E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Rilindja" - parimi qëndrueshmërisë!

Në programin e socialdemokracisë, “qëndrueshmëria” vlerësohet si parimi i tretë kyç i politikave ekonomike. Analiza e këtij principi na shpie tek kuptimi mbi ekzistencën si investim për të ardhmen, tek detyrimet në vijueshmërinë e brezave dhe në raportet e dorës së parë me natyrën dhe ambientin. Si edhe shprehen socialdemokratët gjermanë: "Qëndrueshmëria përfshin një dimension ambiental, ekonomik dhe një dimension social gjithë po aq". Çështjet ambientale lidhen me qëndrueshmërinë si kushte ekzistence. Nëse pyjet shfarosen, toka zhuritet dhe erozioni bën kërdinë deri në katastrofa me përmasa sociale e ekonomike herë-herë të pallogaritshme, atëherë qëndrueshmëria nuk mund të jetë e garantuar. Dhe ne jemi përballë kësaj situate me përgjegjësinë e shkaktarit, të indiferentit dhe në rastin më të mirë, të atij që nuk ka fuqi të ndalojë shkatërrimin. Për 23 vite "sëpata e marrëzisë" sonë ka goditur në trupin e natyrës si mbi një bishë të egër dhe jo si mbi krijesa të pafajshme. Kemi në kujtesë "dosjen e drurit të arrës" që ish-prokurori tha se nuk do të digjej, ku ishin përfshirë dhe deputetë. Pyjet e Lurës janë qethur si një kokë e sëmurë me qere, e të dhemb kur e sheh atë pamje fatkeqe. Kodrat e bukura mbi Sarandë në vend që të mbilleshin me pyje, janë mbipopulluar me njolla betoni, aq sa "vrastarët" nuk u ndalën deri edhe në prerjen e pemës së Xhixhibanozit dhe disa drurëve të tjerë të rrallë, që Mbreti Zog i kishte sjellë nga jashtë dhe ishin mbjellë në hyrje të qytetit. Kodrat e buta të Ulzës, një bukuri natyrore mahnitëse, janë duke rrëshqitur e shkuar me përrenjtë në ultësira drejt detit. Parametrat e humbjes së dheut si ton/ për metër 3, janë në Shqipëri disa herë më të larta se normat e lejuara të Bashkimit Europian. Nëse ujërat ndoten dhe lumenjtë mbushen me mbetje urbane, kjo është kriminale dhe qëndrueshmëria në zhvillim është gati e pamundur. Vija bregdetare e betonuar, aq sa ujët e detit lajnë "këmbët" e godinave dhe kur kalon në Vlorë apo Sarandë, nuk e sheh më detin. Kjo është kriminale dhe kërkon ndëshkim ligjor e ndërhyrje për zhbërje. Ranishtet buzë Adriatikut janë shpyllëzuar nga pishat dhe janë mbjellë me godina, e tanimë që gropat septike u mbushën, po derdhen për "shtatë palë qejfe" duke nxjerrë jashtë përdorimit vilat me kosto qindra mijëra euro. Detet janë pritëse të pafuqishme të ujërave të zeza, aq sa gjallesat që të rigjallërohen në një proces të natyrshëm, kanë nevojë për disa dekada. Nëse ajri është i ndotur në atë farë feje, saqë mund të thuash se ka pisllëk që mban disi edhe ajër të pastër, sepse ka zona në kryeqytet që sasia e grimcave që thithim shkon gati në 36 kg në vit, atëherë gjithçka është e rrezikuar. Në qytetet tona nuk ka matës publikë që të tregojnë në çdo dy-tri minuta nivelin e Co2 dhe gazrave të tjerë në ajër, si dhe lagështinë e temperaturën. Marrëdhënia me ekosistemet është armiqësore dhe në gati dy dekada kemi treguar si shtet, si institucione, si biznes, si shoqëri civile, si komunitete dhe si pushtet lokal; se nuk duam t'ia dimë për qëndrueshmërinë. Shqipëria me propagandë mburret sajë kasnecëve të partive politike, se do të bëhet një vend i zhvilluar. Por se fillimisht, mendoj se na duhet që të gjithë të kontribuojmë që Shqipëria të bëhet një vend normal, ku natyra mbrohet dhe ciklet e saj bio apo të kultivuara nga dora e njeriut në një kujdes të programuar, të shndërrohen në programe afatgjata dhe të kujdesura nga kontrolli i pandërprerë.

