Rama: Shtojmë parkimet nëntokësore, zgjidhim parkimin e dyfishtë në kryeqytet

TIRANË, 24 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot nevojën për shtimin e parkimeve nëntokësore si dhe goditjen e parkimit të dyfishtë në kryeqytet.
Gjatë prezantimit të projektit për kthimin në zonë këmbësore të ish-Bllokut, me mbështetjen e rrjetit botëror “WALK 21”, kryeministri u ndal te adresimi i problemit të parkimit të makinave në kryeqytet.
“Me siguri ne do të duhet të mendojmë për më shumë akoma hapësira parkimi nëntokësore. Ka ende mundësi Tirana për të vazhduar në atë rrugë që është nisur me parkimet nëntokësore që ka sjellë një lehtësim të arsyeshëm por ende të mjaftueshëm për shkak se nevoja është ende e madhe”, tha Rama.
Hapi tjetër, sipas kryeministrit, do të jetë goditja e parkimit të dyfishtë që është problem kryesor.
“Kjo do të bëjë që shumëkush në distancë të arsyeshme të fillojë të mendojë se mund të lërë makinën dhe të mund të përdorë më shumë këmbët, duke ulur kështu edhe vulnerabilitetin e rritur ndaj sëmundjeve kardiake dhe shumë pasojave të tjera. Për hir të së vërtetës, demokracia ka ardhur me shumë kolesterol në Shqipëri dhe pesha mesatare e popullatës është shumë më e rritur falë patjetër mirëqenies, por falë edhe shumë helmeve dhe shumë ushqimeve që mirë është që të evitohen”, shtoi Rama.
Kryeministri falënderoi projektuesit e këtij projektit të prezantuar sot, ndërsa shprehu bindjen se “më herët se sa vonë me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit do të ndërhyhet për të frenuar në mënyrë dramatike dhe të domosdoshme parkimin e dyfishtë”.
“Kjo do të lehtësojë shumë procese të tjera pastaj dhe do të bëjë që edhe projekti të jetë funksional. Këto janë gjëra që mund të adresohen, rëndësi ka të ecim para me projektin dhe të zgjerojmë më shumë hapësirat ku i jepet prioritet këmbësorëve, duke ulur dhe duke zvogëluar hapësirat dhe mundësitë për ndotësit”, shtoi Rama. /j.p/