E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trashëgimtari Nishani

meroNga Mero Baze

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka vënë në pozitë të vështirë Prokurorinë e Përgjithshme, duke i kërkuar publikisht të nisë hetimet për terror dhe shpifje ndaj tij dhe familjes së vet. Presidenti nuk i është adresuar ndonjë subjekti konkret, mediatik apo politik, por ka sqaruar se bëhet fjalë për akuzat që e implikojnë atë personalisht në interesa financiare pas planit për zbrazjen e godinës aktuale të PD-së dhe kthimin e saj në dispozicion të ish- pronarëve.

E ka vënë së pari në pozitë të vështirë pasi ka bërë thirrje publike për të, ndërkohë që ai është kreu i shtetit shqiptar dhe ka mekanizma komunikimi ligjor me Prokurorinë. Thirrja publike është vetëm një shantazh ndaj tyre dhe të tjerëve, që për turp të tij ai i konsideron kundërshtarë politikë.

Por, mbi të gjitha Bujar Nishani ka vënë në pozitë të vështirë prokrurinë për një çështje shumë profesionale. Shqipëria, si shumë vende të tjera demokratike, ka adoptuar standardet e Bashkimit Evropian lidhur me dekriminalizmin e shpifjes. Për ironi të fatit, kjo është bërë kur Bujar Nishani ishte ministër Drejtësie. Instituti i Medies në Shqipëri, Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe Parlamenti i Shqipërisë, bashkëpunuan për disa kohë deri sa arritën të ndryshojnë Kodin Penal të Shqipërisë, ku shpifja konsiderohej vepër penale.  Ky ndryshim u heq autoriteteve të larta të vendit, presidentit, kryeministrit apo zyrtarëve të lartë, të drejtën që të penalizojnë dikë, politikan apo gazetar, për shpifjen si vepër penale. Ata nuk kanë më asnjë të drejtë ligjore më shumë se sa qytetarët e tjerë për tu mbrojtur nëse mendojnë se ndaj tyre është shpifur.

Ne që e njohim, e dimë që zoti Nishani vihet në detyra vetëm për të hedhur firmën, por këshilltarët e tij duhet herë pas here ti tregojnë që ato çfarë kërkon ai apo gruaja e tij, nuk mbështeten më në ligj. Kështu që, thirrja publike ndaj prokurorisë është thjeshtë një terror mbi prokurorinë, e cila varet prej tij. Prokuroria nuk ka tagër ligjor të nisë hetim për shpifje, edhe pse Bujar Nishani mund të jetë shqetësuar shumë. Nëse Nishani e di këtë dhe e bën për të terrorizuar prokurorinë, ai duhet të shihet si i tillë. Nëse nuk e di, çka është e besueshme, duhet të bëjë përpjekje të marrë ndonjë këshilltar ligjor që ka mbaruar shkollën ditën dhe të jetë serioz kur flet për broçkulla të tilla.

Për ta lehtësuar pozitën e tij, gazeta TemA po boton sot dokumentet që provojnë se vjehrri i tij është trashëgimtar ligjor i një prone ku përfshihen dhe kufij të ndërtesës së PD-së. I kërkoj ndjesë vjehrrit të tij që po i lakohet emri, pasi është në pronën e tij të ligjshme, por nuk mund të neglizhoj faktin që presidenti u investua në mënyrë të paligjshme për të liruar një pronë të ushtrisë, me qëllim që ti hapë perspektivë ndërtimi një prone që i takon familjes së gruas së tij. Në çdo vend të botës, kjo është një kapje e pastër shteti dhe një konflikt interesi, që po ti shtosh dhe elementët antiligjorë që ka, duhet ta çojë presidentin në dorëheqje.

Përpjekjet e tij tinëzare për të bërë sikur përgënjeshtron gjëra që nuk ja kemi thënë, vetëm sa na kujtojnë tinëzaritë e Sali Berishës, që kur vajza kapej me presh në duar duke kërkuar tre përqindësha tek investitorët e huaj, babi i saj thoshte se është kërkesë  legjitime, pasi ajo ka biznesin e saj. Në këtë rast, kur vajza kapet mat duke përdorur pushtetin për të rivlerësuar, bën sikur nuk ka interes, pasi nuk është e saj, por e babait. Pra, diferenca është se më parë babai bënte të paditurin për vajzën, tani vajza bën të paditurën për babain. Është një simetri e shëmtuar, që thjesht na kujton se trashëgiminë e korrupsionit të regjimit të Berishës, tani na e mban gjallë kreu i shtetit. Ne nuk kemi asgjë me trashëgiminë e ligjshme të familjes Kosova, përfshi dhe çfarë mund të fitojë zonja Nishani. Ajo që na shqetëson më shumë është trashëgimtari Nishani, që përfaqëson trashëgiminë e shëmtuar të një regjimi që u ndëshkua me 1 milion vota për korrupsion.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›