E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rindërtimi i kanalit kullues të Gjazës, mbrojtje 1500 hektarëve tokë bujqësore


TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Kanali kullues i Gjazës në Lushnjë i është nënshtruar riparimit në pjesën fundore të tij.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur se rehabilitimi i pjesës fundore të kanalit, shmang përmbytjet për një sipërfaqe toke prej 1500 ha.

“Ky kanal si një nyje kryesore e skemës kulluese LUK 1, siguron largimin e ujërave me rrjedhje të lirë drejt detit Adriatik, duke mbrojtur 1500 hektarë tokë bujqësore në njësitë administrative Allkaj, Shegan dhe Krutje”, informoi Denaj.

Aktualisht po rehabilitohet pjesa fundore prej 7600 metër lineare.

“Ky investim rrit sigurinë ndaj përmbytjeve dhe garanton rritjen e rendimentit dhe cilësinë e prodhimeve”, tha Denaj.

Për përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka parashikuar një buxhet prej 2.9 miliardë lekësh për vitin 2025, që është një rritje prej 13% krahasuar me vitin e kaluar.

Ky buxhet do të përdoret për përmirësimin e sistemeve të ujitjes dhe përfundimin e rehabilitimit të disa projekteve në rreth 16,000 hektarë tokë bujqësore.

Sipërfaqja ujitëse e rehabilituar është dyfishuar në 10 vitet e fundit. Nga 135 mijë ha në 2015, ka arritur në rreth 265 mijë ha. Kjo sipërfaqe përbën rreth 75% të sipërfaqes potencialisht të ujitshme për tokat bujqësore. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›