E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ringjallja e Ku Klux Klanit

Gjatë katër muajve të fundit, kanali televiziv ABC, ka pasur qasje në radhët e Klanit-në ritualet, pjesëtarët e kësaj organizate, porositë e saj për ndarje racore, të cilat po i përhap me një urgjencë të re.“Ne duhet të mbrohemi, ose ata do të na vrasin”, theksoi Steven Howard, udhëheqës i një grupi të Klanit në Mississippi. “Të bardhët dhe zezakët nuk i lidh asgjë. Sipas mendimit tim, zezakët kanë prejardhjen prej kafshëve”, thotë Howard.

Disa dhjetëra meshkuj dhe femra tubohen në një pyll, jo larg Washingtonit, kryeqytetit të SHBA-së. Me t’u errësuar, ata kryejnë një ritual të vjetër mbi një shekull. Ja vënë zjarrin një kryqi.

Ata e quajnë vetën “Perandoria e Padukshme” dhe atë për një arsye: ata po lulëzojnë në fshehtësi, duke mos lejuar pothuajse kurrë të huajt që të hyjnë në radhët e tyre.

Kush janë ata?

“Nuk e dini se kush jam”, thotë njëri prej tyre. “Mund të mendosh për botën time, por tani, nëse me sheh me këtë kapelë dhe do ta dinit se kush jam, të gjitha mendimet tuaja do të mund të ndryshonin”.

“Kam qenë zjarrfikës, kam qenë në flotën detare”, thotë një tjetër. Njerëzit, të cilët bartin këto veshje, gjenden në mesin tonë. Por së bashku, siç ishin këtë verë në Martinsville, ata janë Ku Klux Klan.

Gjatë katër muajve të fundit, kanali televiziv ABC, ka pasur qasje në radhët e Klanit-në ritualet, pjesëtarët e kësaj organizate, porositë e saj për ndarje racore, të cilat po i përhap me një urgjencë të re.

“Ne duhet të mbrohemi, ose ata do të na vrasin”, theksoi Steven Howard, udhëheqës i një grupi të Klanit në Mississippi.

Mark Potok dhe bashkëpunëtorët e tij nga radhët e The Southern Poverty Law Center, ka tashmë disa dekada që kanë luftuar pjesëtarët e KKK-së nëpër gjykata.

Potok pajtohet me qëndrimet e disa pjesëtarëve të Klanit se presidenti amerikan, Barack Obama, ka qenë mjeti më i mirë i Klanit për rekrutimin e pjesëtarëve të ri gjatë pesë viteve të fundit.

“Mendoj se ka diçka të vërtetë në këtë. Menjëherë pas zgjedhjes së Obamës, dy nga veb faqet më të mëdha të urrejtjes në SHBA u vërshuan nga komentet”, thotë ai.

Potok thotë se ai ka parë ngritjen, rënien dhe ngritjen e sërishme të Klanit. Kah fundi i viteve të 80-ta, numri i pjesëtarëve të KKK kishte rënë në disa qindra. Por tani, gjërat qëndrojnë ndryshe.

“Numri i grupeve si Klani ka shënuar një rritje të dukshme. Nga 600 në vitin 2000, në 1.018 vitin e kaluar. Por kjo nuk është e tëra. Janë rikthyer edhe njësitë paramilitare dhe atë me një fuqi të jashtëzakonshme”, rrëfen Potok.

Steven Howard është 31 vjeçar. I martuar dhe ka një vajzë 11 vjeç. Në dukje të parë, një familje normale. Por me të filluar intervista, normaliteti merr fund.

“Të bardhët dhe zezakët nuk i lidh asgjë. Sipas mendimit tim, zezakët kanë prejardhjen prej kafshëve. Ky është mendimi im, ata kanë evoluar nga majmunët. Thjeshtë nuk mund t’iu besosh zezakëve. Ky është fakt, nuk mund t’iu besosh”, thotë Howard.

Më vonë, pjesëtarët e Klanit mblidhen në një pyll, në një pronë private. Përgatisin pishtarët dhe kryqin. Howard shpjegon ritualin e djegies së kryqit.

“Me djegien e kryqit, ne dëshirojmë të bëjmë me dije se kryqi është drita e botës dhe ne pastrojmë njerëzit dhe racën tonë. Po djegim kryqet, për të njoftuar njerëzit se Amerika aktualisht është në telashe, se ka njerëz që e mbrojnë Ku Klux Klanin dhe kjo është ajo që po bëjmë”, rrëfen Howard.

Howard thotë se ka pranuar të flas, për të dëshmuar se Klani i ri nuk është as racist, e as i dhunshëm.

“Nuk po them se nuk më pëlqejnë njerëzit me ngjyrë. Po them se besoj në ndarjen racore. Besoj se ne duhet të ndahemi. Le të krijojnë ata shtetin e tyre, aty ku e kanë vendi. T’iu japim atdheun e tyre. Nuk mund ti besosh një personi me ngjyrë. Besoj 100 për qind në këtë”, thotë Howard.

Por nëse vajza e tij, pasi të bëhet e pavarur, vjen në shtëpi dhe i thotë se e ka një të dashur me ngjyrë?

Howard qesh dhe thotë:”Nuk do të them atë, që do të kisha dashur ta thosha para jush. Do ta kisha dëbuar dhe nuk do të kisha dëshiruar ta shoh më kurrë”.

Për shkak të njeriut që dashuron?

“Nëse dashuron, atëherë dashuron dikë nga raca jote. Zoti e ka përcaktuar këtë, Jezusi e ka përcaktuar”, përgjigjet ai.

Por Jezusi ka thënë dashuroni njëri-tjetrin?

“Jezusi ka thënë dashuroni fqinjin tuaj, nëse e keni lexuar Biblën”, përgjigjet Howard.

Disa njerëz argumentojnë se mbulimi nga ana e medieve i Klanit, po ju ndihmon këtyre njerëzve që të përhapin idetë e tyre. Potok e ka dëgjuar shumë herë këtë argument.

“Sa herë që keni ndonjë artikull për Klanin në faqen e parë të gazetave, kësaj organizate i shtohen nga një apo dy anëtarë të ri. Megjithatë, në 99.9 për qind të rasteve mbulimi në media më shumë dëmton Klanin, se sa që ndihmon atë”, thotë Potok.

Përderisa dhuna ka qenë karakteristikë e Klanit të vjetër, Howard insiston se Klani i ri nuk e përdorë më këtë taktikë. Por ai dhe të tjerët flasin haptazi për luftën racore, nëse Obama rizgjidhet president.

“Po, do të ndodhë. Dhe frikësohem se nëse Obama rizgjidhet për katër vjet tjera, ai do të shkatërrojë këtë vend. Të bardhët do të jenë në kampe përqendrimi dhe nëse mendoni se të bardhët nuk mund të vendosen në kampe të këtilla, e keni gabim”, thotë Howard.

Zgjidhja e tij për të shmangur këtë skenar është jugu i SHBA-së vetëm për të bardhëve. Zezakëve, hispanikëve dhe hebrenjve duhet t’i ndahet një vend tjetër në Amerikë për të jetuar. Por, Howard e pranon se ky skenar do të kërkonte përdorim të dhunës. “Nëse nuk do të pajtoheshin në mënyrë paqësore, atëherë me dhunë”, thotë ai.

Pra një luftë racore?

“Po, ashtu është”, përgjigjet Howard.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›