Tek udhëton fshatrave të bregut dhe sheh "Kalinjotin", ullirin e vjetër shekullor, që është mbuluar nga ferrat, jashtë çdo lloj kujdesi, as spërkatje, as vaditje, as krasitje, as gjë prej gjëje dhe po në të njëjtën kohë dëgjuam se do të mbilleshin 20 milionë rrënjë ullinj, por që tullumbacja u shfry dhe u mbollën a s'u mbollën 2% të rrënjëve; e gjitha kjo përpos trishtimit të revolton. Mungon ai burri me trup lastar, me ata flokë të gjatë si "rilindasit" e vërtetë, që erdhi nga jashtë me një fidan në dorë, dhe ngado që shkoi fidane mbolli, duke pyllëzuar kodrat nga Elbasani-Tirana -Durrësi me vreshta, njeriu i natyrës dhe punës, agronomi i shquar dhe shqiptari me nder kombëtar, Abedin Çiçi. Kur desh të pyllëzonte Dalmacinë me ullinj, Perandori i Austro Hungarisë nxori një dekret, ku urdhëronte se gjithkush që do të mbillte një dru ulliri do të merrte shpërblim 3 shilinga dhe nëse e rriste deri në prodhim, do të përfitonte edhe 6 të tjera. Vitet e fundit një grua aktiviste afrikane u nderua me çmimin Nobel për paqe, me motivacionin për kontribut në Afrikë në përmirësimin e jetës së njerëzve të mizerjes. Ajo këshillonte mbjelljen e pemës që e lidhte me jetën dhe slogan i saj ishte: "Të mbjellësh një pemë është punë e lehtë, të mos e presësh atë është e vështirë". Çdo gjë dëgjojmë në media, edhe gjatë fushatës së fundit elektorale, goxha fjalë e premtime. Veshët na zunë mençurira e marrëzira, mburrje të pështira dhe broçkulla të "ambalazhuara", patriotizëm të tejkaluar dhe patriotizëm kallp. Dëgjuam shifra dhe antishifra, statistika dhe antistatistika, prognoza dhe antiprognoza, por se për raportin; njeriu e shoqëria nga njëra anë dhe natyra e ekosistemet nga ana tjetër, nuk na zuri veshi të flitej; as majtas e as djathtas, as në qendër dhe në qendërzimet labile pa identitet. Pushtet, pushtet, pushtet! Vetëm këtë e dëgjuam aq shumë, deri në neveri. Rilindasve iu takon ta studiojnë edhe teorikisht këtë raport. Nëse ai është i shëndetshëm, për socialdemokracinë, ky është edhe një faktor mirëqenie. Lëvizja e para fare pak javëve në Turqi, ku rinia ndaloi dhunën e tregut për të prerë pemët e sheshit "Taksim", dhe i tha politikës se; ato pemë ishin jeta e tyre për sot dhe për të ardhmen, por edhe identiteti historik, ishte një leksion goxha me vlerë për shoqërinë globale dhe jo vetëm atë turke. Ne shqiptarët edhe "Poemën Kombëtare" - themeluesen e gjuhës shqipe, e kemi një himn për natyrën deri në dimensione panteizmi, "Bagëti e Bujqësi". Por se edukatën për t'u mirësjellë me të, e lamë në mëshirë të fatit, dhe natyrën gjithashtu. Druri Piperit, pemë ekzotike që u soll për herë të parë nga poeti kombëtar Naim Frashëri në Sarandë, në fund të shekullit të XIX, bashkë me Bukovilën, u prenë fatalisht para pak kohe. Mjaft pemë si Frashëri, Ekualiptet e të tjera janë mbjellë kudo në qytetin e Fierit, te "Pazari i Vjetër", aty ku është Liceu Artistik "Jakov Xoxa", rreth vitit 1905. U blenë dhe u sollën nga Janina me porosi të Ymer Pashë Vrionit, nga bahçevani i tij Jorgji Kondakçiu, i cili sistemoi gjithashtu dhe rrepat e vjetër në rrugën e Vlorës në të dalë të Fierit, ku kalonte një përrua. Mjeshtri gjithashtu mbolli dhe rrepë të reja në rrugën e re. Kohët e fundit, pema e Piperit, shumë pranë Bashkisë së Qytetit është prerë. Tek udhëtonte në Shqipëri Miss Edith Durham, ajo shijonte edhe natyrën e vendit tonë, por se do të parapëlqeja të citoja një pasazh të "Brengës së Ballkanit", kur Durham përshkruan bukuritë natyrore të Oroshit në Mirditë: "Poshtë nesh dukej lugina shumë e pyllëzuar dhe përtej çuka të mbuluara me dëborë, të cilat shquheshin qartë përmes ajrit të pastër të mëngjesit. Një pamje e madhërishme pa krahasim, gjithë natyra e egër si të ishte para krijimit të Adamit, kurrë nuk qe shkelur nga këmba e njeriut…! (Edith Durham, "Brenga e Ballkanit", botimi shqip, faqe 340). Ky përshkrim është bërë diku 104-105 vite të shkuara. Himni është magjik. Aludohet sinqerisht me një peizazh që parakalon në histori për nga bukuria edhe kopshtin e Edenit.

Një personalitet konsiderohet historik nga veprat. Shpesh të tilla janë betejat e fituara në luftëra, apo zbulime të tilla që kanë influencuar në ndryshimet e vrullshme. Nëse përmendim emrin e presidentit të 26-të të SHBA-ve, Theodor Rusvelt, një nga më të shquarit në fillim shekullin XX,(1901-1909) shumëkush do të sillte në kujtesë se ai është fituesi i çmimit Nobel për Paqen, pasi kontribuoi për "Traktatin e paqes mes Japonisë dhe Rusisë". Ai është një nga iniciatorët për ndërtimin e kanalit të Panamasë, por ka edhe më. Theodor Rusvelt "organizoi shërbimet për pyjet, krijoi pesë parqe dhe 150 pyje nacionale si dhe 50 rezervate natyrore". Veprime të tilla tregojnë me fakte, me vizion, dashurinë për atdheun dhe drejtpeshimin për ecurinë e jetës në gjenerata që vijnë. Ky është shembulli. Përtej tij mund të gjesh fjalë që nuk vlejnë. "Natura non facit saltus"- Natyra nuk ndalet, ajo e mbanë ekuilibrin. Konservimi i burimeve natyrore, mbrojtja e klimës, mbrojtja e gjallesave dhe kufizimi në maksimum i ndotjes së ambientit janë aspektet thelbësore për qëndrueshmërinë ambientale. Të drejtat themelore të njeriut, shprehur edhe në "Kartën e OKB-s" bartin si thelb edhe të drejtat ambientale ose si edhe janë artikuluar në (Article 12)- "përmirësimi i të gjitha aspekteve të higjienës ambientale".

