Rimbursimi i ilaçeve, çndodh me të sëmurët kronikë
Të kurohesh nuk është edhe aq e lehtë. Jo për faktin se mungojnë doktorët apo spitalet, të cilat më së fundmi janë kthyer në hotele për të sëmurët, por sepse ilaçet duhet të blihen nga vetë ata dhe janë shumë të shtrenjta. Aq më tepër kur barnat e rimbursuara nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor nuk kanë një efektshmëri shumë të lartë dhe sipas asaj që pretendohet nga farmacistët, janë prodhime lindore. ISKSH-ja ka paraqitur një listë të barnave, duke përcaktuar se cilat rimbursohen dhe cilat jo. Mund të trajtohesh me barnat që rimbursohen plotësisht, por nuk duhet të presësh një kurim të shpejtë dhe barna shumë efikase, tregojnë farmacistët. Në këtë mënyrë shumica e atyre që kurohen për sëmundjet kronike që zgjasin pothuajse gjithë jetën, zgjedhin të marrin barna të cilat kushtojnë më shumë dhe që nuk mbulohen nga shteti. Në një investigim të saj, gazeta Shekulli ka marrë të dhëna për sëmundjet kronike më të përhapura në Shqipëri, si dhe ilaçet më kryesore që përdorin të sëmurët. Duke bërë një përllogaritje të thjeshtë mund të shihet edhe se sa kushton që të kurohesh.
Sëmundjet më të përhapura
Sipas të dhënave të servirura nga ISKSH-ja, sëmundjet më të përhapura në Shqipëri janë ato të hipertensionit, diabetit, sëmundjet kardiake, astma bronkiale, epilepsia etj. Barnat të cilat mundësojnë kurimin e këtyre sëmundjeve janë të përfshira në listën e barnave të rimbursuara, ku vetëm medikamenti i parë mbulohet plotësisht dhe të tjerat pjesërisht. Por nëse zgjedh një rimbursim të pjesshëm, diferenca është aq e madhe sa vetëm një kokërr mund të kushtojë mbi 10 herë më shumë se ajo që rimbursohet totalisht.
Hipertensioni dhe sëmundjet kardiake
Këto janë sëmundjet nga të cilat vuajnë më shumë shqiptarët. Por dhe që kërkojnë më shumë barna se të tjerët. Nga lista e paraqitur nga ISKSH-ja janë marrë vetëm 3 barna për të bërë të mundur përllogaritjen. Barnat më të përdorura për kurimin e sëmundjeve kardiake dhe të hipertensionit janë: Izosorbitët 5 Mononitratet 20 mg, të cilat si bazë rimbursohen plotësisht 8.3 lekë/tabletë, por cilësia më e lartë paguhet 17.7 lekë/tabletë. Ndaj në këtë rast një pensionist paguan 9.3 lek/tabletë. Gjithashtu, për të njëjtin ilaç, por me përmasë tjetër, atë 40 mg, rimbursimi fillon nga 15.1 lekë/kokërr, ndërkohë cilësia më e mirë merret për çmimet 20.1 lekë/tabletë dhe 27.3 lekë/tabletë. Respektivisht paguhet 5 lekë/tabletë për të parin dhe 12.2 lekë/tabletë për të dytin. Ndërkohë, për sa i përket një tjetër barne tepër të rëndësishme për këtë sëmundje, Glyceryl trinitrate 0.4 mg/spray është totalisht i rimbursuar, ai kushton 1 051 lekë/falkon dhe është i vlefshëm për një recetë në muaj. Ai përdoret çdo ditë. Gjithashtu Amiodarone 200 mg është tepër i përdorur për kurim, ai kushton 14 lekë/tabletë kur rimbursohet plotësisht, por përgjithësisht zgjidhet tableta e importuar që kushton 25.2 lekë/tabletë dhe që jep një diferencë me rimbursimin e pjesshëm 11.2 lekë/tabletë.
Ndërkohë për hipertensionin rrethi është shumë i ngushtë në listë, pasi vetëm një lloj ilaçi është i përmendur. Ai është Methyldopa 250 mg i cili kushton 16.8 lekë/tabletë dhe rimbursohet plotësisht, ndërsa tjetri kushton 17.5 lekë/tabletë. Diferenca është e vogël dhe përkon në 0.7 lekë/tabletë, por kur merret në sasi të mëdha, rëndon disi në xhep si shpenzim. Këtu duhet përmendur fakti se ka edhe të tjera ilaçe të cilat nuk listohen nga ISKSH-ja, por që shiten nëpër farmaci me çmime më të larta.
