Ringjallja e Kuqit

Kur ishte transferuar nga ekipi finlandez TPS Turku te skuadra greke Panionios gjatë kësaj vere, shumë njerëz kishin kërkuar informata për Njazi Kuqin. Por, vetëm pas tre xhirove në elitën e futbollit grek, sulmuesin kosovar e njohin të gjithë.
Në tri ndeshje të zhvilluara me skuadrën e re në elitën e futbollit grek, 28 vjeçari ka realizuar tri gola dhe ka befasuar të gjithë në këtë vend me paraqitjet e shkëlqyeshme.
As vetë Kuqi, i cili po i rikthehet formës, nuk kishte pritur se do t’ia niste në këtë mënyrë aventurës në futbollin grek, kur dihet se pas ndarjes me ekipin gjerman TUS Koblenz, kishte pësuar një rënie në karrierë. Madje ai gjashtë muaj kishte mbetur pa skuadër, derisa kishte gjetur angazhim në TPS Turku.
Në fakt, para se të kalonte në TPS Turku, ku realizoi tetë gola në 21 paraqitje, kosovari me pasaportë finlandeze kishte gjetur angazhim në ekipin skocez Dundee, por vetëm pas tri ndeshjeve klub kishte falimentuar.
“Pata mbet pa skuadër rreth gjashtë muaj, por megjithatë vazhdimisht ushtroja. Më pas shkova në TPS Turku sa për t’iu rikthyer formës dhe për të rënë në sy të klubeve tjera. Aty punova shumë dhe e arrita synimin sepse më pas kalova në këtë klub grek”, kujton Kuqi i cili është i kënaqur me mënyrën se si ia ka nis aventurës së re në elitën e futbollit grek.
“Në Panionis po ndihem shumë mirë. E kam nis mirë, pasi i kam shënuar tri gola në tri ndeshje. Realisht nuk kam besuar se do ta nisi në këtë mënyrë, edhe pse vazhdimisht kam punuar shumë për ta mbërri formën edhe në TPS Turku, por edhe në kohën kur isha pa skuadër. Por, më e rëndësishme se kjo është fakti se klubi im, Panionis po luan mirë. Jam adaptuar këtu, edhe pse ende po banoj në hotel, derisa ta gjej një zgjidhje më afatgjate për banim. Në përgjithësi jam shumë i kënaqur”, deklaroi Kuqi për Express.
Sulmuesi me prejardhje nga Vushtrria tregon edhe synimet e tij, të cilat dëshiron t’i arrijë me Panioniosin. Ai shpreson që në një të ardhme të afërt nga kjo skuadër të transferohet në ndonjë klub më të madh, qoftë ai edhe grek.
“Jam i përqendruar vetëm në Panionis. Do ta jap maksimumin nga vetja për të shënuar sa më shumë gola për këtë ekip. Shpresoj të vazhdoj kështu siç e kam nis. Duam ta sigurojmë mbetjen në elitë sa më shpejt që është e mundur. Ekipi po luan mirë dhe jemi më rrugë të mirë, e më pastaj si çdo futbollist, edhe unë kam dëshirë të kaloj në ndonjë klube sa më të madh. Do të jem i hapur edhe për klube të njohura greke”, pohoi ish futbollisti i klubit anglez Birmingham City.
Kuqi kishte debutuar me gol në ndeshjen e parë me Panionis, derisa në ndeshjen e dytë nuk ia kishte dalë të shënojë. Mirëpo, ekipi i tij të shtunën ka shënuar fitore të rëndësishme me rezultat 0:3 si mysafir i Kerkyra. Dy golat e parë për Panionis në këtë takim i ka shënuar Njazi Kuqi.