Rindërtohet kopshti nr: 43

Kopshti do të qëndrojë i hapur edhe gjatë muajit gusht. Do të mirëpresë rreth 150 fëmijë
Rama: Kopshti është një strukturë e re që do të plotësojë kërkesat e kahershme të komunitetit
Bashkia e Tiranës ka prezantuar dje të rikonstruktuar kopshtin me numër 43, një institucion ky që garanton të gjitha kushtet e nevojshme për të mirëpritur fëmijët, të cilët në ndryshim nga bashkëmoshatarët e tyre do të frekuentojnë këtë kopsht edhe gjatë muajit gusht.
Gjatë ceremonisë së inaugurimit të kopshtit të ri, kreu i Bashkisë, Edi Rama, u shpreh se me këtë projekt plotësohet një kërkesë e përhershme e komunitetit për të pasur një kopsht me kapacitet të madh. Kështu, pas rikonstruktimit, jo vetëm të ambienteve ekzistuese, por edhe shtimit të ambienteve të reja, ky kopsht do të jetë në gjendje të mirëpresë rreth 150 fëmijë.
"Me këtë kopsht i krijohet mundësia fëmijëve të gjithë kësaj zone, që ta kalojnë së bashku me edukatoret, të gjithë pjesën e kohës kur prindërit janë në punë, kështu që u uroj të gjithë prindërve një gusht të mbarë dhe ndërkohë i mirëpresim të gjithë fëmijët shumë shpejt, pasi ne do t'i kemi të gjithë strukturat funksionale edhe gjatë muajit gusht, i bindur tashmë se kjo zonë ka kopshtin që meriton, për të gjithë ata vogëlushë që janë të mirëseardhur në këtë strukturë të re", u shpreh Kryebashkiaku Rama.
Rikonstruksioni i kopshtit që gjendet në rrugën "Muhamet Gjollesha", jo vetëm ka rehabilituar ambientet ekzistuese, por edhe ka shtuar të tjera, duke sjellë në këtë mënyrë një përmirësim në kushte, përfshirë këtu edhe sistemin qendror të ngrohjes e instalimin e radiatorëve në të gjithë ambientet e kopshtit.
Po kështu janë ngritur edhe kënde të tjera, ku përfshihen ambienti i ngrënies, i fjetjes, salla e lojës dhe e pikturës, ambientet ndihmëse, kuzhina etj.
Këto ambiente, gjithashtu, janë pajisur në mënyrë bashkëkohore dhe kjo, sipas bashkisë, është bërë në mënyrë që kopshti të ketë të gjithë infrastrukturën e nevojshme për realizimin e procesit edukativ, i cili është një aspekt, për të cilin po punohet aktualisht.
Në këtë kopsht nuk mungojnë edhe hapësirat rekreative në territorin e jashtëm përreth kopshtit, ku fëmijët do të kenë mundësi të shfrytëzojnë ambientet e gjelbra, si dhe këndin e lojërave, të konsideruara si hapësira të domosdoshme për përkujdesjen dhe mirërritjen e fëmijëve.
Investimet e reja
Në buxhetin e vitit 2010, të prezantuar pak kohë më parë, Bashkia e Tiranës i kishte kushtuar një rëndësi të vçantë programit të investimeve në sistemin arsimor parashkollor, kryesisht për ndërtimin dhe rikonstruktimin e kopshteve dhe çerdheve, si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve dhe infrastrukturës në këto institucione.
Kështu për herë të parë në vitin 2010, Bashkia e Tiranës ka hartuar, financuar dhe po piloton ndërtimin e 2 kopshteve të reja në zonat e Shkozës dhe të ish-Fushës së Aviacionit.
Këto ndërtime të reja janë parashikuar të pilotojnë sistemin e integruar, pra për kopshte dhe çerdhe të integruara, për të rritur aksesin dhe lehtësinë për stafin edukator, por edhe për prindërit e fëmijëve, si dhe cilësinë e shërbimit ndaj komunitetit.
Sot, sipas të dhënave të bashkisë, sistemi publik i çerdheve dhe kopshteve ofron shërbimin për numrin më të madh të fëmijëve, krahasuar me numrin e fëmijëve që shkojnë në sistemin privat. Kështu, shërbimet që ofrohen në institucionet publike parashkollore janë jo vetëm ato të kujdesit dhe mirërritjes (trajtimit ushqimor etj.), por edhe formimit edukativ dhe trajtimit psiko-emocional të fëmijëve.
Të dhënat tregojnë se në kryeqytet shërbimet e rritjes, zhvillimit dhe edukimit për fëmijët 0-6 vjç kryhen në 70 institucione të arsimit parashkollor, të cilat përfshijnë 41 kopshte dhe në 29 çerdhe. Në këto institucione, aktualisht shkojnë rreth 8533 fëmijë të moshës nga 0 në 6 vjç.
Regjistrimi në kopsht
Ndërkohë që kopshti numër 43 do të qëndrojë i hapur edhe gjatë muajit gusht, kopshtet e tjera në kryeqytet do të rinisin punën në shtator. Duke filluar që nga 30 gushti do të nisë regjistrimi për pranimin në kopshte, ku edhe për këtë vit do të aplikohet kriteri i ndarjes territoriale. Prindërit që dëshirojnë të regjistrojnë fëmijët në institucionet e ciklit parashkollor duhet të paraqesin në kopsht një vërtetim nga njësia bashkiake në të cilën jetojnë.
Lista e dokumenteve që duhet të dorëzojnë prindërit plotësohet nga një certifikatë vaksinimi e lëshuar nga qendra shëndetësore, si dhe certifikata familjare. Në një njoftim publik, Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës kujton të gjithë prindërit se fëmijët që kanë mbushur moshën shkollore, pra 6 vjç, mund të qëndrojnë në kopsht deri në fund të muajit shtator.