E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ringjallja e Njeriut dhe Populli “Mutant”

08-03-2013 / Nga Përparim Demi

Zakonisht kur flasim për ”mutantët”, kemi parasysh filmat SF, ku paraqiten njerëz të shpërfytyruar, me deformime gjenetike, të transformuar, një kombinim të krijesës njerëzore me kafshë apo insekte të ndryshme. Pra flasim për kombinime ose eksperimente, kemi parasysh hibride biologjike të prodhuara artificialisht ose anomali gjenetike të kushtëzuara, pasoj e disa kushteve specifike, siç përmendet shpesh radioaktiviteti i zonës ku jetojmë. Si raste të tilla të njohura zyrtarisht kemi Hiroshimën-Nagasaki në Japoni ose më vonë Çernobilli në Ukrainë, etj.



Eksperimentet të tipit Miçurin, i cili prodhoi fruta ose bimë të shartuara për të prodhuar cilësi të përmirësuara të tyre, u shtrinë në fusha të ndryshme gjatë shekullit të njëzet, u aplikuan tek kafshët dhe deri sa arritën tek njeriu. Sot dëgjojmë apo lexojmë gjithfarë zbulimesh sensacionale për eksperimente të bëra mbi njeriun, të kryera gjatë periudhës së nazizmit por dhe më vonë gjatë luftës së ftohtë. Flitet për mjek-shkencëtarë kriminelë të cilët të verbuar nga idetë e tyre, të përkrahur dhe të financuar nga diktatorët, përdorën kobaj-njerëz të cilët i transformuan në ”viktima” të shkencës së tyre. Në të gjitha këto raste, çmenduria e tyre përputhej me objektivat politike të diktaturave dhe u shërbeu qëllimeve çnjerëzore të ”udhëheqësve” psikopat. Kështu u fol për racën ariane të pastër,  e cila përshkruhej si një kategori njerëzish, të cilët posedonin cilësi të veçanta fizike dhe u bënë objekt eksperimentimi për tu prodhuar në mënyrë industriale. Në atë periudhë, njeriu ndërhyri në natyrë, u mundua të zëvendësojë selektimin natyral me atë artificial, duke ”eliminuar” fizikisht njerëzit që nuk plotësonin standardet e tyre të shpikura.



Për këto gjëra është folur mjaft, janë shkruar libra, janë prodhuar filma etj. Ajo që flitet më pak dhe që ndodh në vazhdimësi me metoda gjithnjë e më të sofistikuara është prodhimi i njeriut të modifikuar psikologjikisht. Njeriu i modeluar nga ana mendore sipas standardeve të paracaktuara, të cilët kthehen në lëndë të parë elektorale, në robotë mental të programuar, në skllevër të bindur pa ndërgjegje sociale. Ky lloj mutanti mendor, nuk ka ëndrra apo dëshira personale, nuk ka shije dhe gusto të veçanta specifike të tij, nuk ka moral dhe ndërgjegje vetjake, gjithçka tek ai është e projektuar sipas një modeli apo shablloni të konsideruar si i ”optimizuar”. Shpesh kemi dëgjuar të flitet për eksperimentet sociale të përmasave shtetërore, kontinentale apo botërore, por pak janë ata që arrijnë të kuptojnë, të ndërgjegjësojnë se dhe ne bëjmë pjesë në to, se dhe ne jemi ”kobajtë” mbi të cilët kryhen këto, se dhe ne mbartim mbi vete rezultatet eksperimentale të arritura. Ndoshta jemi prodhim i tyre, ndoshta, pa e ditur, jemi transformuar në hibridin psikik të modeluar nga sistemi. Ndoshta pa dashur, kemi filluar të mendojmë, të gjykojmë, sipas formulës magjike të injektuar gjatë një periudhe të gjatë. Ndoshta dhe sytë e mendjes tonë, janë modeluar dhe programuar që të shohim vetëm disa ngjyra të caktuara, të perceptojmë disa gjëra dhe të tjerat jo, pra të shohim mjedisin që na rrethon në mënyrë selektive, të asimilojmë vetëm një tip të caktuar informacioni.



Në kohën e nazizmit, eliminoheshin njerëzit, që foshnja të porsa lindura, mbi bazën e kritereve fizike, të lëkurës, ngjyrës së flokëve, formës antropologjike etj. Në periudhën e eksperimentit komunist, eliminoheshin njerëzit sipas kritereve të formimit dhe standardit psikologjik. U modelua dhe u pranua si variant optimal njeriu mediokër, pa aftësi të veçanta gjykuese, i pa kultivuar, i arsimuar në shkallën e ulët, me një bagazh informacional standard të orientuar, i mbiquajtur ”NJERIU I RI”. Objektivi për të krijuar popullatë të bindur ndaj sistemit u realizua me përpikmëri shkencore, pavarësisht se kjo kërkoi sakrifikimin shtresave të veçanta të saj, masakrimin e miliona njerëzve që nuk përmbushnin standardet psikologjike të vendosura. Këto eksperimente u konsideruan të suksesshme edhe në ato vende ku sakrificat arritën përmasa alarmante deri dhe në eliminimin gradual të gjysmës së popullsisë në favor të gjysmës tjetër të preferuar. Shqipëria fatkeqësisht, për një gjysmë shekulli u bë një shembull botëror në këtë drejtim. Disa krenoheshin me këtë, disa vajtojnë akoma dhe sot që humbëm kreun e klasifikimit në këtë drejtim, duke parë me zili Korenë e Veriut.