Gjithashtu për kurimin e sëmundjeve kardiake dhe të hipertensionit merren edhe Atenolol 100 mg i cili i rimbursuar plotësisht kushton 2.6 lekë/tabletë dhe cilësia më e mirë kushton 26.2 lekë/tabletë dhe 32.4 lekë/tabletë. Diferencat janë 23.6 (ose thuajse 10 herë më shtrenjtë) për të parën dhe 29.8 lekë për të dytën (ose 12.4 herë më shtrenjtë). Duke lidhur diferencat e ilaçeve të cilat rimbursohen plotësisht dhe atyre pjesërisht, me tendencat e tregut, drejt ilaçeve pjesërisht të rimbursueshme për shkak të cilësisë më të lartë. Shohim se përgjithësisht shqiptarët paguajnë më shumë para nga se ISKSH ka menduar. Aq shumë sa që për tableta të caktuara paguhet deri në 12 herë më shtrenjtë. Një gjë e tillë ndodh për faktin se ilaçet e rimbursuara janë të një cilësie të dobët, çka bën që shumë prej të sëmurëve të detyrohen të marrin ilaçe të shtrenjta, por që janë të efektshme, shprehen farmacistët.
Sëmundja e diabetit
Problemi që haset te kurimi i diabetit është fakti se një nga gjërat më kyce në këtë sëmundje siç janë fletët që shërbejnë për të matur diabetin në gjak në momente të caktuara nevoje, janë të parimbursueshme. Këtë problem e ngrenë edhe farmacistët, por mbi të gjitha edhe vetë pacientët, të cilët duhet të paguajnë shtrenjtë për këto fleta. Çmimi shkon mbi 1 000 lekë. Janë një pjesë jetike për ne, pasi na duhen për të matur diabetin në gjak dhe si e tillë duhet normalisht të jetë e rimbursueshme, por qeveria nuk e ka menduar ndonjëherë, shprehet një nga pacientët me diabet.
Por nuk përfundon këtu. Përbërësi kryesor i recetës së atyre që kurohen për këtë sëmundje, Metformina ka diferenca të mëdha në çmime. Dozat janë të tri llojeve: Metmorfina 500 mg bazë kushton 3.5 lekë/tabletë, ndërkohë kërkohen më shumë ajo që ka emrin tregtar Sioforqë kushton 14.3 lekë/tabletë. Diferenca është 10.8 lekë/tabletë ose 4 herë më shtrenjtë (kjo nënkupton se për 10 kokrra, diferenca është 108 lekë). Ndërkohë, doza 850 mg bazë kushton 4.3 lekë/tabletë dhe më e kërkuara Siofor, 16.6 lekë/tabletë. Diferenca është 12.3 lekë/tabletë ose 3.8 herë më shtrenjtë. Doza 1 000 mg, baza kushton 13.7 lekë/tabletë dhe më e kërkuara Siofor, 22.7 lekë/tabletë. Diferenca edhe në këtë rast është 9 lekë/tabletë ose 1.6 herë më shtrenjtë.
Por insulina ingredienti kryesor, është përgjithësisht i rimbursuar plotësisht vetëm në disa raste të veçanta. Insulina humane për shembull është e rimbursuar plotësisht dhe në raste të veçanta ka një diferencë prej maksimumi 110 lekë. Por pa u trembur, kur mendon që vetëm çmimi i saj më i lirë shkon 835.7 lekë. Megjithatë diabetikët kanë edhe një tjetër kosto, atë të dietës. Dieta përkon në një ushqim konçiz për të tre vaktet: Në mëngjes duhet vezë, qumësh, djath dhe bukë thekri. Në drekë duhet kos, gjellë me zarzavate dhe mish, mollë jeshile plus një fetë bukë. Në darkë, 1 pjatë gjellë me zarzavate, kos dhe një fetë bukë.
Astma, një sëmundje thuajse e rimbursueshme
Të paktën ISKSH-ja ka menduar për ata që vuajnë nga astma. Kjo pasi pjesën më të madhe të barnave që nevojiten për këtë sëmundje, janë të rimbursueshme. Por edhe këtu mundet të blesh barna jo plotësisht të rimbursueshme. Për shembull, Salbutamol 0.1mg (200 doza) çmimin bazë e ka 331.5 lekë ndërkohë Ventolini, i cili është më efikas sipas farmacistëve kushton 497.2 lekë. Diferenca në këtë rast është 165,7 lekë ose 1,4 herë më shtrenjtë. Megjithatë, ilaçi më i shtrenjtë në listë me emër tregtar Seretide Diskus (50 mcg + 500 mcg), është 10 358,3 dhe është plotësisht i rimbursueshëm. Ky ilaç i zgjedhur posaçërisht për çmimin e lartë të tijin, ka një shumë të përafërt me pensionin e që përfiton në muaj një pensionist.
Hipoplazia e Prostatës
Një nga sëmundjet që i përkasin meshkujve, ka një kosto relativisht të lartë, si për ato barna që janë plotësisht të rimbursueshme, ashtu edhe për ato pjesërisht të rimbursueshme. Një nga barnat më të përdorura është Alfuzosina 10 mg, e cila si bazë kushton 48.3 lekë/tabletë dhe Xatrali (emri tregtar), i cili merret më së shumti, kushton 83.9 lekë. Nga rimbursimi i pjesshëm, pacienti
