E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikualifikim urban bllokut 34/1, Basha: Lamë pas trashëgiminë e hidhur të neglizhimit të interesit qytetar

TIRANE- Me një investim prej 36,2 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikualifikimin urban të bllokut 34/1, në njësinë bashkiake nr. 8. Rikonstruksioni i këtij blloku prej 2.3 ha, u shërben 5 000 qytetarëve të zonës.

Në këto punime u trajtuan hapësirat e lira brenda sipërfaqes së bllokut, me ndërhyrje të rehabilitimit dhe rikualifikimit urban, duke ndërtuar edhe hapësira për parkimin e mjeteve. Janë mbjellë 58 copë shkurre dekorative dhe pemë e po ashtu janë vendosur stola për
banorët, ndërsa të gjithë sheshet dhe rrugët janë pajisur me kosha të vegjël për hedhjen e mbeturinave. Për ndriçimin e rrugëve dhe shesheve, janë vendosur gjithsej 23 copë ndriçues, janë realizuar punimet për ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, duke zgjidhur përfundimisht problemin e gjithashtu janë kryer edhe punimet për sinjalistikën rrugore vertikale dhe horizontale.

“Ky është rezultat i një investimi të mirëplanifikuar të Bashkisë, në bashkëpunim me komunitetin dhe njësinë bashkiake nr.8 dhe është pjesë e paketës së blloqeve që ne buxhetuam për vitin 2012, ndërkohë ju kujtoj se puna ka filluar për afro 6 blloqe të buxhetuara me vitin 2013 dhe në total, deri në fund të korrikut, anembanë qytetit të Tiranës, 30 blloqe me një sipërfaqe totale prej afro 300 ha do i nënshtrohen një investimi të plotë, që do kthejë parametrat normalë dhe evropianë të jetesës në këto lagje të Tiranës. Siç e shikoni, angazhimi ynë vazhdon, shtrihet në çdo lagje, çdo rrugë dhe çdo rrugicë, në qendër apo periferi, në zona të vjetra e të reja të Tiranës dhe nuk do ndalim, deri sa Tirana në tërësinë e saj, të ketë arritur parametrat e një qyteti modern dhe evropian dhe të kemi lënë pas trashëgiminë e hidhur të moskokëçarjes dhe neglizhimit të interesit qytetar” – u shpreh z. Basha.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›