Rimbursim 100% për ilaçet e të sëmurëve me veshka
zirina llambro
Ilaçet për të sëmurët me veshka do të rimbursohen 100% nga shteti. Madje këtë vit janë shtuar edhe alternativa të shtrenjta e më efektive për ta. Këtë bënë me dije dje mjekët e urologjisë. Pas realizimit me sukses të transplantit të parë të veshkës, ata nxorën dje nga spitali 19-vjeçaren, Mitilda Gode, që iu nënshtrua ndërhyrjes. Bluzat e bardha dhanë garancinë se ajo gëzon shëndet të mirë. Sipas shefit të shërbimit të urologjisë, Mustafa Xhani, Mitilda tashmë mund t’i rikthehet normalitetit. Ai shtoi se klinika e urologjisë po përgatitet për transplantin e dytë. “Kemi dy pacientë, mes të cilëve do të përzgjedhim, edhe ata i përkasin moshave të reja. Jemi gati për transplantin e radhës, të cilin duam ta kryejmë në fund të këtij muaji”, tha Xhani. Jo pak emocionuese kanë qenë momentet kur 19-vjeçarja ka lënë pavijonin mes përqafimeve e urimeve nga i gjithë stafi i mjekëve. Bashkë me të është larguar nga ky pavijon edhe i ati, i cili ishte dhuruesi veshkës së të bijës. Ai shprehet se ndjen t’i ketë dhënë vajzës jetë të dytë. Shefi i shërbimit të nefrologjisë, Nestor Thereska, i cili do të përgjigjet për ndjekjen në vazhdim të pacientes, nënvizoi se trajtimi prej stafit të mjekëve do të ofrohet për për 6 muajt në vijim. “Kjo për të realizuar atë që njihet si trajtimi post-transplantit, një periudhë kjo shumë delikate dhe që nuk duhet neglizhuar”, tha Theresha. Por përpos këtij suksesi, shoqata e pacienteve që kryejnë dializë shprehu dje publikisht një sërë pakënaqësish për mënyrën si trajtohen pacientët. Veç kësaj edhe disa kërkesa për Ministrinë e Shëndetësisë. Shoqata kërkoi që në listën e pritjes për transplant të jenë personat që për vite me radhë i janë nënshtruar këtij procesi, si dhe ata që kanë probleme me veshkat, në rast se konstatohet nga mjekët se veshkat e tyre kanë dalë jashtë funksionit. “I kërkojmë Ministrisë së Shëndetësisë, që të sigurojë transportin për këta persona, të cilët paraqiten në spital tre herë në javë, si dhe pagesë për personat që i shoqërojnë”, u shpreh kreu i shoqatës Vullnet Kajo. Pacientët që kryejnë dializë, vetëm disa ditë më parë i Kanë parashtruar këto kërkesa në komisionin e shëndetësisë, por deri tani nuk kanë marrë një përgjigje. “Dializë apo transplant për çdo shtetas që i mbaron plotësisht funksioni i veshkave, që në këtë drejtim është për t’u përshëndetur, pasi kohët e fundit është punuar dhe është realizuar transplanti i parë”, tha Kajo.
Veshkat, 1 në 10 shqiptarë i sëmurë
Një në 10 shqiptarë ka probleme me veshkat. Kjo, për shkak të mungesës së diagnostikimit të hershëm dhe pasojë e neglizhencës të një sërë sëmundjesh, të cilat i dëmtojnë ato. Sipas mjekëve, të rinjtë duhet të kryejnë pas moshës 20 vjeç analizën për nivelin e albuminës për të evituar këto probleme. Ndërsa gratë shtatzëna duhet ta bëjnë një gjë të tillë të paktën një herë në 3 muaj. Incidenca e sëmundjes është në rritje vit pas viti jo vetëm në vendin tonë, por edhe në botë. Tek mjekët specialistë në 80% të rasteve pacientët paraqiten atëherë kur janë në gjendje të rëndë. Krahas mungesës së sensibilizimit të qytetarëve për të kryer periodikisht analizat, problemi më i madh për të sëmurët mbetet trajtimi. Vendi ynë renditet ndër të fundit në rajon për kapacitet e kryerjen e procesit të hemodializës, në krahasim me raste e reja që shtohen nga viti në vit.