E Diel, 1 Nëntor 2026

Rilind plazhi i Nartës, FSHZH investon për bregdetin e Vlorës

Plazhi i Nartës është ndër më të bukurit e bregdetit të Vlorës. Dy javë më parë zona u përfshi nga aksionet e ndërtimorëve, të cilët shembën 15 restorante, bare dhe ndërtime të ndryshme pa leje. Tashmë zona duket se po rilind. Ajo është pastruar

nga gërmadhat dhe po bëhet gati për pritjen e pushuesve, të cilët këtu mund të gjejnë detin e pastër dhe rërën e bardhë. Sipas Fredi Berberit, kreut të Komunës Qendër, që administron këtë zonë, lokalet e ndërtuara pa kriter në këtë plazh ishin bërë pengesë serioze për kryerjen e investimeve serioze. Tashmë pas aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje, u krijuan kushtet për fillimin e investimeve për rehabilitimin e plazhit dhe për ta kthyer këtë zonë turistike në parametra bashkëkohorë. Me investimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, që prej një jave ka filluar puna intensive për rehabilitimin e zonës së plazhit të Zvërnecit dhe Nartës. Këto ditë pritet të bëhet pastrimi dhe përpunimi i rërës së plazhit, duke e situr dhe hequr papastërtitë, ka thënë  kreu i Komunës Qendër. Ndërkaq, ai ka vijuar se së shpejti do të nisë puna për rehabilitimin e rrugës kryesore që lidh plazhin me pjesën tjetër të vendit. Është parashikuar që të bëhet asfalti dhe ndriçimi i saj, të ketë vend parkimi për makina dhe banja publike, në anë të saj. Ndërkaq, do të punohet për shtrirjen e tubacionit të ujit të pijshëm nga Vlora në zonën e plazhit, si dhe do të ngrihet një qendre shëndetësore që do tu vijë në ndihmë pushuesve.

Spitali psikiatrik i Elbasanit pa personel, kërkohet transferimi i 60 pacientëve
Mungesë kapacitetesh për trajtimin e të sëmurëve mendorë, si dhe mungesa e personelit mjekësor. Këto mbeten dy problemet më shqetësuese për spitalin rajonal psikiatrik, Sadik Dinçi në qytetin e Elbasanit. Nuk kemi më mundësi strehimi dhe trajtimi për çdo të sëmurë që paraqitet në spitalin tonë. Përveçse një kategorie të sëmurësh, nuk mund të pranojnë çdo rast që vjen këtu, ka pohuar drejtori i këtij spitali, Kamber Balla. Sipas tij, në godinën spitalore strehohen dhe trajtohen prej vitesh rreth 60 pacientë, që nuk janë të sëmurë psikikë, por persona që shfaqin prapambetje mendore. Pjesa dërrmuese e tyre janë të braktisur nga ana e familjarëve. Sipas drejtorit të spitalit, Kamber Balla, ky kontingjent nuk duhet të strehohet në psikiatri, pasi janë jo vetëm janë një barrë e papërballueshme e spitalit, por dhe kjo kategori rëndohet më shumë nga ana psikologjike për shkak se jetojnë mes të sëmurëve mendorë. Sipas drejtuesve të spitalit këta pacientë, marrin një të pestën e financave të spitalit dhe një pjesë e mirë e personelit kujdeset për ta. Në këto kushte, Balla propozon që kjo kategori të  sëmurësh, të strehohen në shtëpitë komunitare të ngritura në qytetin e Cërrikut dhe në qendrën sociale Balashe. Në këtë spital ka mungesë të theksuar të personelit dhe stafit psiko-social dhe mjekësor. Aktualisht shërbejnë 3 punonjës psiko-socialë dhe numri i tyre duhet të jetë 9. Ndërkohë, mjekët që shërbejnë janë 4 nga shtatë që përcaktohet në organikën shtetërore. Në këto kushte duhet që të merren masa sa më shpejt për sistemimin e të sëmurëve, ka përfunduar Balla.

Last Updated on E Hene, 05 Korrik 2010 21:09

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›