Ky kujdes jo thjesht parandalon ndotjen që rrezikon jetën e brezave që vijnë, por është i lidhur me kushtet që njeriu sot e gjithë ditën ka si të drejtë jetike; që të thithë ajër të shëndetshëm dhe të pijë ujë të pastër. Madje socialdemokracia suedeze, në konceptet e saja për "mirëqenien", duke tejkaluar kuptimin thjesht ekonomik në lidhje me të, e konsideron mirëqenien edhe si kusht ambiental, edhe si natyrë e shëndetshme që mbron jetën e njeriut. Qysh në vitin 1983 "Komisioni Brundland" (emrin e mori nga kryeministri Norvegjez i asaj kohe) ideja për "qëndrueshmërinë" u konsiderua prej OKB-së dhe u formulua: "Zhvillim i qëndrueshëm është zhvillimi që kënaq nevojat e tanishme, pa rrezikuar aftësitë e gjeneratave të ardhshme për të kënaqur nevojat e tyre". Koncepti qëndrueshmërisë ka edhe dimensionin e vet ekonomik. Kjo është e lidhur me formën e ravijëzimit dhe modelin e realizimit. Në vitin 1998 "komiteti hetimor" ngritur enkas për "qëndrueshmërinë" raportonte në Bundestag, duke nënvizuar se, "qëndrueshmëria" nënkupton në aspektin ekonomik, krijim të shëndetshëm dhe për brezat që vijnë, me qëllimin thelbësor për të mbajtur një ekonomi sociale të tregut. Tek e fundit, kërkon shpenzime në mënyrë të veçantë në "welfare state" që do të duhen të jenë në mënyrë të fuqishme dhe mbështetur me projekte afatgjatë, si investime në: 'Arsim, Kërkim, dhe Infrastrukturë'.

* * *
Në ditët tona përballë krizës globale financiare, qëndrueshmëria ekonomike merr një prioritet gati absolut. Çdo lloj fitimi afatshkurtër iluziv nuk duhet të llogaritet si sukses. "Rregullimi i pasigurisë është krejtësisht i pazakontë. Tregjet kanë nevojë të ulet inflacioni, të kontrollojnë kreditë e pakthyera dhe disintegrimin e tyre në të njëjtën kohë…. Liderët botërorë urgjentisht kanë nevojë të mësojnë se ata duhet të udhëheqin tregjet dhe jo të përpiqen t'u shkojnë pas atyre. Natyrisht, ata kanë nevojë gjithashtu të hartojnë politika të drejta të farkëtuara me konsensus sa do i vështirë qoftë ai". (George Soros, "Financial Turmoil" page 89). Në këtë kuptim qëndrueshmëria nuk mund të jetë pasojë apo rrjedhojë spontane rrethanash. Qëndrueshmëria konceptohet, modulohet dhe ndërtohet me projekte konkrete afatshkurtra dhe më e rëndësishmja afatmesme dhe afatgjata. Qëndrueshmëria është vizion. Vizionet lindin nga strategjitë. Strategjitë ushqehen nga idetë. Idetë krijohen nga studimet e thelluara dhe krahasuese. Tronditjet e herëpashershme në shoqëri, shprehin qartazi mungesën e qëndrueshmërisë. Kjo lloj thyeshmërie ka shkaqe dhe kurohet me ndërhyrje të thella. Edhe kur ndodh që dëmet apo rrëshqitjet të jenë të pjesshme apo sektoriale, goditjen e merr ekonomia dhe shoqëria në tërësi. "Test plotësisht i qartë u bënë vendet në tranzicion prej komunizmit në ekonominë e tregut, ato vende që ndoqën konsensuset e Washingtonit dështuan konkludon Joseph Stiglitz - ato janë duke vuajtur rritjen e pabarazisë dhe të pastabilitetit, madje demokracia atje duket më pak e sigurt. Suksesi ka kuptimin e qëndrueshmërisë, barazisë, zhvillimit demokratik, që fokusohet në rritjen e standardit të jetesës e që matet me uljen e vdekshmërisë foshnjore, me lindjet e reja dhe jo vetëm me matjen e GDP-s. Që rritja të jetë e qëndrueshme, lipsen disa kushte si: çështjet e ambientit, zbrazja e burimeve natyrore duke i pakësuar, marrja e borxheve nga jashtë. Kjo lloj rritjeje nuk është e qëndrueshme, - e mbyll arsyetimin e tij, nobelisti Josef Stiglitz. (marrë nga libri i tij titulluar "Making Globalization Work, faqe 44). Në librin e tij "What Next?"-Surviving the Twenty-First Century- autori Chris Patten; shtron një pyetje kyç, e citoj: "Në ditët tona, sa shumë mund të bëjnë dhe të realizojnë shtetet në vendet e tyre? A mundet ato të garantojnë për qytetarët e tyre sigurinë dhe shtetin e mirëqenies, sigurimin e kufijve, rregullimin e aktiviteteve ekonomike, parandalimin e rënies ekonomike, mbrojtjen e shëndetit publik, ndalimin e katastrofës ekologjike? Sa më shumë ambicioz bëhet fjalori i aspiratave të shtetit, saje premtimeve të liderëve politikë në përmbushjen e çdo lloj lumturie, po aq kapaciteti i shtetit në sigurimin e këtyre premtimeve shfaqet se bëhet edhe më i dyshimtë".(Libri përmendur, faqe 9).