Transformimi gradual i pësuar, ndoshta nuk vihet re në segmente të shkurtra kohe, por kur bëjmë krahasimin midis periudhave më të largëta, habitemi sa kemi ndryshuar. Ndonjëherë ndodh të themi se nuk ngjasojmë fare me shqiptarët e njëhershëm, sikur jemi një popull tjetër. Shpesh gjen të shprehur se jemi bërë italianë, grekë, serbë, kinezë, … etj. Në fakt, fizikisht jemi po ne, shqiptarët e lashtë, ”pakëz” të modifikuar mendërisht.



A mund të krahasohemi sot me rilindësit tanë ? A mund të krahasohemi me luftëtarët e Isa Buletinit? Unë them se jo. Rasti i familjes së Adem Jasharit ishte një përjashtim, një rast i izoluar, prandaj u klasifikuan nga populli si heronjtë tanë modern, pasi tek kjo familje njerëzit e thjesht gjetën ato gjërat e humbura nga koha, panë sakrificën supreme për një ideal. Nuk mund ta di se në çfarë rrethanash kjo familje mbeti e pa prekur nga eksperimenti social ”bashkim-vëllazërim”. Një shekull na u desh që të shkëmbehemi, gjë që nuk ndodhi për mijëra vjet më parë. Shekulli i XX për shqiptarët duhet të mbetet si periudha më e zezë e historisë së kombit, në të gjitha drejtimet, jo vetëm nga reduktimi i popullsisë për arsye gjenocidi.



Krenaria shqiptare ja la vendin fudullëkut të servil-qafirit, Ideali i lirisë, i kombit, u zëvendësua me lakminë ndaj parasë, Nderi u zëvendësua, u shit për karrierë, Besa shqiptare humbi fare, duke ja lënë vendin mashtruesit marifetçi politik, batakçiut të pabesë dhe kështu mund të vazhdojmë me të tjerat…Pesha e burrit sot matet me kacidhet që ka ose me postin që mban, prandaj ajo ndryshon në kohë, varion sipas fluksit të parave dhe të votave që merr. Këtë e vendos kryetari i Partisë ku bën pjesë.



Reshat Kripa në artikullin Sindroma ”komunizëm” (Gazeta 55, 06.03.2013) , flet për sindromë, e përshkruan fenomenin si një mbetje, si një efekt inercie, si një sëmundje mendore, qoftë dhe epidemi. Ndoshta është dhe ashtu, por diçka më thotë se është shumë më tepër se kaq, shumë më keq. Kam frikë se kemi të bëjmë me njeriun hibrid, me mutantin e modifikuar ”gjenetikisht”, se kemi të bëjmë me një proces irreversibil, të pakthyeshëm. Shpresoj që dikush, ndonjë specialist në këto fusha, më i informuar se unë, ta studioj këtë fenomen dhe ta hedhë poshtë ketë konkluzion, timin personal.



Do zoti nuk është ashtu si them unë!



RILINDJA E PS-së - Në këtë periudhë parazgjedhjesh na doli në skenë një nocion i ri për Rilindjen, që përdoret si slogan elektoral. Në mëndje më erdhi menjëherë figura e Plakut të Vlorës, i cili rilindi Skënderbeun duke bashkuar krejt trojet shqiptare dhe duke shpallur pavarësinë. Atëherë rilindi Kombi shqiptar, Flamuri, Gjuha shqipe.



Sot çfarë do rilindi? Kush do e udhëheqë këtë proces aq të komplikuar? PS-ja? Mutanti Rama? Sahanlëpirësit? Nostalgjikët dhe sigurimsat? Pinjollët e bllokut? Hajdutët miliarderë? Trafikantët dhe kontrabandistët? Skafistët?



Po çfarë vdiq dhe do rilindi po të fitojë PS-ja në 23 Qershor - diktatura apo diktatori E.H.? Sa shumë ëndrra sheh i shkreti Rama, duke e parë veten në vendin e Enverit, si qëmoti në kongreset e Partisë, ku votohej 100% me duartrokitjet pambarim. Vilat dhe makinat e shtrenjta i ka, dhe servilët i ka mbledhur grusht shtrënguar rreth partisë, pervers dhe artis është dhe ai si xhaxhi, për djallëzi dhe pabesi, s’ia ha qeni shkopin, veç hija e tij dhe pushteti i mungon tani. ”Do fitoj në zgjedhjet, përndryshe qameti të bëhet”- na thotë‼! Të shohim si do RILINDI përbindëshi!



...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›