Thellohet konflikti mes Bashkisë dhe Ministrisë së Energjetikës

Kraja: Fusha e Aviacionit është në pronësi të Bashkisë. Serjani: Duam të plotë 190 mijë metra katrorë
Edhe gjatë ditës së djeshme ka vazhduar debati publik mes Ministrisë së Energjetikës dhe Bashkisë së Tiranës, për zonën e quajtur Fusha e Aviacionit. Zyra e shtypit e Bashkisë ka bërë me dije se nuk ekziston asnjë vendim qeverie për kthimin e ish-Fushës së Aviacionit në pronësi të pushtetit vendor.
Por, nga ana tjetër, ka vetëm një vendim të KRRTSH-së që e përcakton si zonë të gjelbër. "Por, kjo s'do të thotë absolutisht asgjë dhe praktika tregon se një fakt i tillë nuk e pengon privatizimin", u shpreh zëdhënësi për shtyp i Bashkisë, Florian Serjani.
Ai shpjegoi se Bashkia e Tiranës nuk ka kërkuar thjesht pistën e aviacionit për ta kthyer në park, po të gjithë territorin prej 190 mijë metrash katrorë, pasi në këtë hapësirë Bashkia e kryeqytetit synon të ngrejë shkollë, kopsht, çerdhe për komunitetin, si edhe funksione të tjera sociale, në shërbim të komunitetit.
"Praktikisht, territori prej 5.5 hektarësh i parashikuar nga KRRTSH është vetëm një e treta, kurse dy të tretat e ish-Fushës së Aviacionit, kalojnë në privatizim", tha Serjani, duke theksuar se Bashkia e Tiranë do të kundërshtojë këtë privatizim.
"Bashkia e kryeqytetit i bën thirrje Kryeministrit Sali Berisha ta heqë nga lista e privatizimit, qoftë këtë objekt, qoftë Repartin Ushtarak në Kodër-Kamëz dhe qoftë një sërë objektesh të tjera të destinuara për kopshte e shkolla, sepse çdo komunitet ka nevojë për më shumë të tilla dhe privatizimi i gjithë këtyre aseteve është vërtetë një dëm me pasoja të rënda për të ardhmen", përfundoi ai.
Reagimi i Bashkisë ka ardhur pas deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Energjetikës, Durim Kraja, sipas të cilit, nuk ka asnjë proces privatizimi për këtë hapësirë të parashikuar për zonë të gjelbër. Gjatë një komunikimi për mediat, Kraja sqaroi se pjesa tjetër e Aerodromit që nuk përfshin Fushën e Aviacionit është nxjerrë për privatizim.
"Një repart i Aerodromit është në proces privatizimi, por nuk ka lidhje me pjesën që i është dhënë Bashkisë për ta shndërruar në zonë të gjelbër" - theksoi Kraja.
Më tej, Kraja sqaroi se Aerodromi është diçka shumë më i madh se sa Fusha e Aviacionit prej 5.5 hektarësh që i është dhënë në përdorim Bashkisë së Tiranës për ta zhvilluar si zonë të gjelbër, sepse aty ka prona të kthyera nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që në vitin 1996, të cilat kanë qenë në varësi të Bashkisë.
Ndërkohë, ai u shpreh se dokumentacioni i Ministrisë së Ekonomisë mbi Fushën e Aviacionit është lehtësisht i verifikueshëm dhe se nuk mund të bëhen keqinterpretime të tij.