Le të analizojmë trinomin Arsimi-Kërkim Shkencor-Infrastrukturë në realitetin e vendit tonë. Çfarë ka ndodhur me arsimin në Shqipëri në këta 23 vite? Ndryshime me kahje dhe arnime të shëmtuara, ikje e trurit dhe kthime të tij. Reformat në arsim fatkeqësisht as e përafruan të ardhmen tek ne, as përgatitën gjenerata elitash që të ndihmonin zhvillimin, duke i dhënë ritmin dhe drejtpeshimin pikërëndesave historike. Reformat strukturore ose kanë qenë atavizma të shekujve, ndarja e arsimit të mesëm në profil shkencor natyror dhe shoqëror, është realizuar në fund të shekullit XIX nga Aleksandri II i Rusisë, dhe kjo është tek ne "vepër" e socialistëve të parë në pushtet 1997-2005. Po këta nën shembullin më pa shembull të Europës, modelin grek, prishën gjimnazin me katër vite dhe sajuan sistemin 9-të vjeçar, vetëm që ministri socialist në ikje i asaj kohe, të bënte dhe ca tendera librash shumë milionësh. Tani dëgjojmë që duan të bëjnë sistemin unik me 6 klasë, si në kohë të mbretërisë dhe kjo për tendera librash. Shkatërrimi i arsimit të mesëm dhe e ashtuquajtura "Matura shtetërore", solli si realitet që në Tiranë provimet ruhen me polic, dhe jashtë kryeqytetit, deputetët urdhërojnë mësuesit dhe drejtorët e shkollave, të japin zgjidhjen e gatshme. Kjo sjellje ka bërë që niveli i atyre që shkojnë në shkollën e lartë me planifikim qeveritar të jetë shumë, shumë i ulët, as për shkollë të mesme. Shkelet ligji i Arsimit të Lartë, hartuar po nga ekzekutivi dhe miratuar nga Parlamenti, në lidhje me kriteret që përcakton "Standarti Shtetëror i Cilësisë", ku janë taksative: Hapësira m3 për student, kriteret e dritës, zhurmës, akomodimit apo shërbimit në internet, numri i pedagogëve për studentë dhe drejtimi i temave në fund të çdo niveli, etj. Arsimi i mesëm nuk realizoi ato detyra që kishte programuar masterplani 2005-2015, hartuar nga ekspertët e BB dhe financuar prej saj. Reforma kurrikulare për të shndërruar klasën vit shkollor si e kemi sot, në lëndën klasë dhe organizmi me nivele cilësie, nuk u kryen. Marrëdhënia individ-prirje dhe korpusi lëndë formuese, të gjitha këto në lëndët me detyrim dhe ato me zgjedhje, në një listë të gjatë mundësish; me qëllim që arsimi të dali nga studimi si e drejtë kolektive dhe të shndërrohet në një të drejtë të individit; edhe kjo nuk u realizua. Bilinguizmi dhe trilinguizmi nuk u realizua në mësimdhënie. Metodologjitë e komunikimit didaktik kanë mbetur ato klasike; shprehje e një skolastike gati medievale. Puna krijuese, ndërtimi talenteve e gjenive të ardhshëm, as që u konsideruan. Tekstet shkollore? Edhe për këtë problematikë ka pasur një projekt të Bankës Botërore, (autori këtyre radhëve ka takuar para se të ikte në 2005-n ekspertin e lartë të BB, që u largua me shumë trishtim kur e kuptoi se këtu tek ne ishte fjala jo për pluralizëm mendimi, por për pluralizëm tregu e fitimi) në vend që të ishin pjesë e diskutimeve në mediume të përvojës mësimdhënëse dhe asaj shkencore, me qëllim pluralizmin e mendimit, si mendim afirmativ, mendim plotësues dhe mendim alternativ, përfunduan në pluralitet konkurrimi në tregun e librit me qëllimin e vetëm, kush e kush të siguronte sa më shumë tituj, dhe sa më tepër nga fondet publike që planifikohen për tekstet. Gjatë këtyre viteve le të kujtojmë që në librin e historisë zbuluam se Greqia vinte deri në Vlorë dhe ministri radhës demokrat; justifikohej se ishte një gabim, marrë nga një libër i një autori të huaj, e të tjera si këto. Tekstet janë mjaft të bezdisshëm, me gabime (anti) shkencore, me gjuhë të lodhshme dhe jo komunikuese, me ngarkesa artificiale, pa vijueshmëri nga cikli në cikël dhe nga viti në vit dhe krejt të pashoqëruara me imazhe, me diagrame e video. Nuk u krijuan as shkollat e elitës, një model europian i kudotakuar ky, jo vetëm në Zvicër, por dhe në Hungari e Slloveni. Nuk u ndërtuan as shkollat me profile teknike e teknologjike. Si përfundim, ajo masë e të rinjve që përfundon shkollën e mesme me rezultate shumë të larta dhe që realisht ka investuar për dije, ikën nga atdheu pa kthim, për studime dhe punësim jashtë Shqipërisë. Në këto kushte nuk ka QËNDRUESHMËRI! E ardhmja ose mbetet brenda vendit e plagosur, ose ikën jashtë vendit, duke lënë pas një boshllëk shumë, shumë të madh. Ikja e energjisë sonë antropologjike, kjo është sëmundja jonë e shekujve. Gjithë mediokriteti mbetet në atdhe dhe "prostituon" me politikën, duke e veshur identitetin mjeran me kostume diplomash në disa fusha, të marra pa shkuar në shkollë, pa çka që sa hapin gojën i kupton se sintaksa e tyre është distrofike, fjalori i vobektë, arsyetimi jologjik deri në keqardhje dhe argumentet ca copëza të retorikës së