare që e ka gjetur ekuilibrin e saj, dhe në fushën profesionale nuk i duhet të bindë askënd. Madje duke punuar pak dhe duke bërë shumë seleksionime, "ushqen" legjendën e saj.

Në këtë intervistë ajo shfaqet e veshur me xhaketë, xhinse, një bluzë të bardhë, çizme të zeza, me flokët e verdhë e me onde dhe buzëqeshjen tipike. Ajo që duan të dinë të gjithë është nëse nervozohet ndonjëherë Julia Roberts, sepse i duhet të kujdeset për fëmijët, bashkëshortin, shtëpitë "jeshile" në Venecia dhe Malibu në Kaliforni, për fermën në Nju Meksiko, për ambientin dhe kopshtin organik. Për të gjitha këto, aktorja e "Pretty Woman" ka folur në konferencë për shtyp, ku ka prezantuar gjithashtu edhe filmin "Duplicity", i cili do të shfaqet në kinematë amerikane më 20 mars. Në film, Roberts dhe Owen janë dy spiunë të pashoqë, që mes dashurisë dhe tradhtisë përpiqen të vjedhin formulën magjike për kurimin e rënies së flokëve për dy kompanitë kozmetike rivale ku ata punojnë.

"Tony (regjisori) di gjithçka mbi CIA-n, shërbimet sekrete dhe spiunazhet industriale, dhe ajo që ka zbuluar e terrorizon, tregon Roberts. Këto gjëra ndodhin vërtet. Kompanitë kozmetike shpenzojnë miliona dollarë për të pasur ekskluzivitetin e një produkti, për të cilin më vonë ti zbulon se të ka shkaktuar kancer".

Cili është sekreti i bukurisë suaj?

Nuk vë asgjë në fytyrë, por është edhe gjenetike. Duhet të shihni nënën time. Është gjithashtu edhe çështje kohe. Në mëngjes, para se të dal nga shtëpia, kam katër persona për të veshur, kështu që nuk kam kohë të mendoj për veten. Unë nuk jam shqetësuar kurrë që të trukohem apo të rregulloj flokët për të shkuar në supermarket. Lyej pak sytë dhe më pas gjithçka është në rregull.

Pse gjithë kjo mungesë e gjatë?

Nuk kam hequr dorë nga aktrimi, madje të jeni të bindur se e bëj çdo ditë. Tani recitoj përralla dhe tregoj histori me kukulla. Fëmijët janë prioriteti im. Pasi mbaroj mëngjesin, mendoj se çfarë do të gatuaj për drekë. Jam person që nuk e kam sforcuar veten kurrë. Më janë ofruar mundësi të mëdha dhe për këtë jam shumë e nderuar. Por qendra e botës sime nuk është spektakli.

Por jeni protagonistja e "Duplicity". A mund të jeni një spiune në realitet?

Absolutisht jo, do të bëhesha menjëherë me ulcerë.

Si lindi ideja e bashkëpunimit?

Tony është një mjeshtër i madh, i njeh fjalët dhe di t‘i përdorë mirë ato. Natyrisht që është një sfidë. Gjuha e spiunëve mund të jetë e vështirë, por tekstet e Tony-t, herët apo vonë, janë një domosdoshmëri për çdo aktor. Tony dhe Clive më kishin folur për këtë film vite më parë, por e refuzova sepse isha shtatzënë. Më bëhet qejfi që më pritën dhe e realizuam të tre.

Pas filmit "Closer", a jeni ndjerë sërish mirë me Clive Owen?

Clive është një prej arsyeve kryesore që unë pranova të luaja këtë film. Është njeri shumë i përgatitur, por nuk i merr gjërat shumë seriozisht. Nga ana personale është njeri i jashtëzakonshëm. Për mua është nder t‘i qëndroj pranë.

Çfarë ju shtyn që të luani ende filma?

Mendoj se vazhdoj të kem të njëjtat kritere te filmat që kam luajtur më parë. Nga ana intelektuale gjërat që më bëjnë kurioze janë po të njëjtat. Që kur jam bërë nënë, punoj më pak. Edhe para se të bëhesha nënë, nuk kam luajtur filma njëri pas tjetrit.

Cilat janë pasardhëset tuaja?

Ka aktore shumë të talentuara. Mendoj për Anne Hathaway, Keira Knightley, Reese Witherspoon, e shumë të tjera. Natyrisht që është e vështirë të jesh e re dhe të kesh sukses në Hollivud. Çdo detaj i jetës tënde sot shihet me mikroskop. Për të mbijetuar duhet të kesh vlera shumë të forta dhe një familje të mirë pas krahëve, sepse në të kundërt është e pamundur t‘ia dalësh.

Fëmijët tuaj janë ndeshur me paparacët, apo jo?

Për momentin, jeta e tyre nuk ndryshon aspak nga ajo e shokëve të tyre. Kur punoj, i marr me vete, por ende nuk e kanë të qartë se çfarë pune bëj konkretisht. Shpresoj që një ditë do të ndjekin rrugën time dhe atëherë do të përballen vërtet me këtë problem.

Çfarë mendoni për çmimet e sapodhënë "Oskar"?

M‘u duk jashtëzakonisht bukur kur pashë aq shumë aktorë dhe aktore në skenë, dhe mendoj se Hugh Jackman ka bërë një punë të madhe. Është diçka e vështirë dhe mendoj se jo të gjithë mund ta bëjnë këtë.

A nuk ju kishin kërkuar ta prezantonit mbrëmjen?

Po, por bashkëshorti im po kthehej nga India atë ditë dhe dëshiroja që të qëndroja në shtëpi me të dhe fëmijët. Më kuptoni, është thjesht çështje prioriteti.

Në ç‘pikë ka arritur kopshti juaj organik?

Sapo u kemi dhënë fund gërmimeve dhe po bëhemi gati për ta mbjellë. Fëmijët mezi presin ta shohin të përfunduar. Jam e sigurt se kur ta kuptojnë nga e marrin ushqimin, nuk do të bëjnë naze për ta ngrënë. Shtëpia jonë në Malibu është ndërtuar e gjitha pothuajse me materiale të riciklueshme dhe ngrohet me anë të paneleve diellorë. Nuk jemi ende plotësisht ambientalistë, por po përpiqemi.

Mendoni se i frikësoni njerëzit?

Nuk mendoj se jam një person që i tremb njerëzit... përveçse atëherë kur e bëj me vetëdije.

Është e vërtetë që ju ngisni traktorin tuaj?

Po, gjithashtu edhe gatuaj.

Cilat janë "defektet" që urreni më shumë te një njeri?

Dashakeqësia dhe budallallëku.

Po cilësitë që vlerësoni?

Sinqeriteti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›