Rimobilohen ambientet e brendshme të kryeministrisë
Prej katër ditësh, rreth 20 punëtorë kanë zbarkuar në kryeministri dhe kanë nisur të ndryshojnë të gjithë sallën qendrore të godinës, ku për tetë vjet, kryeministri në ikje Sali Berisha, ka zhvilluar mbledhjet me ministrat.
Tavolina e mbledhjes, e përbërë nga dy pjesë, pritet të zgjatet nga të dyja anët për shkak se numri i ministrave të qeverisë Rama është më i madh se kabineti paraardhës.
Tavolina e ministrave nuk do të jetë më ajo ngjyrë druri, por me ngjyrë ulliri të errët.
Gjithashtu ndryshime do të pësojnë edhe dritaret, të cilat janë lyer nga jashtë në ngjyrë të errët, si dhe perdet, të cilat nuk do të jenë më jeshile.
Në ditët në vijim pritet që të ndryshohen parketi dhe veshja e mureve.
Besohet se do mbeten të pandryshuara vetëm karriget dhe laptop-ët, por sërish do ketë probleme pasi në kryeministri janë vetëm 16 laptop-ë, ndërkohë që për qeverinë e re do të duhen 21.