ditës, "më the të thash", "ai më shau unë e shaj." "Studia adolescentiam alunt, senenctutem oblecant"-thoshte Civeroni- që do të thotë; "Studimi ushqen rininë dhe ngadalëson pleqërinë, mësohet gjithë jetën". Gjatë viteve 2005-2013 arsimi lartë u dëmtua edhe më rëndë. Deri në korrik 2005 kishte vetëm katër universitete private, elitare dhe krejt të justifikuar. Ishte Universiteti New Yorkut, me kurrikul të deleguar nga një zinxhirë universitetesh me këtë emër në SHBA dhe në Europë. Universiteti "Luarasi" specializuar vetëm në Drejtësi, që pranonte me kriter mesataren e gjimnazit mbi 8,5 dhe ku lektronin pedagogë shqiptarë dhe të huaj nga më të njohurit, akademikë dhe personalitete të fushës së drejtësisë. Të gjithë studentët e tij që vijojnë jashtë vendit studime për MA apo Doktoraturë, nuk japin asnjë provim shtesë. Universiteti "Zonja e Këshillit të Mirë", një bashkëpunim me Shtetin e Vatikanit, me kurrikul të deleguar nga Universiteti Bolonjës dhe Shkolla e Lartë Universitare për kinematografi dhe multimedia "Marubi", që ishte kushti për t'u pranuar në Euroimazh, çka ishte i nevojshëm për integrimin europian të vendit. Në muajt e fundit të vitit 2005, "aparatçikët" e MASH dhe qeveria në ikje, bën si bën dhe licencuan "UFO"-University, vetëm për stomatologji dhe universitetin "Marin Barleti" me dy fakultete, Trilinguizëm dhe Matematikë-Informatike. Për tetë vite 2005-2013 vendimet e qeverisë, Parti Demokratike& LSI sajuan 55 universitete private. Një pyll pa inventar, sepse vetëm pedagogë po të llogaritësh nuk gjen. Po temat në nivelin Bachelor cilat janë? Po temat në nivelin MA cilat janë dhe me çfarë efekti në zhvillimin, për rritjen dhe qëndrueshmërinë?! Mes tyre ka dhe seriozë, të rregullt dhe në korrektesë me ligjin. Por se shumica absolute janë jashtë kontrollit, jashtë standarteve dhe jo në përputhje me Ligjin e Arsimit të Lartë. Çfarë do të bëjnë "Rilindasit" me Arsimin e Lartë? Këtë ende nuk e dimë. Në programin e tyre nuk shohim as përvijime profesionale dhe as trase ndryshimi. Gjatë fushatës elektorale ata që flisnin për arsimin ishin entuziastë pa kompetencë, "reformator" pa ide dhe pa asnjë lloj kontributi në arsim. Ndonjë person i shkëputur, mes tyre, që e njeh arsimin e lartë, nuk e shohim të përfshirë në ekzekutivin e lart politik. Në vitin 2005 Partia Socialiste kishte gati draftin për një reformë tërësore për arsimin, nga ai parashkollor deri tek ai postuniversitar, që përfshinte ngritjen e një "Njësie Permanente" me ekspertë vendas dhe të huaj e që do të njihej si "Parlamenti Arsimit" me një bashkëbuxhet me dhënie nga shteti shqiptar dhe donatorë të huaj. Ky forum permanent do të ndërtonte parimet bazë të strukturave kurrikulare e syllabuseve në vijueshmëri ciklesh, nga më i ulëti deri tek më i larti, përmes një dialogu të hapur me forumet drejtuese të arsimit të ulët, të mesëm dhe të lartë. Do të nxiste lirinë reale akademike dhe do të jepte sigurinë maksimale për titujt dhe gradat shkencore, që për fat të keq në këta tetë vite u liberalizuan si të ishin shitje indulgjencash. Ja psh., një fakt që lyp shpjegim. Që të përfitosh titullin 'Prof, i assocuar' ose 'Profersor', duhet sipas ligjit që të kesh botuar së paku tri shkrime studimore shkencore në revista të huaja jashtë Shqipërisë, mediume këto me faktor impakti. Unë shtroj një pyetje. Të gjithë këta prof.të associuar që sa bëhen MA, bëhen Doktorë dhe pa u "ngrohur" si doktorë e pa botuar një shkrim në gazetë apo revistë, e pa botuar një libër, bëhen puf edhe Prof.associuar apo Professor, le të na thonë: Ku i kanë botuar jashtë Shqipërisë këta studime të detyruara? Në cilat revista?! Kaq shumë profesorë, sa u "mbollën" në këta 8 vite, i bie që gjithë revistat e botës të jenë dehur nga mendimi shkencor i shkencëtarëve shqiptarë dhe atje të kenë zbuluar një "thesar" diturie që të mrekullon me habi. I kërkoj publikisht Ministres së Arsimit, zonjës Lindita Nikolla, për të cilën kam respekt në aspektin e korrektesës, vullnetit dhe integritetit që ka; të publikojë on-line listën e revistave dhe artikujt e botuar prej tyre. Nëse është gjithçka në rregull, unë do të kërkoj falje publike. Por nëse nuk është respektuar ligji, qoftë edhe në një rast të vetëm, atëherë të kërkohet të hiqet titulli dhe personi të kthejë paratë e pamerituara që ka përfituar duke mbajtur një titull shkencor, pa qenë në rregull më kërkesat e Ligjit 'për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë'. Gjithashtu qeveria e re duhet të rishikojë lejet për tituj dhe grada shkencore, sidomos Dr, Prof.associuar dhe Prof., dhënë disa Universiteteve Private, si dhe procedurat dhe mënyra se si lëshohen në Universitetet Publike.

