Gratë, një domosdoshmëri për progresin
John Kerry/Sekretar i Departamentit të Shtetit
-Sipas Forumit Ekonomik Botëror, vendet ku burrat dhe gratë janë më pranë përfitimit të të drejtave të barabarta gëzojnë ekonomi më konkurrente sesa vendet ku hendeku midis grave dhe burrave i ka lënë gratë dhe vajzat me mundësi të kufizuara ose pa mundësi përfitimi për kujdes shëndetësor, arsim, poste të zgjedhura, dhe vende në treg. Po kështu, Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë përcakton se, nëse fermeret femra do të kishin më shumë mundësi për të siguruar fara, plehërues dhe teknologji në masën që munden fermerët meshkuj, ato do të mund ta ulnin numrin e njerëzve të keq ushqyer në botë me 100 deri në 150 milion. Megjithatë, në shumë shoqëri dhe shumë shtëpi, gratë dhe vajzat janë akoma të nënvlerësuara, nuk u jepet mundësia për t’u shkolluar, dhe janë të detyruara të martohen në moshë të mitur. Shumë jetë janë humbur ose kanë ndryshuar përgjithnjë për shkak të dhunës me bazë gjinore. Si baba i dy vajzave, nuk mund ta imagjinoj dhimbjen që kanë kaluar prindërit e vajzës së re të njohur me emrin “Nirbhaya”, studentja 23 vjeçare e mjekësisë e cila u vra në autobus në Nju Delhi thjesht pse ishte vajzë, apo vuajtjen e ndjerë nga prindërit e Malala Yousafzai, vajza pakistaneze e cila u sulmua goditur për vdekje nga ekstremistët po ashtu në autobus, thjesht pse donte të shkonte në shkollë. Por, më frymëzon përkushtimi i patrembur i Malalas për çështjen e saj, vendosmëria e Nirbhayas, ndërsa jepte shpirt, për të çuar para drejtësisë ata që e sulmuan, dhe nga kuraja e baballarëve të tyre për të folur në emrin e vajzave të tyre dhe grave kudo ndodhen. Asnjë vend nuk mund të ecë përpara nëse lë gjysmën e popullsisë së vet mbrapa. Rritja e arsimimit për gratë dhe vajzat dhe mundësisë së tyre për burime përmirëson gjithashtu shëndetin dhe arsimin e brezit të ardhshëm. Diplomatët amerikanë kudo që janë punojnë për të integruar gratë plotësisht në negociata paqeje dhe në përpjekjet për siguri sepse sjellja e përvojës së grave, shqetësimeve dhe këndvështrimit të tyre në tryezë mund të ndihmojë në parandalimin e konfliktit në të ardhmen dhe në vendosjen e paqes së përhershme. Sot, Dita Ndërkombëtare e Grave është një ditë për t’u festuar. Është gjithashtu dita kur secili prej nesh duhet të angazhohet sërish për t’i dhënë fund pabarazisë që ndalon përparimin në çdo kënd të globit. Ne mundemi dhe duhet të zotohemi për këtë në mënyrë që secila prej vajzave tona të mund të marrë autobusin pa frikë për në shkollë, që motrat tona të mund të përmbushin potencialin e tyre të jashtëzakonshëm, dhe që çdo grua dhe vajzë të mund të jetojë në përmbushje të potencialit që zotëron.