E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rilindja’ e Ramës, ‘Rilindje’ e hajdutëve”

05-01-2013 / Gazeta 55

PD, deklaratë pas arrestimit për vjedhje të zyrtarit të PS në SHBA

Partia Demokratike ka kërkuar shkarkimin e Sekretarit për Çështjet Sociale dhe Ekonomike në PS, Kosta Barjaba, dhe bashkëshortes së tij Fatbardha Barjaba, zëdhënëse e këshilltarëve të PS në këshillin bashkiak të Tiranës.
Sipas zyrës së shtypit të selisë blu, bashkëshortët Barjaba kanë kryer aktin e shëmtuar të vjedhjes në qendër tregtare në Kaliforni, duke e cilësuar produkt të motos së Edi Ramës: “Të bashkohemi me gjithë fundërrinat për të përmbysur Sali Berishën”.
PD deklaron se përpjekjet e zëdhënësve të PS dhe të mediave që Rama kontrollon, për të mbrojtur aktin e shëmtuar të sekretarit Kosta Barjaba, dëshmon se rilindja e Ramës nuk është gjë tjetër veçse rilindja e hajdutëve.
“Dje mediat e vendit, bazuar në njoftimet zyrtare të policisë së qytetit Palo Alto të Kalifornisë, njoftime këto të publikuara edhe nga mediat amerikane, njoftuan se Kosta Barjaba Sekretar për Çështjet Sociale dhe Ndihmën Ekonomike në Partinë Socialiste, u arrestua pasi u kap duke vjedhur në mapon e këtij qyteti bashkë me bashkëshorten e tij Fatbardha Barjaba zëdhënëse e Këshilltarëve të Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Ky akt i shëmtuar fakton edhe një herë se ‘Rilindasit’ e neo – bllokmenëve vjedhin por ‘me lezet’ siç shprehej njëri prej tyre pak kohë më parë. Kurse Sekretari për Programin e Partisë Socialiste për Çështjet Sociale dhe Ndihmën Ekonomike u dëshmua se është një xhepist i thjeshtë. I kërkojmë zotit Edi Rama të shkarkojë menjëherë xhepistin e tij nga funksionet e larta që ai i ka besuar, në rast se vetë nuk ndan trofetë që ky kleptoman siguron me profesionin e tij. Ky akt i shëmtuar është produkt i motos së Edi Ramës ‘Të bashkohemi me gjithë fundërrinat për të përmbysur Sali Berishën’. Partia Demokratike deklaron se, përpjekjet e zëdhënësve të Partisë Socialiste dhe të mediave që Rama kontrollon, për të mbrojtur aktin e shëmtuar të Sekretarit Kosta Barjaba, dëshmon se ‘Rilindja’ e Ramës nuk është gjë tjetër veçse ‘Rilindje’ e hajduteve”, thuhet në deklaratën për shtyp të PD.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›