Mendimi shkencor është pasuri e rrallë kombëtare. Ky produkt karakterizohet nga disa tipare. Duhet të jetë i tillë që sjellë zhvillim akademik, shkencor, teknologjik dhe inovativ me ndryshime si % rritjeje në GDP. Gjithashtu ky lloj kualifikimi duhet të njësohet me objektivat e mileniumit sipas vendimeve të Konferencës së Johanesburgut, firmosur nga ish-kryeministri socialist Fatos Nano dhe ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar. Bota akademike dhe ajo universitare janë të përfshira sot në projekte afatgjata në atë që quhet "Revolucioni global kurrikular". Në Shqipëri ka pedagogë dhe njerëz të përkushtuar që kanë nisur me aktivitete serioze të merren me këtë grup-problemesh, deri në konferenca ndërkombëtare, me qëllim që në Arsimin e Lartë të realizohet trinomi universal: "Njohuri të thella shkencore e dinamike - Kompetencë shkencore profesionale dhe metodologjike - Aftësi zbatimi e kreativiteti në profesion, në kufijtë ndërdisiplinarë dhe në shumëfushësi dijesh shkencore. (Ua afrojmë këto produkte Rilindasve nëse do të kenë vullnet të bashkëpunojnë me ne, që e kemi lidhur jetën me arsimin, nismëtarë të kësaj lëvizjeje shkencore e intelektuale, por edhe nëse ata kanë aftësi për të na kuptuar). Stultorum infinitus est numerous-Numuri budallenjëve është i pafund, ose të mençurit janë pak ata duhet të dëgjohen. Kërkimi është shtylla tjetër e qëndrueshmërisë si zhvillim social ekonomik dhe gjithëshoqëror. Në ditët tona në tregun global konkurrimi në fushën e zbulimit është më i ethshmi dhe më pará-gëlltitësi. Vende të mëdha e të zhvilluara paraprijnë, por se edhe vende si Koreja e Jugut, e cila në vitet '60-të shekullit të kaluar kishte një sistem arsimi në nivelin e Afganistanit, është aktualisht ekonomi lider në prodhim anijesh, automobilash dhe produktesh inteligjente të teknologjisë së informacionit dixhital. Parimet e këtij vendi dy-tri dekada më parë ishin: Të respektojmë rrënjët bazuar edhe tek legjendat, të bashkojmë popullsinë rurale me sistemin më të përparuar të arsimit e teknologjinë, të jemi kompetitivë në tregun e invencionit. Dhe për disa dhjetëvjeçarë i realizuan objektivat. Njerëzit atje e duan atdheun të ngjizur si dashuri e vjetër dhe e re, kjo e fundit është zhvillimi cilësor i tij. Kur para disa vitesh Koreja e Jugut u përfshi nga kriza e falimentimit të bankave, atje koreanët falnin xhojeleritë që të mos rrëzohej atdheu. Nëse duam ta rilindim vendin, simbolika është si kudo dhe kurdoherë. Shikimi nga e kaluara është pikë referimi në dinjitetin historik dhe risjelljen e gjithçkaje të mirë që kemi pasur. Vështrimi nga e ardhmja ka të bëjë me afrimin e saj duke takuar zhvillimin e munguar dhe duke përshpejtuar ritmin, për të rifituar kohën e humbur padrejtësisht! Siguria e së ardhmes nis sot, çimento është arsimi në të gjithë vendin, cilësor, serioz dhe i përparuar, bazuar në standarde europiane. Modele ka shumë, unë do të rekomandoja atë holandez që u formulua: "European Platform for Dutch Education". Përfshihen në të faktorët shtetërorë dhe joqeveritarë, objektivat, hapat, mekanizmat dhe format e komunikimit deri tek botimet. Konfederata e Arsimit tek ne ka lidhje të hershme me homologen e vet në Holandë dhe kjo urë bashkëpunimi mund të rivendoset. Mjaft më me arna dhe me mballoma. Duhet modeli dhe objektivat që të ndërtojmë sistem dhe jo "llafe dhe broçkulla pa hesap". Parimi universal është: Arsimi ndryshon e zhvillohet për t'i hapur udhë progresit të shoqërisë. Kërkimi shkencor e aplikativ duhet të mbulojë fusha si: bujqësia, blegtoria, peshkimi, biodiversiteti, hidrokarburet në fushën e studimeve që lidhen me ujërat, tokën, energjinë. Duhen institucione të specializuara për monetarizmin dhe bankat, infrastrukturën, arsimin, familjen, artin, kulturën, trashëgiminë etnokulturore, religjionin, arkeologjinë, historinë, albanologjinë, gjuhësinë, planifikimin hapësinor, globalizmin dhe tregjet. Një sistem institucionesh kërkimore me specialistë të afirmuar e aspirantë të rinj, duke u integruar tek rrjetet kërkimore rajonale, europiane dhe globale do të krijonte mendimin shkencor drejtues për vendimmarrjen politike e administrative. Do të ndalet më në fund ecja verbazi pa strategji, pa ide, pa projekte dhe objektiva të kontrolluara dhe të matshëm. Prishja e instituteve ka qenë një krim, pasojat e të cilës po i vuajmë dhe do t'i vuajmë gjatë. Raca e shkencëtarëve dhe artistëve të llojit Eqerem Çabej, Skënder Luarasi, Lasgush Poradeci, Petrit Radovicka, Farudin Hoxha, Besnik Sykja Ahmet Hosja, Gjon Shllaku, Pashk Gjeçi, Skënder Anamali, Jup Kastrati, Shefqet Ndroqi,Çesk Zadeja, Agron Alija, Andromaqi Gjergji, Petro Zheji, Kristo Frashëri etj., etj., është po thuaj në zhdukje. Nuk ka dishepuj të dijes dhe vullnetit të kultivuar me kujdesin e marrjes së stafetës dhe përkushtimin për të vijuar punët e nisura prej tyre me aq pasion e skrupulozitet. Dhe ata që janë në këta ujëra të dijes, nëpërkëmben, sa kohë që shoferi bëhet ministër Shëndetësie, xhamaxhiu pronar Universitetesh dhe ligjvënës, hordhia e injorantëve me arsim fillor (të vetmin të sigurt të mbaruar), drejtojnë fatet e vendit. Është vrarë kulti i erudicionit dhe është denigruar identiteti i eruditit! Ndërsa gjen me rifuxho pseudoshkencëtarë, që rreken të na bindin se pushtimi turk ka qenë bashkë-administrim i Perandorisë Osmane. U kujtoj këtyre mendje-shtrembërve se çfarë thoshte Edith Durhami në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, se çfarë i kishte sjellë lëngimi pesëshekullor vendit tonë: "Shqipëria ishte një vend anarkik, ku njerëzit nuk i bindeshin rregullit dhe ligjit, ku zyrtarët e lartë i blinin postet dhe nëpunësit e vegjël zhvatnin njerëzit e nuk jetonin vetëm me pagat që merrnin, ndërsa drejtësi ishin caktuar të jepnin pikërisht ata që e shkelnin ligjin". Një shoqëri pa elita është e verbër. Një shoqëri me pseudoelita që varin në mure, vënë në korniza tituj dhe grada të pamerituara, është fatkeqe, ajo nuk ka të ardhme.
Në vitet që do të vijnë, nëse nuk ndalet "shitja e indulgjencave"-tituj e grada shkencore, me siguri do të jemi vend i parë në botë me analfabetizëm akademik. U trembem kur studimi Bankës Botërore dalloi analfabetizëm shkencor tek disa grupmosha. Kjo, sepse pak ose aspak dihet tek ne, se dija matet aktualisht me disa parametra dhe shprehet me konceptet e alfabetizimit praktik, alfabetizimit kulturor dhe alfabetizmit shkencor. E kundërta quhet analfabetizëm shkencor. Ky i fundit është ulur këmbëkryq tek ne, po bie erë dhe të frikëson për një të ardhme të afërt krejt të pasigurt, larg demokracisë dhe progresit. Ne ishim pjesë e Portës së Lartë, "shkencëtarë që ora u ka mbetur në Orient", por periferi e prapambetur e saj, pa ekonomi kombëtare dhe pa zhvillim vendor. Në 28 nëntor 1912 ne trashëguam vetëm 160 km rrugë kalldrëmi. Ky është bashkë-administrimi Perandorisë! Nuk kishim Bankë Kombëtare dhe treg të unifikuar! Infrastruktura e munguar shpreh mungesë komuniteti, mosfunksionim të ekonomisë si tregje prodhimi dhe konsumi. Tregon komunikim tejet të varfër, lëvizje të penguar, izolim dhe ritëm tejet të ulët, gati zvarritje.

Socialdemokracia moderne e ka përcaktuar infrastrukturën si kusht të qëndrueshmërisë, ndaj investimet për të jenë të studiuara, të llogaritura dhe gjithnjë afatgjata, me qëllimin që shoqëria të përshpejtojë ritmin dhe të mos bëjë hapa mbrapa. Në kushtet e globalizmit dhe krizës globale financiare e monetare, përballë deflacionit dhe kredive të pakthyera, investimet për infrastrukturë peshohen tani me shumë kujdes, jo në "kandarin" tradicional të trinomit, kreditim-investim-përfitim; por se në prognozat: "Prioritete të studiuara të zhvillimit-investim i garantuar dhe përshpejtues-sigurimi i qëndrueshmërisë së ekonomisë si tërësi dhe jo afeksion me sektorë të izoluar". Në studimin e tij "The Crisis and the Euro" (Krizat dhe Euro) Georgo Soros, ka zbuluar se shkaqet e krizës së Euros i kanë rrënjët në disa konceptime themelore të Traktatit të Maastricht-tit. Duke analizuar pozicionin e Gjermanisë në një ekuilibër kundërvënës, Soros tërheq vëmendjen për BEI (Banka Europiane Investimeve) lidhur me kreditimet për investime. E citoj: "Kjo është koha për të vendosur që burimet e pashfrytëzuara të punojnë duke investuar në edukim dhe infrastrukturë. Për momentin Europa ka nevojë për një sistem më të mirë të transmetimit të gazit dhe lidhja e Spanjës me Francën është më e ngutshme. Banka Europiane e Investimeve duhej të gjente mundësi për të bërë investime të tjera, si oportunitete më të mira, si shkëmbime me bonde të gjera e të mbuluara, apo duke krijuar një rrjet elektrik më të shpejtë. "Në realitetin tonë shqiptar, fillimisht si bazament aksiomatik, kërkohet që të zgjerohet koncepti për infrastrukturën. Të mos njësohet ajo vetëm me rrjetin rrugor. Ndryshimet janë të mëdha dhe të prekshme. Por se në shumë prej tyre siguria në rrugë është shumë e ulët, madje në disa është fatale. Të udhëtosh natën nga Rrogozhina në Kavajë, në një rrugë pa ndarje mes korsive, pa ndriçim, madje dhe pa vizim në trasenë e rrugës, do të thotë udhëtim në shtegun e vdekjes. Urgjentisht duhet të hartohet strategjia kombëtare, me mbulim gjithë territorin për punimet inxhinierike nëntokësore; ujëra të zeza, të bardha, shërbime telekomunikacioni dhe internet, me periudhë 100-vjeçare. Realiteti, Shqipëria një atraksion turizmi dhe bashkëjetesa me gropat septike, është më shumë se e trishtë. Jeta është në rrezik, sepse ngarkesa mikrobiale e papublikuar na mban ende në "hije të përrallës" se jetojmë të lumtur. Ajo që u ndërtua në Pogradec nga investimi gjerman për pastrimin e ujërave të zeza duhet shtrirë në të gjithë territorin e vendit. Qeveria e re dhe Parlamenti do duhet që bazuar në një studim të konsultuar ndërkombëtar, të bëjë atë që Europa e ndërtoi në kohën e mbretërive, kur njerëzit vdisnin si mizat nga kolera dhe sëmundje të tjera që shkaktoheshin nga mungesa e higjienës dhe nga rrjedhjet e ujërave të zeza në mes të qyteteve.

Aktualisht fshati turistik i Qeretit në zonën e Kavajës është rrethuar nga një lumë me ujëra të zeza. Ku kanë fabrikat e përpunimit zotërinjtë politikanë, që shikoni deri tek hunda juaj, apo deri tek plazhi juaj privat në gjirin e fshehur të natyrës?! Kur flasim për infrastrukturë, duhet të rregullohet me një investim serioz rrjeti transmetimit të energjisë elektrike, sepse gati 40% e saj humbet në rrjetë si nxehtësi për të ngrohur ajrin e qiellit! Rekord Gines ky më vete tek 'Shqipëria një Euro'! Riaktivizimi i infrastrukturës detare dhe transportit detar. Është për të qeshur dhe për të qarë. Hungaria nuk ka dalje në det dhe ka flotë detare që lëviz nga portet e Kroacisë. Shqipëria ka dalje në det, por nuk ka flotë detare sepse e shitën për skrap ata ish-të përndjekur politikë që e morën si kompensim për vitet e burgut në periudhën e diktaturës. Planifikimi urban, Karta Europiane e Planifikimit Hapësinor, vendimet e Forumit të Hanoverit, organizuar në 7-8 shtator 2000, ku u miratuan: "Parimet drejtuese për zhvillim të qëndrueshëm hapësinor të kontinentit europian; këto grupçështjesh, nuk mund të mbulohen me vendimet e Këshillave Bashkiake e Komunale. Pa cenuar demokracinë lokale, nevojitet ekspertiza dhe orientimi studimor shkencor. Edhe disa vetmitarë që mbushin kronika televizive lajmesh, duke protestuar kundër dëmtimeve dhe masakrave antinatyrë, nuk zgjidhin gjë. Madje dalja shpesh në ekran i ka zbehur në shkëlqimin e kompetencës. Rekomandoj që ai që ka dy vjet që zhvillohet në Sarandë, "Konferenca e përvitshme" e qytetit, të shtrihet në të gjithë vendin. Qytetet kryesore të binjakëzohen me qytete të mëdha të Europës dhe studimet për zhvillimin e tyre të kalojnë nga rrjete studimore të studiove europiane, ndërsa vendimet aprovuese të kalojnë tek forumet e zgjedhura që ligji ua njeh si të drejtën kushtetuese për vendimmarrje. Nëse vijohet kështu, e gjithë Shqipëria do të jetë e mbyllur në beton, dhe "Muri" Sartrit, nuk do të jetë asgjë përpara murit tonë me autor "Marrëzinë"! Rilindja duhet të rivitalizojë infrastrukturën e monomentalizmit fetar dhe historik, jo të gjejë si zgjidhje të japë leje për byrektore tek kështjellat historike. Sa poshtë kemi rënë. Nga njëra anë ngremë lart figurën e Skënderbeut, heroit kombëtar duke sjellë në "Muzeun Kombëtar" përkrenaren e tij dhe duke pelegrinuar për ta vizituar nga të gjitha trevat shqipfolëse, po ne si shtet, si ekzekutiv e si shoqëri lejojmë që veprat e artit të rripen me sqepar, ikonat të vidhen e trafikohen, dhe monumentet e arkeologjisë dhe ato të historisë të bashkëjetojnë me qebaptoret dhe të "përmirret" mbi to pa teklif nga kushdo që e ka këtë nevojë fiziologjike urgjente dhe nuk ka ku ta kryejë atë. Na duhet një strategji kombëtare për menaxhimin e mbetjeve urbane duke instaluar fabrika rajonale për deaktivizimin e tyre, si dhe një grumbullim të veçuar sipas përbërjes që kanë, duke i ricikluar në maksimum ato dhe jo ligj për importe nga jashtë të mbetjeve të të tjerëve. Në këtë fushëpamje kuptohet "qëndrueshmëria". Socialdemokratët gjermanë thonë: "Qëndrueshmëria ka gjithashtu një dimension social: qëndrueshmëria sociale ka të bëjë me pjesëmarrjen permanente të të gjithë anëtarëve të shoqërisë edhe përgjatë situatave të tensionuara sociale. Me fjalë të tjera, qëndrueshmëria do duhet të sigurojë nevojat bazike dhe pjesëmarrjen sociale". Qëndrueshmëria në Programin Socialdemokrat të Hamburgut formulohet si e tillë, e citoj: "Principi qëndrueshmërisë do të thotë: duke menduar në terma të së ardhmes, do duhet të përballohen të dyja, prioritetet afatshkurta me dominancat e konsiderimeve ekonomike dhe logjika e menaxhimit të biznesit. Ai nënkupton konceptimin e politikës në kushtet e shoqërisë dhe duke kuptuar larmishmërisë demokratike, qëndrueshmërinë ambientale, integrimin social dhe pjesëmarrjen e kulturuar si principe udhërrëfyese të politikës socialdemokrate". Në anatominë e vet, kjo sentencë programore jep lakoret në hapësirë dhe në kohë. Struktura është: programo të ardhmen-orientohu nga dominancat ekonomike dhe harmonizo demokracinë plurale me mbrojtjen e ambientit, integrimin social dhe zhvillimin kulturor. Sintetizimi i tyre quhet rritje cilësore, zhvillim me principe dhe krejt i matshëm ky. Do flasim dhe për të. Historia vazhdon. "Vide et credere" - (Shiko dhe beso), njeriu beson në atë që provohet! Rilindja, ky program ambicioz dhe i domosdoshëm për vendin fillon pas disa ditësh rrugëtimin. Unë besoj tek ai, ndaj jam kaq kritik. Atje ku nuk besohet, as mendohet, as gjykohet, as nuk mbahet qëndrim kritik. Ajo kohë u mbyll më 23 Qershor!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›